Të vetëpunësuarit në bujqësi marrin online vërtetimin e pagesës së kontributeve përmes e-Albania

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Të vetëpunësuarit në sektorin e bujqësisë tashmë mund të sigurojnë në kohë reale vërtetimin e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore përmes platformës e-Albania.
Dokumenti gjenerohet menjëherë dhe pajiset me vulë elektronike, duke garantuar vlefshmëri të plotë ligjore dhe eliminim të procedurave fizike.
Shërbimi elektronik “Vërtetim i pagesës së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi” u mundëson fermerëve dhe të vetëpunësuarve të marrin dokumentin pa pasur nevojë të paraqiten pranë sporteleve, duke kursyer kohë dhe lehtësuar aksesin në procedurat administrative.
Kjo praktikë e re është pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve publike, që synon të rrisë transparencën, të përmirësojë cilësinë e shërbimit dhe të mbështesë qytetarët në menaxhimin e detyrimeve të tyre ligjore.
/e.xh/r.e/a.f/