E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vishesh sipas muzikës në Tiranë

 Xhek Preçetaj

Ngjyra e zezë është identifikuese. Edhe tatuazhet, pirsing, modeli (pak) jo i zakonshëm i flokëve. Zakonisht i sheh në grupe. Ndryshimi i tyre prej të rinjve të tjerë është lehtë i dukshëm, pikërisht për shkak të asaj që zgjedhin të veshin, lokaleve që frekuentojnë dhe mënyrës së sjelljes. Bëhet fjalë pikërisht për adhuruesit e muzikës, e pikërisht asaj rok. Sigurisht, jo të gjithë që pëlqejnë një rrymë muzikore të caktuar, vishen edhe sipas saj, por më së fundmi në Tiranë rokerët dhe hiphopistët po ndjekin jo vetëm muzikën, por edhe veshjet. Rokerët ndryshe njihen edhe me termin metalarë. Karakterizohen nga një veshje e zezë (pantallona dhe bluza të zeza, këpucë tipike të markës converse, si dhe pirsing, me raste shumë pirsing nëpër trup). Në krahun tjetër, janë hiphopistat që karakterizohen nga veshje të gjera, atlete të mëdha, një kapele tipike e stilit hip-hop, shumë tatuazhe dhe varëse të mëdha dhe të gjata në qafë.

Këto janë dy grupimet që mund ti dallosh lehtë në Tiranë. Por mbi të gjitha, këto janë edhe dy grupet që e urrejnë më së shumti njëri-tjetrin, pasi janë si dy anë të kundërta midis tyre. Megjithatë, shoku im më i afërt është hip hopist, tregon për Shekulli-n, Martin Dodbiba, një i ri roker apo ndryshe që vishet sipas muzikës rok. Në dorën e majtë ka si shenjë identifikuese një tatuazh me numrin 666 (numri i Djallit, sipas Biblës).

Veshja misterioze e rokut

Veshja simbolizon mënyrën se si shprehemi personalisht kundrejt botës apo ajo që na dallon, pra, një veshje e errët që simbolizon diçka misterioze apo të keqe në njëfarë kuptimi. Kjo veshje është po aq e vjetër sa edhe vetë muzika rok. Historia e veshjes është shumë e largët, shkon deri në krijimin e muzikës rok nga e cila vijoi edhe ajo metal (një muzikë pak më e fortë se roku). I pari që e shfaqi ishte Xhimi Hendriks, të cilit i thërrisnin ndryshe edhe “Krishti i zi”. Por në vetvete muzika metal edhe rok i kanë rrënjët tek muzika “bluz”. Veshja simbolizonte një lineament të trishtë, i mbushur me agoni kundrejt botës, urrejtje, diçka të ligë apo një figurë negative. Kjo veshje simbolizon edhe karakterin, pasi në njëfarë mënyrë shfaq pjesë të ndryshme të karakterit të personit, megjithëse fundja mbetet thjesht një mënyrë e të veshurit.

Përse vishet?

Më pëlqen muzika rok dhe veshja me të cilën kjo muzikë karakterizohet. Dikur jam veshur edhe si emo, një rrymë më e ndryshme nga kjo e rokerit. Kjo veshje më bën të ndihem rehat dhe në ambientin tim, më bën të ndihem i plotësuar, pasi falë saj mundet të shfaq edhe faktin që e ndjek këtë rrymë dhe e pëlqej së tepërmi. Dëshira e madhe e muzikës tashmë kushtëzon edhe veshjen e të rinjve. Nëse dikush dashurinë për rrymat muzikore e shpreh me tatuazhe, postera të mëdhenj apo edhe në ndonjë bluze tek-tuk me të shkime të veçanta, këta persona dashurinë ndaj muzikës e shprehin me një veshje konkrete Made in rock. Më pëlqen, sepse kështu arrij të shprehem, edhe pse gjithashtu mund të themi se kjo lloj muzike ka një uniformë të vetën. Janë shumë gjëra të lidhura bashkë, dikush mund të ketë arsye të tjera, gjithashtu kjo lloj veshje është “cool”, edhe pse është bukur të jesh ndryshe nga të tjerët, thotë 20-vjeçari.

Ndryshe nga të tjerët

Veshja i bën ndryshe nga të tjerët. Më bën të dukem ndryshe, sepse njerëzit dallohen nga veshja se çfarë nismash apo personalitetesh kanë, kështu që është pozitive, thotë Martini. Ky ndryshim shpesh kërkohet nga shumë të rinj dhe në një pjesë të tyre, fakti se janë ndryshe nga të tjerët i tërheq ata gjithnjë.

Paragjykime

Megjithëse kjo uniformë e muzikës rok është sa e veçantë, aq edhe interesante, paragjykimet shqiptarët nuk i largojnë dot. Të vishesh ndryshe nga të tjerët nuk do të thotë që nuk je njeri normal, por të vishesh ndryshe do të thotë të ndjekësh dëshirat e tuaja dhe të shprehësh karakterin tënd. Veshja në kohët moderne cilësohet si një pikturë e mirë e karakterit të njeriut. Megjithatë, edhe rokerët, ashtu si edhe hiphopistat janë disi të paragjykuar nga opinionet e të tjerëve. Martini tregon se kanë dëgjuar jo rrallë shprehje fyese të tipit: Shihe si vishet ai, si barrbon apo Këto nuk janë metalarë, por metashplarë, gjë që tregon se sido që të jetë, shoqëria ndryshimet i ka pak të vështira ti kuptojë dhe mirëpresë: Ndodhin shpeshherë “thumbime” në fjalë për të më tërhequr vëmendjen, por gjithsesi unë vazhdoj rrugën, pasi ajo veshje më bën të ndihem rehat me veten time dhe kjo është më e rëndësishmja për mua.

Shoqëria

Çdo grupim muzikor ka si të thuash shoqërinë e vet. Një shoqëri që mbështet në atë lloj muzike apo që ka të njëjtat pasione më ty. Por ne nuk limitohemi të shoqërohemi vetëm me personat që dëgjojnë rok, por edhe me të tjerët. Në shoqërinë time ka persona që dëgjojnë rok, dance, madje dhe shokun e ngushtë e kam këngëtar dhe ndjekës të rrymës hip hop, përmbyll rrëfimin e tij Martini. Por nga ana tjetër nuk mohon se e dashura e tij është gjithashtu një ndjekëse e rrymës rok dhe ashtu si edhe ai, ka një stil veshje dhe qëndrimi që bie në sy.

Ndryshimi i përditshëm i Tiranës sa vjen dhe i jep një pamje më të bukur dhe më interesante kryeqytetit. Ndoshta ndryshimet në ekonomi, infrastruktrë etj janë disi të vështira për kryeqytetin, të paktën duhet të jemi krenarë që shoqëria evoluon. Shoqëria është ajo që ndryshon çdo ditë duke gjetur shtysë te muzika. Të paktën duhet thënë se sado që anë të ndryshme të Tiranës ngelin në vend numëro, të paktën shoqëria ndryshon dhe kjo është e rëndësishme, pasi mbi të gjitha një qytet e identifikon shoqëria.

Çështë emo?

Emo (imo) është një zhanër muzike që përfshihet në atë Punk Rock (Pank Rok). Kjo rrymë muzikore në vitet 80 fitoi edhe një stil të veshuri të sajin të veçantë. Një stil i cili në atë kohë përafrohej me stilin e atyre që merreshin me skeitbord. Veshja e tyre karkterizohet nga xhinse të ngushta, bluza të cilat kryesisht i përkasin një grupi muzikor dhe që mund të vishet nga të dyja sekset. Flokë të mesatarë, me një baluke të gjatë, të mbajtur në një anë duke mbuluar njërin sy, ndërkohë për femrat, kryesisht janë flokë të gjatë të zinj dhe më shirita të ndryshëm të ngjyrosur. Më pas aksesorët janë të tillë si një rrip me pjesë të ndryshme, me ngjyra të theksuara, zinxhirë tek xhepi, etj. Veshja emo ka rrënjët e saj në hardrock punk, post hardrock dhe në straight edge. Kjo e fundit lidhet me mënyrën e jetesës që parashikon alkool, duhan, drogë dhe seks në rrethana të rastësishme.

Ku mundet të gjesh rokerë?

Lokalet më të frekuentuara nga rokerët janë normalisht ato ku dëgjohet muzikë rok. Ndër to mund të përmendim Alkimia, e cila ndryshe cilësohet edhe si shtëpia e tyre. Në të është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të shohësh dikë që nuk e dashuron rrokun. Madje, në brendësi përmban edhe bateri, kitare dhe istrumente të tjera për të bërë muzikë rrok. Një vend tjetër është Steel Wings, pranë ish-Bllokut, i njohur edhe si lokali i motoristëve, por frekuentimi i saj të jep një pamje të një lokali tepër modern për rokerë. Para pak muajsh Converse (Konvers) ishte shumë i njohur për muzikën rok dhe alkoolin e lirë. Mobilimi i këtyre vendeve bazohet në shenja të dallueshme që lidhen me alkoolin, muzikën, postera të muzikantëve të njohur roku, kitara të varur në mure, një ambient ku mbizotëron disi errësira.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›