Berisha ngre flamurin shqiptar në selinë e NATO-s
Flamuri shqiptar do të ngrihet sot në Bruksel me një ceremoni solemne përpara selisë së NATO-s. Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, dhe ambasadori Artur Kuko, u nisën dje drejt Brukselit për të marrë pjesë në ceremoninë e veçantë. Si kreu i delegacionit shqiptar, Berisha do të qëndrojë përpara trupës së nderit në momentin e këndimit të himnit tonë kombëtar dhe ngritjes përpara selisë së flamurit shqiptar.
Mësohet se në këtë ceremoni, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer, do të jenë të pranishëm 26 ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. Të pranishëm do të jenë edhe kroatët, të cilët do të përjetojnë të njëjtat emocione.
Mësohet se ceremonia do të nisë në mëngjesin e ditës së sotme, ku fillimisht Banda Ceremoniale e NATO-s do të luajë himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe himnin e NATO-s. Këtë ceremoni do ta përshëndesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hup Shefer dhe më pas, do të mbajnë fjalët e tyre të rastit Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Kroacisë, Sanader. Pritet që Kryeministri Sali Berisha të bëjë falënderimet për vendet aleate që mbështetën Shqipërinë të bëhej anëtare e NATO-s. Kryeministri Sali Berisha do të shprehë vullnetin e Shqipërisë për të punuar krah Aleancës për një botë më të sigurt. Sipas informacioneve, Kryeministri do të ketë takime dhe bisedime me personalitete të pranishme në këtë ceremoni. Në këto takime pritet të diskutohen më tej marrëdhëniet dypalëshe me shumë prej vendeve anëtare të NATO-s. Një pjesë e vendeve të NATO-s janë edhe anëtare në BE, një moment i veçantë ky, kur Shqipëria pritet të bëjë aplikimin për vend kandidat në BE. Delegacionet e Shqipërisë dhe Kroacisë kryesohen nga Kryeministri Berisha dhe Kryeministri kroat, Sanader, në përbërjen e të cilëve do të jenë edhe ministrat respektivë të Punëve të Jashtme dhe ambasadorët e të dy vendeve në NATO.
Hashim Thaçi uron Berishën për NATO-n
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, telefonoi Kryeministrin Sali Berisha, të cilin e uroi në emër të popullit të Kosovës për anëtarësimin e shtetit shqiptar në NATO. Në këtë telefonatë, Kryeministri Thaçi e vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si një ngjarje të madhe historike për Shqipërinë dhe për çdo shqiptar; si një ngjarje, të cilën po e feston mbarë populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që ata janë. Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Thaçi për urimin e tij të përzemërt dhe u shpreh se e ardhmja më e ndritur për Shqipërinë dhe shqiptarët është anëtarësimi i tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian.