E Diel, 1 Nëntor 2026

"Të shqetësuar për korrupsionin, lirinë e medies, ndërhyrjen në çështjen “Gërdeci” dhe trafiqet"Nga John WithersSiç mund ta dini, çdo vit Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon nga Departamenti i Shtetit një raport mbi gjendjen e të drej

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

"Të shqetësuar për korrupsionin, lirinë e medies, ndërhyrjen në çështjen “Gërdeci” dhe trafiqet"Nga John Withers

Siç mund ta dini, çdo vit Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon nga Departamenti i Shtetit një raport mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në çdo vend të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Në shumë prej rasteve raporti është i modeluar për të nxjerrë në pah dhe dënuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në vende diktatoriale. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve raporti është i modeluar për të dhënë një kritikë konstruktive ndaj hapësirave ku të drejtat e njeriut kanë nevojë për përmirësime.

Raporti i fundit rreshtoi një sërë problemesh që në Shqipëri ende duhen adresuar. Më lejoni që t’ju paraqes një listë jo të plotë, por disa shembuj të problemeve që vazhdojnë të na shqetësojnë. Për herë të parë administrata Obama ka nxitur që raporti i të drejtave të njeriut të adresojë dhe analizojë gjendjen e korrupsionit kudo në botë, në një mënyrë të cilën ne nuk e kemi bërë më parë.

Kam thënë në raste të ndryshme, ashtu si kolegët e mi ambasadorë, që korrupsioni mbetet një nga problemet më serioze, me të cilin Shqipëria ndeshet në çdo nivel të shoqërisë së saj.

Një tjetër element, një tjetër çështje, së cilës ju mund të doni t’i kushtoni vëmendje, është pavarësia e institucioneve demokratike, veçanërisht e gjyqësorit. Ndërhyrja politike, si ajo në gjykimin e çështjes së Gërdecit, është një lloj ndërhyrjeje që ne shpresojmë të mos bëhet e zakonshme në Shqipëri.

Një tjetër çështje është ajo e lirisë së medies. Së fundmi patëm rastin fatkeq të një gazetari, që, me sa duket, u sulmua, sepse shprehu pikëpamjet e tij në shtyp. Një incident i tillë nuk mund të tolerohet.

Një nga dhunimet më tragjike të të drejtave të njeriut është trafikimi i qenieve njerëzore, i cili i privon qeniet njerëzore, sidomos gratë, nga dinjiteti dhe liria e tyre.

Edhe dhuna në familje është një problem tjetër serioz. Presidenti Obama dhe Sekretarja Klinton kanë nënvizuar faktin që dhuna brenda familjes, përveçse një çështje mbi gratë, është edhe një çështje e të drejtave të njeriut. Në vendin tim ka pasur një histori të gjatë diskriminimi të bazuar në etninë dhe racën.

Diskriminimi kundrejt pakicave tuaja etnike, sidomos asaj rome, është diçka që unë shpresoj se do ta hetoni me drejtësi.

Si pjesë të listës sime unë do të rendis edhe nevojën për të përmirësuar të drejtat e homoseksualëve në Shqipëri. Kryeministri Berisha është angazhuar në miratimin e ligjit mbi antidiskriminimin. Ne e përgëzojmë për këtë, pasi ky do të jetë një hap i rëndësishëm në të drejtat e homoseksualëve në Shqipëri.

Historia ka treguar se demokracitë, demokracitë e vërteta, ndonëse jo të përsosura, bëjnë një punë më të mirë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut se çdo sistem tjetër politik. Dhe kjo ndodh, sepse institucionet demokratike dhe proceset demokratike ofrojnë institucionet dhe mekanizmat, që grupe të ndryshme të kanalizojnë ankesat e tyre e si rrjedhim, të ndihmojnë në arritjen e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë.

Angazhimi juaj për të ndërtuar dhe mbrojtur institucione dhe procese të tilla do të jetë shumë i rëndësishëm për qëllimet që do doni të arrini. Një Zonjë e Parë, e cila nuk jeton më, Eleanor Roosevelt, përfaqësuesja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, e quajti rolin që pati në hartimin e deklaratës universale të të drejtave të njeriut si një nga arritjet e saj më të mëdha. Ajo besonte se, jo vetëm qeveritë dhe politikat e tyre, por të gjithë ne, në jetën tonë të përditshme, jemi përgjegjës për ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe ruajtjen e dinjitetit njerëzor. Unë mendoj se ne mund të frymëzohemi nga fjalët e saj. Ms. Roosevelt ka thënë: “Në fund të fundit, ku nisin të drejtat e njeriut? Në vende të vogla, pranë shtëpive, aq pranë dhe aq të vogla sa nuk mund të gjenden në asnjë hartë të botës. E megjithatë ato janë bota e secilit prej nesh, lagjja ku jetojmë, shkolla apo universiteti që ndjekim, fabrika, ferma apo zyra ku punojmë apo cilido vend tjetër, ku çdo grua, burrë dhe fëmijë kërkon të drejta të barabarta, mundësi të barabarta, dinjitet të barabartë, pa diskriminim. Nëse të drejtat e njeriut nuk kanë kuptim aty, atëherë ato nuk kanë kuptim në asnjë vend tjetër. Pa veprim qytetar të bashkërenduar, për të ruajtur të drejtat e njeriut pranë nesh, është e kotë që të kërkojnë zhvillim në botën e madhe.” Këto fjalë të Roosevelt-it, të thëna më shumë se 60 vjet më parë, kanë po aq rëndësi sot sa kishin edhe kur ajo i shqiptoi për herë të parë. Sepse ajo nuk flet për një ngjarje të kaluar, ajo nuk flet për ndonjë përjetim historik të shumë kohëve më parë. Znj. Roosevelt flet për të gjithë ju. Dhe për këtë arsye unë e përgëzoj nismën tuaj dhe jam i sigurt që ju do ta vazhdoni këtë përpjekje bashkëpunimi, nga e cila Shqipëria do të përfitojë shumë.

* Fjalimi i mbajtur nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, John L. Withers II, gjatë Konferencës mbi të Drejtat e Njeriut

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›