E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët: Nxënësit në shok, jo të helmuar

Grupi i nxënësve të shkollës së mesme të Kërçovës la Shqipërinë duke u rikthyer në qytetin e tyre


Sipas hetuesve të policisë dhe prokurorisë, analizat e gjakut dhe të ushqimeve pritet t'i japin fund dyshimeve të tyre


TIRANE- Nxënësit e vitit të tretë të shkollës e së mesme "Mirko Milevski" të Kërçovës, kanë pasur një shok psikologjik të krijuar nga lodhja dhe vetëm dy prej tyre mund të kenë pasur helmim.


Ky është konkluzioni tek i cili kanë arritur mjekët toksikologë të spitalit ushtarak në kryeqytet dhe të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ku u trajtuan nxënësit që kishin shfaqur shenja debulese gjatë konsumimit të ushqimit, pranë një lokali afër stadiumit "Qemal Stafa".


Një fakt i tillë është pohuar dje për gazetën "Shekulli", nga kreu i shërbimit të toksikologjisë në spitalin ushtarak, Dr. Zihni Sulaj.


Sipas Sulajt, tek nxënësit është vërejtur një gjendje shoku dhe goditjeje psikologjike. Sipas profesorit të njohur Sulaj, simptomat e paraqitura nga nxënësit nuk ishin të njëjta me ato të pacientëve me helmim me origjinë ushqimore.


Ndërkohë, kryetoksikologu i spitalit ushtarak pohon se analizat dhe kampionet e gjakut janë marrë dhe janë dërguar për analizime të mëtejshme në laboratorët përkatëse.


"Simpotmat që pacientët paraqisnin nuk ishin të afërta me ato të pacientëve me helmim me origjinë ushqimore. Shumë prej tyre kanë pasur një shok psikologjik të krijuar nga lodhja dhe udhëtimi i gjatë,- tha Sulaj.


Ndërkaq policia e Tiranës ka kryer veprime të mëtejshme hetimore, duke marrë deklarime të punonjësve të lokalit ku ishin ushqyer për herë të fundit nxënësit e Kërçovës.


Sipas vetë nxënësve, fakt që konfirmohet edhe nga Prokuroria e Tiranës, ata kishin blerë ushqime të përgatitura në një dyqan për ushqime të shpejta (fast- food) në qytetin e Durrësit, disa orë përpara se të nisnin të konsumonin pica në një restorant në qendër të Tiranës. Fillimisht dyshimet e policisë ishin se ata ishin helmuar pas konsumimit të ushqimit të blerë pranë restorantit, por duket se ky dyshim ka rënë.


Gjithsesi kampione të ushqimeve janë dërguar nga specialistët për të kryer analizat përkatëse pranë institucioneve të specializuara. Sipas burimeve të prokurorisë nga i gjithë grupi prej rreth 40 nxënësish të shkollës së mesme të Kërçovës që kishin ardhur për një eskursion në qytetet historike të Shqipërisë, vetëm dy vajza kishin simptoma që mund të dyshohej për helmim.


Pjesa tjetër, të gjendur në faktin se kishin konsumuar të njëjtin ushqim, janë gjendur nën shok psikologjik duke pësuar edhe humbje të ndjenjave dhe probleme të tjera.


Prokuroria pritet të marrë në pyetje gjatë ditëve në vazhdim pronarë të lokaleve ku kanë konsumuar ushqim nxënësit e Shkollës së Kërçovës si dhe pritet edhe përgjigja e analizave toksikologjike të kampioneve të gjakut si dhe të ushqimeve të konsumuara nga nxënësit.


Ndërkaq, gjatë mbrëmjes së të enjtes vonë, pasi kanë marrë të gjithë trajtimin e duhur shëndetësor dhe procedurat e marrjes së tyre në pyetje nga hetuesit e policisë, grupi i nxënësve të Kërçovës është nisur për t'u rikthyer në qytetin e tyre sipas programit që kishin.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›