Transplanti i veshkës; QSUT, Matilda lë spitalin
Mitilda Gode 19-vjeçare ka lënë dje pavijonin ku dy javë më parë iu nënshtrua të parit operacion transplanti veshke. Mjekët dhanë garancinë se ajo gëzon shëndet të mirë, çka vërteton edhe suksesin e operacionit të rrallë të realizuar në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. Sipas shefit të shërbimit të urologjisë, Mustafa Xhani, Matilda tashmë mund t'i rikthehet normalitetit. Një moment i veçantë ka qenë lënia e pavijonit për 19-vjeçaren nga rrethi i Korçës, e cila dy javë pas transplantit, është ringritur në këmbë, për të shpresuar në një jetë më të shëndetshme.
Bashkë më Matildën, është larguar nga ky pavijon edhe babai i saj, Ndreçi, i cili ishte dhuruesi i organit të së bijës. Ai shprehet se ndien t'i ketë dhënë vajzës jetë të dytë. Më tutje, mjeku nefrolog, Nestor Thereska, ka deklaruar se pacientja me organ të transplantuar do të jetë për 6 muaj në ndjekje të vazhdueshme nga mjekët, për të realizuar atë që njihet si trajtimi i post-transplantit, një periudhë kjo shumë delikate dhe që nuk duhet neglizhuar.
Matilda Gode ishte vajza e parë që iu nënshtrua transplantimit të veshkës në mjediset e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Reparti i nefrologjisë në këtë qendër ka bërë të ditur se brenda vitit do t`i nënshtrohen transplantit edhe pacientë të tjerë, ndërkohë që dhuruesit duhet të jenë pjesë e familjes, në mënyrë që të shmangen mundësitë e shitblerjes së organeve.
Ish-kinema “Dajti”
Rama inspekton punimet
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, inspektoi dje punimet në ish-kinema “Dajti”, rindërtimi tërësor i së cilës nisi pak ditë më parë, me qëllim kthimin e saj në një qendër komunitare, kryesisht në shërbim të grupmoshave të reja në kryeqytet. "Kjo qendër komunitare për grupmoshat e reja është vetëm një nga hallkat e një zinxhiri qendrash komunitare që kemi projektuar dhe po ndërtojmë dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë në të gjithë territorin e kryeqytetit, sepse është pjesë e politikës sonë të re për qytetin", - tha Rama. Sipas tij, "ish-kinema “Dajti”, nga një strukturë e degraduar tërësisht e një kinemaje të vjetër dhe të dalë jashtë përdorimit, po kthehet në një hapësirë të re komunitare, e cila do të jetë në shërbim të të rejave, të të rinjve dhe fëmijëve për aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike si dhe për të marrë mësime të ndryshme në fushat e krijimtarisë". Ish-kinema “Dajti” ndodhet në rrugën “Myslym Shyri”. Shërbimet që do të ofrojë kjo qendër, janë salla e kinemasë, salla e konferencave, ekspozita, salla e fëmijëve, studioja e regjistrimit, laboratori i artit pamor, salla e muzikës, e kërcimit, salla e internetit etj.
Urgjenca
ASHR: Të rajonalizohet
Organizimi dhe funksionimi i Urgjencës së Tiranës duhet të shkojë drejt rajonalizimit të dhënies së shërbimit shëndetësor. Shtrirja e madhe gjeografike e rajonit të Tiranës, që mbulon me shërbim kjo urgjencë, por dhe shtimi i popullsisë në numër, bën të pamundur dhënien e shërbimit në kohë me cilësinë e duhur qytetarëve. Drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj, tha dje: "Konceptimi i organizimit të urgjencës duhet të ndryshojë, duke shkuar drejt rajonalizimit në marrjen e këtij shërbimi shëndetësor, gjë që lidhet me vetë rëndësinë që ka ky shërbim". Organizimi i shërbimit të Urgjencës me ekipe shërbimi të ndara në disa rajone të Tiranës, është një ndër propozimet e ASHR-së për ngritjen dhe përmirësimin e dhënies së këtij shërbimi shëndetësor. "Nëse ne do të kemi një urgjencë në rrugën Ndroq –Tiranë apo një shërbim të rajonalizuar p.sh. një pikë në Kombinat, atëherë shërbimi do të ishte më i shpejtë dhe garancia për të shpëtuar jetë më e madhe", - thotë z. Gecaj. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë po punon për këtë projekt, duke mundësuar rajonalizimin e Urgjencës jo vetëm për Tiranën, por edhe për rajonet e tjera të vendit.