Kriza ekonomike, 10% e emigrantëve shqiptarë në Greqi rikthehen në atdhe
Kriza financiare në Greqi e shoqëruar së fundi edhe me paiguritë që shton kriza politike ka rritur numrin e emigrantëve shqiptarë që rikthehen në atdhe për të ndërtuar jetën nga e para.
Numri i emigrantëve shqiptarë që emigruan në Greqi në dy dekadat e fundit varion nga 650 në 800 mijë. Shifrat zyrtare të botuara së fundi në shtypin e Athinës flasin për më shumë se 10 % të emigrantëve shqiptarë të rikthyer në atdhe. Ndërkohë që çdo ditë kjo përqindje rritet.
Për të gjithë ata që humbin vendet e punës, që nuk kanë asnjë mundësi për të jetuar dhe mbajtur familjet në Greqi, e vetmja zgjidhje që u mbetet është rikthimi në atdhe. Edhe pse pjesa dërrmuese e emigrantëve shqiptarë në Greqi punon në sektorin privat dhe në të zezë dhe jo në sektorin publik, që është më i godituri nga kriza, kriza ka trokitur edhe tek këta sektorë. Edhe pse niveli i ekonomisë informale në Greqi arrin në 26%, shifër shumë e lartë në krahasim me vendet e tjera anëtare të BE , që kanë ekonominë informale nga 8- 12 %, kriza ka tkurrur punen në të zezë./DW