Të shtyhet liberalizimi i energjisë

Kërkohet përsëri shtyrje e afateve të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. 11 organizata, që flasin në emër të bizneseve që përfaqësojnë, i kanë kërkuar qeverisë që të dalin në tregun e parregulluar në vitin 2023 dhe kërkojnë kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Materiali është përgatitur nga gazetari Bardhi sejdarasi.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i është përgjigjur pozitivisht kërkesë së 11 organizatave të biznesit, me përfaqësues të Dhomave të Industrisë Prodhuese dhe Investitorëve të Huaj, Shoqatave Profesionale dhe ekspertëve të fushës, që kërkojnë takim me qeverinë për të diskutuar lidhur me shtyrjen e afatit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Televizioni shqiptar është në dijeni të kërkesave thuajse ultimative të disa organizatave përfaqësuese të biznesit që kërkojnë shtyrjen e afatit për daljen në tregun e parregulluar të 7400 subjekteve sipërmarrese, të cilat aktualisht furnizohen me energji nga operatori publik, deri në vitin 2023. Kjo kërkesë shoqërohet me shtyrjen me një vit të vendimarrjes së ERRE për rritjen e tarifave të aksesit dhe transmetimit, sipas propozimit të OSSH- së dhe OST-së, që do të realizojnë një dëgjesë publike në datën 29 dhjetor të këtij viti.
Duke analizuar tregun e energjisë, ekspertët e sipërmarrjes kanë konkluduar 75% e energjisë në vend prodhohet nga hidrocentralet me kosto 1,2 lek. Për ketë arsye qeveria mund të liberalizojë diferencën 25% dhe energjia në këtë diferencë t’i shitet subjekteve me çmim tregu. Çdo veprim tjetër është abuziv, thuhet në një njoftim të shpërndarë nga disa organizata biznesi. I njëjti grupim ka kërkuar që qeveria duhet të miratojë një instrumenti financiar kompensues për zbutjen e efektit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për sipërmarjet që furnizohen në tregun e parregulluar, deri sa të stabilizohet tregu ndërkombëtar.
Në analizë të kërkesave të biznesit përmendin edhe efektet që do të ketë ky liberalizim i planifikuar për janarin e vitit 2022. Sipas tyre, rritja 300 – 400 % e cmimit të energjisëelektrike do të sjellë rritje të kostos së prodhimit e cila sjell rritje të paevitueshme të cmimeve produkteve vendore në treg, e cila rrjedhimisht sjell një rritje të mëtejshme të inflacionit. Rritja e kostove të prodhimit sjell uljen e konkurrueshmerisë së produkteve vendore, duke humbur pozicionin në treg dhe duke u zevendësuar nga produktet e importit dhe si pasojë uljen e prodhimit, uljen e punësimit, uljen e eksporteve, uljen e kontributeve dhe taksave, shkruajnë bizneset që kanë kërkuar një takim me përfaqësuesit e qeverisë, takim që është pranuar nga kreu i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.