Të verbërit: Azili politik në Belgjikë, shkak i dështimeve të ministrit Ksera
Tiranë- Shoqata e të Verbërve përmes një deklarate për shtyp sqaron se nuk ka asnjë lidhje me personat që kërkojnë azil politik në Belgjikë.
Të verbërit e Shqipërisë, pjesë e shoqatës, thonë se fenomeni po ndodh si pasojë e dështimit të Ministrisë së Punës.
Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë do të vazhdoj të përdorë që të gjithë mjetet demokratike të ligjshme pa u epur deri sa të rikuperojë plotësisht dëmet e shkaktuara nga politikat e papërgjeshme të Ministrisë së Punës Z. Ksera duhet të pyesi veten se përse në radhët e të ikurve ndodhet mbështetësi i tij kryesor në tryezën e 23 Prill që u abandonua nga Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar,-thuhet në deklaratë.
Më tej në deklaratë thuhet se shoqata nuk i inkurajon edhe as nuk mbështet largimin nga Shqipëria të askujt.
Shqiptarët e kanë vëndin në Shqipëri dhe duhet të bëjnë çdo përpjekje për përmirësimin e jetës në vendin e tyre. Ne kuptojmë motivet e largimit të cilat janë pasojë e gjëndjes së pashpresë të krijuar gjatë viteve të fundit si rezultat i përkeqësimit të legjislacionit dhe të drejtave të tyre me eleminimin e shumicës së programeve mbështetëse,- përfundon deklarata e shoqatës.