Të vjedhësh apo të mos vjedhësh një vepër arti!
Lajmi tronditës i humbjes së veprave të artit në Galerinë e qytetit të Korçës na rishkundi duke na rikujtuar se ngjarje të tilla fyejnë dinjitetin njerëzor dhe atë artistik jo vetëm për faktin e sjelljes së ulët që të rrëmbesh (apo të vjedhësh) vepra arti është antikombëtare dhe antinjerëzore, por edhe sepse na vuri në dijeni për disa sëmundje jo të pashërueshme, por të pakuruara në këto njëzet e ca vite demokraci.
Pa dyshim që artistët gjenden keq përballë këtij akti të shëmtuar, ku fillesa e ngjarjes së humbjes si shkak të shtyn për të analizuar pasojat përtej kësaj ngjarjeje, që shpresojmë të zbardhet sa më shpejt dhe mos të futet në arkivin e misterit të ngjarjeve apo legjendave urbane. Artistët, gjithashtu, gjenden të pambrojtur nga institucionet e artit, qofshin dhe bashkiake, që jetojnë në moshën e internetit dhe ecin me karrocën e Dylit në paaftësinë për të kuptuar sa të vonuar jemi jo vetëm në ruajtjen, por edhe në promovimin e vlerave kulturore.
Që ne vuajmë nga mosdokumentimi i historisë sonë (nëpër shekuj) ose nga shpikja e saj (përgjatë regjimit diktatorial), është më se e qartë, por që edhe pas viteve nëntëdhjetë të vuajmë edhe nga ruajtja apo dokumentimi më i thjeshtë dhe fillestar, si magazinimi apo konservimi i vlerave më të rëndësishme përfaqësuese të shoqërisë sonë dhe në këtë rast i veprave të artit, kjo është katastrofike. Vetëm tu hedhësh një sy të shpejtë kushteve dhe rregullave të ruajtjes së veprave të artit dhe do të kuptosh se je në çdo kohë, por jo në kohën tënde, sepse vlerësimi i tyre (monetar) është si në kohën e Enverit me 20 apo 100 lekë-sha, pa përmendur kushtet skandaloze ku shfaqen e ruhen veprat e artit, ku mungojnë kondicionimi dhe krijimi i atmosferës së përshtatshme të ajrimit, ku lagështira bashkëjeton duke i marrë frymën dhe asgjësuar dita-ditës këto vlera artistike dhe ku fjala e dëmtimit të veprave të artit nga agjentë atmosferikë të brendshëm apo të jashtëm duket si një fjalë e huaj e zbritur nga qielli.
Besoj se qytetarët tanë duhet ta dinë se sot, në mileniumin e ri, një pjesë e galerive në qytetet e botës si strategji promovuese i kanë hapur edhe ambientet e fondit të tyre në ekspozim për publikun që e edukon dhe e emancipon si ruhet dhe konservohet një vepër arti. Atje jo vetëm pikturat i sheh një e nga një të mbajtura me kujdes me doreza të bardha, si procedurë standarde e mosdëmtimit, që të duket vetja sikur je jo në një institucion arti, po në një laborator me maksimumin e pastërtisë, por gjithashtu të japin edhe informacion të detajuar dixhital (arkiv virtual) për origjinën historike të krijimit dhe të koleksionimit të çdo vepre arti. Kurse ne kemi akoma kartela katalogimi të kohës së xhaxhit me informacione sipërfaqësore tepër të tejkaluara nga realiteti i sotëm dhe se është i papranueshëm fakti që në këto galeri të qyteteve tona, koha ka ngelur në vendnumëro si mentalitet dhe si vizion. Në këto kushte është tepër e lehtë të humbasin një apo disa vepra arti, ose më keq akoma, të vidhen, duke e kthyer në një sarkazëm rrëqethëse dilemën shekspiriane të jesh apo të mos jesh, pra të vjedhësh apo të mos vjedhësh një vepër arti! Kjo është çështja!. Kur nuk ka rregulla të mirëcaktuara, ligje dhe nënligje të mirëkonceptuara në sinkron me kërkesat bashkëkohëse, që dashje-pa dashje i hap rrugë abuzimit dhe përfitimit të paligjshëm.
Patjetër që me këto rregulla të vjetruara dhe me këto ritme tepër të ngadalta të përmirësimit të tyre i jepet hapësirë shkeljes së ligjit, ku zyrtarë (që vijnë e ikin e vijnë prapë) kanë vite që mbyllin sytë për të mos parë dhe mos kuptuar që jemi në një erë të re dixhitalizimi dhe konservimi të këtyre vlerave artistike, ku jo vetëm është emergjente ndërhyrja në ligj për të rishikuar marrëdhënien e partnership-it që duhet të kenë galeritë e qyteteve (në varësi nga bashkitë përkatëse) me Ministrinë e Kulturës, që patjetër duhet të ketë rolin ligjor të auditit me këto institucione arti, por për të pasur një koncept të ri duhet të organizohen simpoziume dhe takime të nivelit të lartë me ekspertë të huaj që sjellin eksperiencat ligjore të vendeve të tyre për të analizuar dhe rishikuar rrënjësisht statusin dhe rregullat e galerive të qyteteve që jo vetëm nga e para duhet të ristabilizohet funksionimi dhe rindërtimi i tyre, por duhen të vendosen edhe kritere të forta profesionale për pranimin e drejtuesve dhe të stafeve të tyre që tu përgjigjen kërkesave të kohës, dhe jo të vijnë thjesht si produkt njohjesh personale apo militantizmi partiak. Në fakt, është mjerane që sot pjesa më e madhe këtyre institucioneve të artit u ngjajnë magazinave të braktisura që u pikon çatia, sepse janë lënë në vend të fundit në strategjitë dhe politikat e bashkive, sepse, siç më thotë shkarazi dhe me të qeshur një mik-armik politikan, nuk prodhojnë votën e ditës, por nuk duhet harruar që prodhojnë dinjitetin e një kombi dhe përfaqësimin e tij.
*Artist – Prof. asc. Universiteti i Arteve, Tiranë
