Të rinjtë shqiptarë, në “I giovani, a pace”
Grupi i të rinjve artistë nga shkolla e mesme artistike “Jordan Misja” vlerësohet në Itali në konkursin ndërkombëtar të të rinjve “I giovani, la pace”. Në veçanti me çmimin e tretë vlerësohet vepra “Ëndrra kosovare”, e Fjorela Grezdës. Grupi i të rinjve shqiptarë drejtohej nga Ermir Grezda, ku pjesëmarrës ishin E. Doma, Shkëlzen Rrodhe, Albano Prifti dhe Fjorela Grezda. Në këtë aktivitet ishin mbi 50 shkolla nga vende të ndryshme të Evropës nën patronazhin e Institutit Kapofila I’SISS “Fabio Besta”, drejtuar nga prof. Carmelo Rugger. Ky aktivitet përfshinte gjininë e arteve figurative, teatrit, baletit etj., për të rinjtë, për solidarizimin e tyre ndërkombëtar. Ideja e rrjetit për paqen në Shqipëri përfshin Tiranën, Shkodrën, Durrësin, Elbasanin. “Ky aktivitet krijon mundësinë e bashkëpunimit midis institutit “Fabio Besta” në Treviso dhe liceut artistik “Jordan Misja” për ndihmën dhe bashkëpunimin në përsosjen e programeve të shkollës tonë artistike, në shkëmbime, në ekspozita dhe programe midis Italisë dhe Shqipërisë”, - thotë piktori dhe mësuesi i shkollës “Jordan Misja”, Ermir Grezda. Të rinjtë shqiptarë janë vlerësuar në veçanti, duke iu ofruar vizita njohëse në institute, muze, galeri të Italisë Veriore etj.
Re.Ku