E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë belgë vizitojnë RTSH Korça. Prapaskenat e televizionit zgjojnë interesin e të rinjve

Një grup të rinjsh nga Belgjika vizituan RTSH Korça, ku patën mundësinë të njihen nga afër me punën që zhvillohet në televizionin publik rajonal.

Gjatë vizitës, ata panë studiot e emisioneve dhe të lajmeve, u njohën me procesin e realizimit të programeve televizive, si edhe me pajisjet teknike që përdoren në përgatitjen dhe transmetimin e tyre.

Për shumë prej tyre kjo ishte hera e parë që vizitonin një televizion, çka e bëri eksperiencën edhe më interesante.

 “Nuk kam qenë më parë në një televizion. Është shumë bukur këtu, sepse zbulova gjëra të reja, shumë interesante. Më pëlqyen më shumë studiot ku pamë të gjitha sfondet e emisioneve dhe kamerat. Është vërtet shumë bukur”, tha një prej tyre.

Përshtypje pozitive la edhe atmosfera e punës në RTSH Korça, e cila, sipas vizitorëve, ndryshon nga ajo që ata kanë parë në Belgjikë.

“Është bukur për mua që pata mundësi të shoh këtë televizion këtu në Shqipëri, sepse në Belgjikë është ndryshe dhe këto diferenca janë shumë interesante. Më pëlqyen veçanërisht njerëzit, sepse dukeni shumë të lumtur me punën që bëni dhe krenarë për televizionin tuaj. Është shumë e këndshme të shohësh një gjë të tillë”, tha një i ri belg.

Vizita u zhvillua në kuadër të aktiviteteve njohëse dhe kulturore që grupi i të rinjve po zhvillon në Korçë, duke u ofruar atyre mundësinë të njihen me institucionet dhe jetën kulturore të qytetit.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›