Veliaj: Berisha, si Pinochet-i i Kilit
TIRANË- Një ditë pas publikimit të raportit të fundit të "Amnesty International", që shpreh shqetësimin për situatën e respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe për çështje të mbetura pezull si ajo e Remzi Hoxhës, ka reaguar lideri i G99-ës, Erion Veliaj.
Ai ka folur nga baza e vëzhgimit ajror në Vainit, ambientet e SHIK-ut, në ishullin e Lezhës, ku sipas dëshmive është torturuar Remzi Hoxha. "Jemi këtu për të kujtuar, për të mos harruar kurrë ato krime të rënda, autorët e të cilëve janë ende në pushtet. Shqipëria nuk mund të jetë si Kili i Pinochet-it apo Argjentina e Peronit.
Kjo Shqipëri e vjetër me politikanë të vjetër e kriminelë, duhet të ndryshojë jo sepse e kërkon "Amnesty International", apo edhe organizata të tjera ndërkombëtare, por sepse duhet rimëkëmbur dinjiteti i shqiptareve dhe duhet sjellë drejtësi për të gjithë ata familjarë që ende sot nuk e kanë të vërtetën mbi fatin e të dashurve të tyre",- tha Veliaj.