“Të rishikohet Kodi Penal”, Dumani: Hetime të reja për Veliajn, 21 janari është prioritet. SPAK nuk duhet mbyllur

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka reaguar në lidhje me debatin mes institucioneve të drejtësisë për draftin e Kodit të ri Penal. Gjatë një takimi me gazetarët, Dumani tha se Kodi aktual ka nevojë për ndryshime, por sipas tij, SPAK nuk është përfshirë në grupin e punës.
Dumani: Ky debat ka një rëndësi jetike për shtetin ligjor. Është normale të ketë diskutime. Por, debati i parë duhej të ishte nëse ishte e nevojshme një kod i ri, apo mjaftonte të punohej mbi kodin aktual. Unë personalisht besoj se ka nevojë për ndryshime. Për shembull, neni që lidhet me narkotikët duhet të diferencohet sipas sasisë dhe llojit të drogës.
Një tjetër çështje e nxehtë për të cilën u pyet Dumani ishte dhe dosja “Veliaj”. Për herë të parë kreu i Prokurorisë së Posaçme tha se në dosjen e kryebashkiakut të Tiranës ka një fraksion të ndarë për të cilin vijojnë hetimet. Nga ana tjetër Dumani nuk komentoi 7 pyetjet që Veliaj i parashtroi SPAK-ut një ditë më parë përmes një statusi në rrjetet sociale.
Dumani: Nuk u përgjigjemi të pandehurve. Ne reagojmë vetëm në rrugë ligjore, kur ka pretendime dhe kur paraqiten memo nga avokatët. Kjo është forma procedurale. Dosja “Veliaj” është ndarë edhe në një fraksion tjetër dhe po hetohen disa fakte penale.
Ndërkohë që në shtator nis punën parlamenti i ri, Dumani u pyet nëse i druhet ndryshimeve ligjore që mund të përdoren për të rishikuar kompetencat e prokurorisë speciale.
Dumani: Nëse politika vendos të bëjë ndryshime, apo që SPAK nuk është më i nevojshëm, apo të rishikojë pavarësinë tonë, kjo është një çështje që i takon politikës. SPAK u krijua edhe si rezultat i vullnetit të partnerëve ndërkombëtarë. Është institucioni më i besuar. Kemi ndërtuar këtë besim përmes 5 viteve e 8 muajve punë.
Dumani deklaroi gjithashtu se hetimi për 21 janarin është prioritet për SPAK./vizionplus.tv