E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shërojmë sëmundjen Blatter!

Në një artikull në revistën sportive amerikane “Sports Illustrated” me titull “Koha që dikush të rrëzojë Sepp Blatterin si drejtues i FIFA-s”, gazetari Grant Wahl njoftoi synimin e tij për të kandiduar kundër zviceranit. Blatter kërkon mandatin e katërt në krye të institucionit drejtues të futbollit botëror, në zgjedhjet që do të mbahen më 1 qershor. Wahl e ka përqendruar fushatën te fakti që është një i ri me potencial, duke përdorur parullën “Të shërojmë sëmundjen Blatter”.
 

Ai gjithashtu mohoi konkurrencën e mundshme të Mohamed Bin Hammam nga Katari, duke e cilësuar si një “person të brendshëm që kandidon për kreun e një institucioni që dëshpërimisht ka nevojë për një njeri të jashtëm”. Sipas Wahl, qeverisja e futbollit të sotëm ka nevojë për një reformim.
 

“U lodhëm së dëgjuari tifozët të ankohen për Blaterin, ndërkohë që askush nuk përpiqet të sjellë një alternativë tjetër”, thotë gazetari në artikullin e vet. “Ata që qahen kanë të drejtë, FIFA ka nevojë për ndryshim”.
Përkundër faktit që afati i fundit përkon me ditën e gënjeshtrave, në videon që shoqëron artikullin autori nuk harron të theksojë: “Nuk po bëj shaka”.
 

Gjithsesi, gazetari amerikan ka pak gjasa të fitojë dhe sipas medias vendase, ai mund të mbetet i kënaqur nëse ndonjë nga pikat e platformës së tij merret parasysh nga kandidatët në garë dhe bëhet pjesë e futbollit në një të ardhme të afërt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›