E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoritetet publike dhe qëndrimi kritik i qytetarit

Nga Gëzim Tushi

Pavarësisht kritikave të drejta që i bëhen karakterit disi konformist të shoqërisë civile dhe mungesës së forcës së opinionit publik qytetar, për të ndikuar mbi punët e politikës dhe çështjet e qeverisjes së vendit, duhet vlerësuar fakti që kohët e fundit në shoqërinë tonë ka filluar të lulëzojë një klimë e zgjeruar e kritikës qytetare. E cila sado timide që është apo në formë të pastrukturuar si duhet, ka filluar të fitojë qytetarinë e një vlere me rëndësi për ndërtimin e demokracisë dhe formimin e standardeve të qytetërimit modern të qytetarit në raport me autoritetet që janë jashtë tij. Qofshin politike, shtetërore, fetare, kulturore, etj. Mbase me ngadalë dhe me shumë vështirësi të trashëguara nga e kaluara, por tani gjithnjë e më qartë duket, se në kulturën e qytetarëve tanë është kultivuar ideja e shëndoshë se në shoqëri, në politikë, në jetën publike nuk ka më njerëz të shenjtë apo qytetarë, të cilët ngaqë kanë funksione të caktuara politike, shtetërore, fetare duhet të jenë apriori të imunizuar nga kritika publike e qytetarëve, analiza e medias, gjykimet e hapura të opinionit publik apo vlerësimet që bëjnë zgjedhësit.

Në këtë pikë që ka të bëjë me strukturimin e opinionit qytetar dhe të kritikës publike ndaj autoriteteve, shoqëria jonë është në dukje mjaft mirë dhe duket sikur është në shumë drejtime në pozitën e duhur. Mjafton të kujtojmë se tani janë shtuar tonet e kritikës dhe lufta qytetare kundër abuzimeve të njerëzve që spekulojnë me autoritetin që kanë pas garancive që u jep atyre imuniteti ligjor, social, publik. Praktikisht këto ditë që parlamenti shqiptar është përfshirë në debatin për çështjen e heqjes, rishikimit apo ridimensionimit të imunitetit të deputetëve, është rritur shumë qëndrimi dhe reagimi publik i qytetarëve dhe shoqërisë civile në tërësi. Ky është sinjali i madh që tregon se shoqëria shqiptare është në një fazë të re të pjekurisë së vet, në fazën kur asnjë autoritet i jetës politike apo publike, nuk do të jetë më i mbrojtur nga ligjet e shtetit dhe kritika publike e qytetarëve kur abuzon me to. Pavarësisht autoritetit, postit dhe fuqisë që ka në parti, në shtet apo në jetën publike.

Politikanët e këtij vendi duhet ta mendojnë ndryshe raportin e tyre me shtetin, ligjin dhe kritikën publike të qytetarit dhe reagimin e zgjeruar të shoqërisë civile. Gradualisht jemi futur në etapën cilësore të zhvillimit të demokracisë shqiptare, ose më saktë në periudhën e transformimeve të thella të saj, kur po krijohen më shumë kushte kur qytetarët dhe shoqëria civile duhet të flasin më lirisht për gjithçka. Kjo është karakteristikë jo formale, por thelbësore e lirisë, demokracisë qytetare dhe modernitetit social.

Shoqëria civile dhe qytetarët tanë kanë kuptuar, se tani jemi në kohën kur nuk ka autoritet politik dhe parlamentar normal, që të jetë i imunizuar nga kritika. Sepse asnjë autoritet politik nuk ka dhe nuk duhet të ketë fuqi ekstra, pushtet të gjerë e të pakufizuar mbi ligjin dhe vlerën e papërsëritshme të të drejtës së gjykimit dhe kritikës publike të njeriut të lirë. Ndaj thuhet shpesh në mendimin sociologjik dhe politologjik, se aplikimi i pranimit të autonomisë së njeriut përballë fuqisë së pakufizuar të autoriteteve që janë jashtë tij, në kohën e tanishme kanë sjellë shumë problem, paqartësi dhe keqkuptime që po trondisin si jetën e njeriut të përveçëm, ashtu dhe shoqërinë në përgjithësi.
Padyshim ka një prirje të fortë të qytetarëve për më shumë autonomi përballë fuqisë së autoriteteve. Kjo autonomi është e shfaqur dhe e sendërtuar në jetën sociale të përditshme të qytetarëve tanë e cila është e shoqëruar dhe e pandarë nga veprat konkrete të njeriut që krijon dhe siguron një autonomi të caktuar përballë fuqisë së autoriteteve që janë jashtë tij. Sepse tashmë shoqëria dhe njerëzit tanë nuk janë më nën peshën e kohës, kur autoriteti dhe kritika bëheshin vetëm nga lart. Përkundrazi jemi në kohë të reja. Qytetarët shqiptarë dhe shoqëria civile në tërësi, kanë kuptuar një të vërtetë të madhe e cila sipas intelektualit Andre Morua, në jetën normale të një vendi të lirë të drejtën e kritikës e kanë të gjithë. (A. Morua,Një mjeshtëri për të jetuar, f 115)

Natyrisht në shoqërinë tonë koncepti për përmbajtjen e autoritetit dhe vlerësimin e rolit të tij, nuk është akoma i kuptuar sipas limiteve të plota demokratike. Sepse për shkak të së kaluarës së gjatë totalitare, ndikimeve kontroversale të tranzicionit demokratik, ndihet prania e konceptimit të ngushtë të autoritetit, i cili akoma në shumicën e rasteve është i identifikuar vetëm me njërëzit që janë autoritete të politikës apo të jetës shtetërore. Ideja se autoritetet janë vetëm njerëzit që kanë pushtet politik apo ekzekutiv, kanë tagrin që të vendosin për fatin e njerëzve të tjerë, është forma më dominuese e konceptit të shoqërisë shqiptare për autoritetin. Ky konceptim i ngushtë dhe semplist i autoritetit ka lënë jo shumë të vlerësuar kuptimin e gjerë të tij, sipas të cilit autoriteti nuk është domosdo i lidhur vetëm me postin politik apo ekzekutiv, por është i lidhur së pari me vlerën dhe personalitetin publik të njeriut i cili mund të mos jetë fare politikan dhe shtetar por mund të jetë intelektual, krijues, shkencëtar, njeri i jetës publike me peshë dhe ndikim autoritativ në jetën publike. Personalisht më duket me shumë vlerë përkufizimi që i ka bërë autoritetit filozofi ynë Muhamdin Kullashi, sipas të cilit autoriteti është aftësi krijuese që çmohet, njerëz, fuqia e të cilëve lidhet me talent ose autoriteti i të cilëve mbështet në tipare të karakterit moral. Këta njerëz çmohen për faktin se kualitetet e tyre perceptohen si vlera që ushtrojnë ndikim. Fjalët e tyre kanë peshë, edhe pse ata nuk kanë pushtet politik. (M. Kullashi, Gjurmë dhe pyetje, f 220)
Nga mënyra si funksionon shoqëria e bazuar në sistemin e ri të vlerave që krijon paraja dhe ekonomia e tregut të krijohet idea se koha moderne nuk e vlerëson praninë dhe vlerën e autoritetit. Madje duket se edhe koncepti i autoritetit nuk ka hapësirë ekzistence dhe as kushte sociale të vlerësimit të njeriut me autoritet. Por megjithë tronditjen që ka pësuar koncepti, madje edhe pse ka patur dhe ka shumë skepticizëm për praninë dhe rolin social të njeriut autoritar, besoj se edhe koha moderne edhe pse më e lirë dhe liberale në thelb, përsëri ndihet se ka nevojë për autoritetet e veta.

Në pamje të parë shoqëria jonë nuk është e përgatitur, për të reaguar në mënyrë adekuate dhe qytetare ndaj fenomenit demokratik të krizës së autoriteteve. Vlera e të cilëve në kohën tonë jo vetëm është ulur por dhe ka sjellë fragmentime të lidhjeve sociale, të sistemit të vlerave, besimeve të mëdha tradicionale, të cilat duket se e kanë çoroditur njeriun e zakonshëm që është mësuar të ndërtojë tipologjinë e jetës personale duke qenë i diktuar patjetër nga autoriteti ideologjik, politik, moral, fetar, estetik, etj. Antiautoritarizmi i kohës së sotme në shoqërinë shqiptare, shfaqet në prirjen e thellë liberalizuese të jetës dhe të marrëdhënieve midis njerëzve. Por kjo tendencë nuk është e barabartë as me prirjet sociale anarkike, as me tendencat amorale dhe kundërintelektuale të cilat janë bërë fenomene me peshë në jetën e shoqërisë së sotme shqiptare.
Natyrisht, nuk është e lehtë që sot në këto kushte dhe në këtë nivel të zhvillimit të demokracisë dhe qytetërimit tonë, të mund të pretendojmë se mund të ecim individualisht secili në rrugën e tij pa patur nevojën orientuese të sistemeve të vlerave të përbashkëta , të autoriteteve sociale të merituara. Prirjet individuale anti-autoritariste nganjëherë e kalojnë kufirin e sjelljes sociale të nevojës së disiplinës qytetare. Ne vërtetë që nuk kemi më nevojë për autoritete totalitare dhe ndikime trasedentale, që nuk janë të natyrshme dhe përgjithësisht në

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›