Projekt për ndërtimin e 100 banesave sociale në Lezhë

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ 100 banesa sociale me kosto të ulët pritet të krijojnë mundësi të reja strehimi në qytetin e Lezhës.
Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu zhvilloi sot një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Entit të Banesave, Besmir Hysa, si dhe me Drejtorin Rajonal të Lezhës Gjin Kola.
Kryetari i kësaj bashkie, në një postim në rrjetet sociale, bën me dije se në këtë takim u diskutua ndërtimi i këtre banesave sociale, një prej projekteve më të rëndësishme të planifikuara për vitin 2026.
Sipas Ndreut, ky investim synon mundësi strehimi për 100 familje me të ardhura të ulëta dhe grupet vulnerabël, duke garantuar kushte dinjitoze jetese dhe më shumë siguri sociale.
Ndreu tha, se sot u diskutuan fazat e projektit, si dhe mënyrat se si ky program do të integrohet me planet e zhvillimit urban të Bashkisë Lezhë.
“Bashkia është e përkushtuar të punojë ngushtësisht me institucionet qendrore për të siguruar fondet, mbështetjen teknike dhe realizimin sa më efikas të këtij projekti, i cili do të sjellë përfitime afatgjata për komunitetin tonë”, tha Ndreu. /j.p/
/e.i/