Të rinjtë e Kuvendit Civil: Berisha e Volfart e kishin bërë me fjalë kur folën për plehrat

Qytetaret e Shkodres firmosin peticionin kunder importit te plehrave
Të rinjtë e Kuvendit civil kanë reaguar pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorit të prezencës së OSBE për ligjin e importit të mbetjeve.
Dëgjuam me vëmendje sot kryeministrin e vendit Sali Berisha dhe ambasadorin e OSBE-së, Eugene Volfarth. U duk sikur të dy kishin biseduar më parë për çfarë do flisnin dhe nga do flisnin. Njëri nga një oaz plehrash në veri të vendit ku thuhet se po ngrihet landfill dhe tjetri nga poltroni ku komandon deputetët e tij të dëgjueshëm. Kryeministri pretendon se plehrat do monitorohen në import dhe se asnjë prej mbetjeve nuk përbën rrezik, siç dhe BE ka hartuar listën. Jo zoti kryeministër, ne dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, shoqëria civile, apo intelektualët, nuk kërkojmë listën e plehrave apo 50-shen e elementëve. Ne duam një gjë dhe vetëm një gjë, të mos na sjellësh asnjë lloj plehre nga jashtë. Boll kemi plehrat tona, plastik, qelq apo llamarinë qofshin. Nëse je burrë ashtu siç pretendon se je, por me veprime ke treguar se nuk je i tillë, mos e kalo atë ligj përsëri në parlament, pasi historia do ju gjykojë rëndë për veprimet që do ndërmerrni. Ju mbase keni vendosur të mos jetoni më në Shqipëri dhe kjo nuk ka rëndësi, por shqiptarët do jetojnë, do ushqehen dhe do pinë ujin e kësaj toke që ju po e helmoni me landfille e plehrat e gjithëkundit, thuhet në deklaratën e të rinjve.
Kurse për zotin Volfarth, kemi vetëm një sugjerim. Nëse ligji sipas tij është demokratik dhe mbron ambientin, merrini plehrat e botës dhe çojini në vendin tuaj zoti ambasador. Shqipëria nuk ka nevojë për ambasadorë që merren me asortimente ushqimoreje, po për diplomatë që transmetojnë vlera dhe që kanë çfarë të na mësojnë. Nëse ju dhimbsen plehrat e botës dhe në veçanti të Napolit, jeni i lirë ti merrni, por jo në Shqipëri. Do të ishte mirë të korrigjoheshit në deklaratë, sepse historia nuk ka nevojë për politikanë e diplomatë honorarësh, po për burra të vërtetë shteti.
Ndërkohë sot Kuvendi Civil ka qenë në qytetin verior të Shkodrës, ky qindra qytetarë shkodranë i thanë JO Importit të plehrave. Në ditën e pestë të peticionit aktivistët e Kuvendit Civil u vendosen në qytetin e Shkodrës, kryeqendrën e veriut, ku filluan shpjegimin e nismës dhe ftuan qytetaret shkodran të bashkoheshin me nismën tonë dhe të firmosnin peticionin kundër importit të plehrave. Si dhe në çdo qytet tjetër qytetarët shkodran të pajisur me kulturën e tyre të dallueshme mbështeten përzemërsisht peticionin anti-plehrë dhe firmosën këtë nisëm kombëtare për të mirën e atdheut.