E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ruajmë sistemin makroekonomik

"Projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 bazohet në disa shtylla dhe në një analizë realiste të ecurisë së zhvillimeve gjatë periudhës së krizës ekonomike globale, bazohet në tendencën e fundit dhe pritshmërinë për vitin 2012 që vendet e eurozonës programojnë", deklaroi Bode.

Sipas tij, për shkak të krizës globale 2009-2011 ekonomia shqiptare ka ndjerë presionet e pandërprera të krizës më të thellë prej më se një shekulli. Ai theksoi se p/buxheti do të mbështesë edhe politikat e qeverisë, rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë, duke bërë të mundur zhvillimin ekonomik. "Përtej këtij presioni, ekonomia shqiptare ka mundur të ruajë parametrat e saj në nivele të kënaqshme. Vijoi të rritej me një rritje mbi 3 % kundrejt një rritje mesatare në Evropën Qendrore dhe Lindore prej 0 %", tha kreu i financave publike.

Sipas ministrit të Financave, p/buxheti 2012 është një program konservativ. "Edhe pse është evidentuar nga shumë qëndrime në politikën shqiptare se borxhi publik po njeh rritje, mund t'ju them se borxhi publik përgjatë gjithë periudhës së krizës u rrit vetëm me 4.3 % të PBB krahasuar me nivelin 11 % në hapësirën e EQL", theksoi Bode. Ai bëri të ditur se në tërësinë e rritjes së borxhit prej 4.3 %, rreth 2 % janë zgjidhje të borxheve të vjetra të periudhës së komunizmit në një sërë vendesh, përfshirë edhe vendet e rajonit.  Ministri Bode tha se pavarësisht efekteve të krizës, të ardhurat kanë shënuar rritje edhe pse jo në ritmet e parashikuara nga qeveria.  Ritmi i të ardhurave përgjatë periudhës 2009-2011, theksoi Bode, prej rreth 5.3 % mesatarisht është dukshëm më i lartë se sa ritmi prej 2.9 % i rritjes që kanë patur 15 vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.  Ky trend pozitiv i rritjes së të ardhurave dhe ekonomisë në tërësi, sipas ministrit Bode, vijoi edhe në vitin 2011. "Rritja ekonomike parashikohet të jetë rreth 4 % gjatë vitit 2011 dhe në kushtet e një rritje të tillë ekonomike, programi makro-fiskal i paraqitur nga qeveria do të jetë tërësisht i mundshëm nga qeveria", u shpreh ministri i Financave. /Start/

                                                                                             2011-11-08 14:51
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›