INSTAT: Të ardhurat mesatare mujore për frymë u rritën me 10,5% në vitin 2025

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë në vend arritën në 56,487 lekë në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 10,5% krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa treguesit e rrezikut të varfërisë dhe privimit material e social shënuan përmirësim.
Sipas Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës 2025, publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), të ardhurat mesatare mujore u rritën nga 51,122 lekë në vitin 2024, duke reflektuar ecurinë pozitive të këtij treguesi të nivelit të jetesës.
INSTAT bën të ditur se rreziku për të qenë i varfër zbriti në 19%, nga 19,2% në vitin 2024. Ndërkohë, shkalla e thelluar e privimit material dhe social u ul në 31,2%, nga 32,8% një vit më parë.
Përmirësim u shënua edhe në treguesin e popullsisë në rrezik varfërie ose përjashtimi social, i cili zbriti në 39,4%, nga 40,5% në vitin 2024, me një rënie prej 1,1 pikë përqindjeje.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një ecuri pozitive për grupmoshën e fëmijëve nga 0 deri në 17 vjeç, ku rreziku për të qenë i varfër shënoi uljen më të madhe, me 0,4 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Për grupmoshën 18-64 vjeç, ky tregues zbriti në 18,5%.
Një rol të rëndësishëm në mbështetjen e mirëqenies së familjeve vijojnë të kenë transfertat sociale, veçanërisht pensionet e pleqërisë dhe familjare. Sipas INSTAT-it, përfshirja e pensioneve në të ardhurat e familjeve ndihmoi në uljen e normës së rrezikut të varfërisë nga 35,9% në 21,9%.
Ndërkohë, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person u rrit në 349,565 lekë në vit, nga 324,336 lekë në vitin 2024.
Në drejtim të shpërndarjes së të ardhurave, koeficienti Gini u vlerësua në 30,37%, nga 29,83% një vit më parë, duke treguar se pabarazia në të ardhura mbetet një sfidë për përmirësimin e mëtejshëm të mirëqenies.
Anketa e INSTAT-it ofron të dhëna për të ardhurat familjare, varfërinë relative dhe përjashtimin social, duke shërbyer si bazë për vlerësimin e nivelit të jetesës dhe hartimin e politikave për mbështetjen e familjeve dhe uljen e varfërisë.
/e.xh/j.p/