E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë dhe politika

imagesNga Flogert Muça

Jetojmë në një shoqëri ku problemet skanë të sosur. Një pjesë e mirë e së ardhmes sonë, padyshim që varet nga ne të rinjtë. Ne duhet medoemos të tregojmë se jemi një pjesë tepër e rëndësishme vendimmarrëse për fatin e vendit, e kjo e treguar në disa drejtime, siç është votimi dhe kërkesa e llogarisë ndaj të zgjedhurve për të na shërbyer. Por që të jesh i suksesshëm, më parë duhet të dish mirë së çështë e jotja, e kjo varet nga disa faktorë ku ne të rinjtë duhet të ingranohemi më shumë.

-Të rinjtë dhe politika

Çdo ditë e më shumë flitet për politikë, për programe, bëhen premtime pafund, bëhet demagogji e pamasë e ajo që mbetet në fund, të paktën gjer më sot, për ne të rinjtë është: asgjë presje diçka, siç shprehej në librin e tij një politikan i suksesshëm (Edi Rama në librin Kurban”). Më shumë se cilido individ tjetër në shoqëri, jemi ne të rinjtë që duhet të merremi me politikën dhe politikanët, pasi çdo ditë ajo dhe ata merren me fatin tonë, me djersën e prindërve dhe gjakun e paraardhësve tanë. Ata kanë në dorë fatin tone në një farë mënyre, por për fat të keq, rinia shqiptare shumë pak e kupton këtë ose, të paktën kështu hiqet.

Në shoqëritë perëndimore të rinjtë mund të mos merren dhe aq shumë me politikë, por duhet te kemi parasysh se ata i kanë kaluar fazat e tranzicionit. Ata jetojnë në vende ku meritokracia ka udhë të hapura dhe svihet ne asnjë moment në dyshim. Ata jetojnë në ato vende ku ligji sundon, e drejta udhëheq dhe të zgjedhurit shërbejnë në të mirë të vendit pa guxuar të luajnë me vullnetin e popullit. Të rinjtë në vendet ku ne aspirojmë të integrohemi, e dinë mirë që vota e tyre është vetë fati i tyre, është ëndrra e tyre, është shërbimi që do i kthehet nesër nga klasa politike. Ata të rinj janë aq të motivuar sa shteti s’guxon te luajë me ta, por përkundrazi investon tek ata më të mirën e mundshme pasi, e duan vendin e tyre, të ardhmen më të mirë, shtetin e barabartë e zhvillimin e shoqërisë. Këta të rinj të cilëve jo pa qëllim unë po ju referohem, janë mendjehapur dhe përballë interesit të tyre të përgjithshëm s’vënë kurrsesi indiferencën.

Në vendin tonë ishte po kjo rini me ëndrra, me dëshirë për liri, me zjarrin në deje për një Shqipëri si gjithë Europa, e cila 2 dekada më parë arriti të thyente diktaturën mbytëse. Ishin ata të rinj me ide të reja e vizion të ri që u morën me politikën e politikanët duke sjellë demokracinë që sot jetojmë, por që spo dimë ta ruajmë dhe aq mirë mesa duket.

Politika është një alternativë që na parashtrohet, është një rrugë që na propozohet e që lidhet pazgjishmërisht me fatet tona, me mënyrën se si neve do na udhëheqin e çështë më kryesorja, drejt çrruge na udhëheqin. Drejt rrugëve ku neve na mbyllet çdo rrugë, apo drejt rrugëve ku na çilen pafund mundësi? Kjo varet nga ajo që ne zgjedhim, nga vullneti ynë i thënë me Votë. Por tek e fundit, në mos u mbajtshin premtimet, e udhës është të kërkojmë llogari me çdo mjet na lejon sistemi. Këtë e bën një shoqëri e emancipuar, me një rini të ndërgjegjshëm, kurajoze dhe të gatshme për tu marrë çdo ditë me politikat që ndiqen ndaj tyre dhe me politikanët që veprojnë.

Unë merren me politikën, por kjo s’do të thotë se unë jam politikan. Unë jam një i ri që studioj, por që s’gjej dot punë, jam një i ri që votoj, por që më dhunohet vota, jam një i ri që kam ëndrra, por që më janë vrarë nga politika e derimësotme. Pra, dhe të mos dua unë të merrem me politikë është ajo që merret çdo ditë me mua. Kjo smë ndodh vetëm mua, kjo na ndodh të gjithë neve, e gjer në momentin që ne do rrimë indiferentë ndaj gjithçkaje na ndodh përreth, e ardhmja do jetë aspak premtuese.

-Të rinjtë dhe arsimi

Teksa politika merret çdo ditë me ne, e me bindjen se ne duhet të merremi po ashtu pambarimisht me të, duhet te kemi parasysh se një element kyç për një rini dinjitoze është arsimi. Një arsim i mirë është po ashtu një politikë e mirë, një alternativë e mire, një rrugë shpresëdhënëse. Me arsimin publik merret shteti, pra merren ata politikanë që ne i zgjedhim me Votë duke shprehur besimin tonë, vullnetin tonë e për rrjedhojë, lidhim kontratën tonë qeverisëse me politikat që do ndiqen. Një arsimim i mirë do të thotë një shoqëri e shëndoshë.

Por ç’ndodh tek ne? Në vendin tonë meritokracia as si fjalë s’përmendet më nga pushteti, e është vetëm opozita që nga ana e saj ka një program serioz, (ndoshta i pari deri më sot në Shqipëri) që premton realisht konkurrencë të ndershme e punë sipas kapacitetit , jo mikut e ryshfetit. Ka plot raste ku injoranca udhëheq e ku të rinjtë përbuzen. S’do mjaftonte një shkrim për ti përmendur, por që institucionet e dinë fare mirë këtë fenomen regresiv. Pra, nevojitet arsimim real, për një shoqëri që ecën përpara. E kundërta ndodh me injorancën, e cila mbjell vetëm regres, e ku kushdo mund të të tërheqë për hunde vetëm se ai dikushi ka pozitat politike ta bëjë një gjë të tillë.

Jo, kjo sduhet të ndodhi e duhet votuar masivisht që të mos ndodhë. Të rinjtë mësojnë çfarë ju jepet shabllon, me pamundësi zhvillimi e me mungesë të theksuar kushtesh për mësimmarrje. Aty ku mendimi kritik është thjeshtë një utopi e konformizmi është ulur këmbëkryq, s’mund të kemi gjë tjetër veç regresit progresiv.

Ndaj, të rinjtë duhet të zgjohen, qoftë duke u bërë anëtarë të një forumi politik, qoftë si shoqëri civile, qoftë si OJQ, por me synimin e përbashkët për të kthyer sistemin në shinat e tij. Të merremi me politikë, politikanë, politikat që ndiqen, është e vetmja rrugë për ndryshimin e asaj që të gjithë se pëlqejnë, por askush sngrihet ta ndryshojë.

Të jemi aktivë, që të paktën pas afro 100 vjetësh Faik Konicës ti tregojmë se jo, në Shqipëri ka të rinj dhe sështë më siç ishte në kohën e tij kur shprehej se: Nuk ka të rinj në Shqipëri, veçse disa kanë lindur më shpejt disa më vonë, por gjërat kanë ndryshuar për mirë. Kjo arrihet me armën që na jep Kushtetuta dhe demokracia, arrihet me VOTE!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›