Të rinjtë nuk njohin etërit
Qendra e Studimeve Albanologjike sensibilizon autoritetet dhe njerëzit e fushës që të ndiqet një politikë editorie dhe për programet mësimore ndaj korpusit të veprave të mendimit shqiptar 1870-1945
"Në ka ndonjë gjë për të cilën shqiptarët duhet të kujdesen, është dituria", - shkruante në fillim të shekullit të 20-të At Anton Harapi dhe ky nuk ishte një mendim vetjak, por mendimi i gjithë bashkëkohësve të tij intelektualë.
Me këtë frazë do të hapte dje konferencën "Mendimi shqiptar dhe shkolla shqipe", drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi. Një diskutim i studiuesve të sotëm për veprën dhe shkollën që kanë lënë të parët e tyre, Anton Harapi, Branko Merxhani, Eqerem Bej Vlora, Sami Frashëri, Ernest Koliqi, Faik Konica, Fan Noli, etj.
Të 17 referuesit sollën edhe një herë në vëmendje kontributin që këta autorë kanë dhënë në letrat shqipe dhe rëndësinë që ka studimi i veprës së tyre.
Shqetësimi mbetet për të gjithë i njëjti: "Brezat e sotëm nuk e njohin këtë mendim". Gjatë fjalës së hapjes, drejtori i QSA-së, Ardian Marashi, u shpreh se "Duke zbuluar shkollat perëndimore ne po zbulojnë spontanisht mendimin shqiptar".
I këtij mendimi ishte edhe studiuesi dhe botuesi Ndriçim Kulla, kur theksoi se "dijet botërore nuk mund të përvetësohen pa u shartuar me mendimin shqiptar". E thënë ndryshe, gjithë informacioni shkencor dhe kulturor që qarkullon sot në botë, nuk mund të vijë në gjuhën shqipe thjesht i përkthyer, por duhet të ketë një strukturë të mendimit shqiptar që ta përcjellë.
Për të ilustruar këtë tezë, ai mori si shembull problemet dhe temat që ka trajtuar shtypi shqiptar në vitet '30-të. "Gazetaria e viteve '30-të u bazua në studimet psikologjike më të njohura të kohës.
Shpjegoi se ç'ishte filozofia, sociologjia, etj. Pasqyroi rrymat e mendimit bashkëkohor që qarkullonin në atë periudhë", - tha Kulla, duke shtruar pyetjen, "A gjendet një mendim i tillë sot në shtypin shqiptar"?
Kulla nuk ishte i vetmi që vuri në dukje përpjekjet e mëdha të intelektualëve shqiptarë për të qenë në koherencë me mendimin evropian.
Studiuesi Arbën Xhaferi hodhi një vështrim krahasues, duke vënë përballë dy rryma të mendimit dhe lëvizjeve kulturore; neoshqiptarizmin me homologen serbe, zenitizmin. Ai theksoi se shqiptarët, në ndryshim nga serbët, në mënyrë të qartë ishin më afër frymës perëndimore. Ai e cilësoi neoshqiptarizmën një organizëm të shëndoshë e me baza të pandashme.
Të kundërtën do të thoshte për zenitizmin. Nëse në Evropën e asaj kohe qyteti ishte qendra e zhvillimeve politike, ekonomike dhe kulturore, tjetër mendim përhapte zenitizmi, i cili e gjente bërthamën e zhvillimit jo në qytet, por në fshat.
Madje ai shtoi së zhvillimet kulturore, në vend që të kenë një zhvillim kah Perëndimi, ekziston tendenca për të kundërtën.
"Zhvillimet po anojnë më shumë nga bota Lindore".
Përpjekjen e mendimtarëve për të ndjekur modelet evropian do ta theksonte edhe studiuese Sabri Hamiti. Kumtesa e tij ishte përqendruar në punën e Krist Malokit, kritikut shqiptar të lindur në Prizren.
Një nga autorët e parë që krijoi një metodë (në atë kohë ishte një nevojë dhe jo një luks), sipas të cilës mund të ndërtohej një kritikë mbi baza shkencore. Sipas Hamitit, Maloki operoi sipas metodës gjenetike, e cila u referohej më shumë vepra biografike të autorëve.
Një vend të veçantë në historinë e mendimit shqiptar të viteve '30-të zënë edhe studentët e shkollës pedagogjike "Normale" të Elbasanit dhe revista e tyre "Normalisti". Ai që u ndal në kontributin e kësaj reviste dhe të krijuesve të saj ishte rektori i universitetit "Aleksandër Xhuvani", Liman Varoshi.
Kulmin e zhvillimit të mendimit të kohës ai cilësoi krijimin e revistave me profile të caktuara, një prej të cilave ishte edhe revista pedagogjike-letrare "Normalisti", ku studentë dhe pedagogë mbollën idetë e tyre.
"Temat që janë trajtuar mbartin vlera shkencore. Aty mund të gjeje ese të ndryshme me tema shkollore, pjesë nga historia botërore e arsimit dhe, mbi të gjitha, modele për ndërtimin e një ore mësimi apo për folklorin, letërsinë, etj", - tha Varoshi.
Drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika, u ndal në grupin e të rinjve të viteve '30-të dhe Enti Kombëtar "Djelmëria Shqiptare". Një organizatë kulturore, e cila u mundua të gjallëronte jetën në Shqipëri, kryesisht nëpërmjet sportit. Ajo që tingëlloi më aktuale në fjalën e drejtoreshës së Arkivit ishte citimi i artikullit të shkruar nga Ismet Toto, "Afganistan apo Zvicër?".
Kjo pyetje u ngrit në vitin 1934 dhe përgjigja ishte Zvicër, e njëjta përgjigje që do t'i jepej edhe sot kësaj pyetje.
Kontributi që këta mendimtarë i kanë dhënë kulturës shqiptare është i madh.
Por mendimin e të gjithë pjesëmarrësve në konferencë, se ata nuk njihen mjaftueshëm nga brezat e rinj, do ta përmblidhte studiuesi Enver Muhametaj në kumtesën "Rreth kritereve shkencore dhe pedagogjiko-didaktike të përfaqësimit të mendimit letrar shqiptar në programet dhe tekstet mësimore të shkollës sonë". Ai theksoi se duhet të shtohen përpjekjet për hulumtimin dhe botimin e programuar, në rrugë institucionale të trashëgimisë kulturore.
Pjesa me e madhe e saj, sipas Muhametajt, është e shpërndarë nëpër botime dhe gazeta të ndryshme, në arkiva të shteteve të ndryshme, vendase e të huaja, në arkiva private. Madje, edhe ata autorë që janë botuar gjatë periudhës së komunizmit nuk janë paraqitur në mënyrë të plotë.
"Botimi i veprës së disa personaliteteve nuk i është paraqitur i plotë lexuesit shqiptar dhe të huaj. Ai nuk është realizuar sipas kritereve shkencore", - shtoi Muhametaj.
Ai përfundoi se nxënësit dhe studentët duhet të njihen me traditën e mendimit shqiptar, dhe një gjë të tillë e ka në dorë politika.
Por përfaqësuesi i saj, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, u mjaftua duke thënë: "Besoj në kthimin dhe rikthimin tek etërit tanë të mendimit".
Çështja e panjohur e Fishtës
Në konferencën "Mendimi shqiptar dhe shkolla shqipe", studiuesi Shaban Sinani prezantoi një vepër të pabotuar të At Gjergj Fishtës. Bëhet fjalë për një traktat historiko-filozofik për çështjen kombëtare që Fishta ua drejtonte fuqive të huaja.
Titulli i tij është "Questione nacionale, questione catolica", është shkruar në gjuhën italiane dhe, sipas Sinanit, nuk i drejtohet lexuesit shqiptar, por të huaj. Në këtë traktat Fishta tregon se besimi i shqiptarëve është i cekët dhe shpjegon se si duhet të veprojnë katolikët.