E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë hedhin gurë te selia e Kuvendit dhe drejt 3 ministrive, përplasje me Policinë

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Studentët pas përplasjes me Policinë tek Rruga e Durrësit, ku ndodhet edhe Ministria e Arsimit, janë drejtuar drejt godinës së Kuvendit.

Gjatë përshkimit të rrugës tek Ministria e Ekonomisë, ata shkelmuan dhe thyen një prej dyerve të ministrisë.

Disa prej protestuesve kanë dëmtuar kamerat e sigurisë që ndodhen në Rrugën e Elbasanit. Ndërkohë, Policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve që ndodhen përpara Kuvendit të cilët ishin duke goditur me gurë.

Protestuesit gjithashtu kanë qëlluar me gurë drejt godinës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Po ashtu, të rinjtë u ulën në rrugë duke bllokuar qarkullimin rrugor pranë kësaj ministrie. 

Një pjesë e të rinjve bllokuan plotësisht Rrugën e Elbasanit duke mos lejuar kalimin e automjeteve, përveçse një ambulance.

Protestuesit e maskuar shkatërruan një bankomat pranë Katedrales së Shën Palit duke përdorur një tabelë rrugore, si dhe një kioskë në kryqëzimin e “Rrugës së Elbasanit”.

Policia përdorimi spray-t me piper dhe ujë me presion duke arritur të zhbllokojë rrugën te Ministria e Infrastrukturës.

Pas përplasjeve para Kuvendit, protestuesit janë rikthyer në Rrugën e Durrësit duke goditur me gurë policinë. Kjo e fundit është përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës duke shpërndarë të rinjtë.

Të rinjtë kanë bojkotuar edhe sot mësimin duke iu përgjigjur thirrjeve për protestë në ditën e tretë në Tiranë.

Situata e krijuar nga protesta ka sjellë bllokim të rrugëve kryesore në kryeqytet, ndërkohë që në terren ndodhen forca të shumta të Policisë, të cilat kanë marrë masa për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e dëmtimeve të objekteve.

Protestuesit marshojnë drejt Kuvendit, foto: Florian Abazaj 1 nga 23

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›