E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranës i rikthehet Festivali i Filmit Shqiptar pas 5 vitesh mungesë

—-Nga Anisa Ymeri—-

Tiranë- Ishte viti 2006 kur në atë që sot është shndërruar në “Rrugën Pedonale” të kryeqytetit, zuri vend një tapet i kuq. Njerëzit e filmit në Shqipëri atë Nëntor, ecnin mbi këtë tapet nga Teatri Kombëtar deri në hyrjen e Kinema ‘Millenium’-it dhe kurreshtarët që shihnin aktorët e tyre të preferuar të parakalonin aty qenë jo të paktë.

Ishte një shenjë për të bërë në miniaturë edhe në këtë vend ku filmat shqiptarë e prodhuar në një vit numërohen me gishtat e njërës dorë. Por prej atëherë. Ai ishte edicioni i 12-të i “Festivalit të Filmit Shqiptar”. Pas 5 vitesh mungesë, ky festival i rikthehet Tiranës.

Janë 15 produksione kinematografike të pas vitit 2007, filma artistikë të prodhuar ndër të tjera edhe me fonde të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, dhjetra filma dokumentarë, me metrazh të shkurtër dhe eksperimentalë të studentëve të regjisë së filmit që do të përballen prej 3 nëntorit deri më 9 nëntor me publikun e kinemasë.

Kryetari i Qendrës së Kinematografisë, Artan Minarolli e cilëson një detyrim këtë manifestim të kinemasë vendase në këtë 100-vjetor të pavarësimit të vendit. Ndaj edhe është zgjedhur një film emblematik i kinematografisë shqiptare ai që do të ngrejë siparin e festivalit. Është filmi “Nëntori i Dytë”….kopja e të cilit aktualisht ndodhet në Los Angeles për t’ju nënshtruar restaurimit e që do të kthehet në Shqipëri në kohë për të çelur festivalin.

“Vitet e kanë dëmtuar filmin, çka është normale pasi kemi të bëjmë me lëndë kimike por për fat të mirë ky film është duke u restauruar dhe ne do të mund ta shohim sërish në ekranin e madh, tanimë të restauruar”-thekson Z. Minarolli. 

Kineasti Minarolli nga ana tjetër pohon se ky eventi është i një rëndësie të veçantë për përballjen të një tjetër lloji të prodhimeve kinematografike, çka nuk mund të ndodhë çdo vit në kushtet e Shqipërisë, pas kinemaja jonë vuan nga numri tejet i kufizuar i filmave artistikë por edhe atyre dokumentarë që shfaqen në ekranin e madh gjatë një viti. 

E si çdo festival pararendës, edhe në këtë edicion të 13-të të tij, trofetë nuk do të mungojnë si për filmat artistikë për nga drejtohet edhe vëmendja më e madhe, po ashtu edhe në filmat e tjerë garues në festival, dokumentarë, filmat me metrazh të shkurtër dhe ata eksperimentalë që vijnë kryesisht nga studentët e regjisë së filmit pranë Universitetit të Arteve.

E përpos njerëzve pranë kinemasë që do të jenë të akredituar në festival, edhe artdashësit do të mund të ndjekin filmat që do të shfaqen prej datës 3 deri më 9 nëntor, pa pasur nevojë për një biletë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›