Teatri i përrallës

U hap një teatër për fëmijë, po çfarë solli?
I gjallë, i çiltër, kureshtar, spektatori i vogël në shfaqjen "Druvari i mirë", shkruar nga vëllezërit Grim, me regji të Genti Deçkës.
Përralla tregohet në një skenë të ftohtë, të zhveshur, kostume të varfra që kufizojnë imagjinatën
Paraditen e së shtunës, fëmijë nën 5 vjeç kishin zënë vend në stolat e Teatrit të Metropolit për të ndjekur "Druvari i mirë" të vëllezërve Grim, me regji të Genti Deçkës.
Salla 100 vendëshe "Çehov" ishte gjallëruar nga ata spektatorë të çrregullt, që nguteshin për t'u ulur aty ku dëshironin. Kërkonin me ngulm të ishin pranë atij që nuk njihnin e që ishte veshur ndryshe dhe nuk reshtnin së pyeturi: Kur do fillojë?
Po kukullat kur do dalin?
Muzika i bën bashkë zërat e tyre, si kori i një shfaqjeje. Kurse lëvizjet e duarve e të këmbëve janë moskokëçarëse ndaj çdo konteksti koreografik, të çlirëta, ashtu si buzëqeshjet që nuk ia kursejnë askujt, edhe bota e tyre gjithë kureshtje.
Fjalia "Na ishte njëherë" e narratorit (në rol Arbër Islami), vë në çast qetësi mes tyre, sikur ta dëgjonin për herë të parë.
Grimët kanë shkruar për historinë e dy vëllezërve që jetojnë në një shtëpi të varfër në pyll, role që interpretohen nga studentët e Akademisë së Arteve: Endri Çela dhe Ledian Papagjoni.
Gjatë gjithë shfaqjes Çela, në rolin e druvarit, hyn në dialog me spektatorët e vegjël, që herë pas here i tregojnë sesi të veprojë, i përgjigjen pyetjeve të tij dhe shpesh habiten që aktori nuk vepron ashtu si ata e mësojnë.
Të vegjlit reagojnë kur druvari, pasi ka provuar të presë dy pemë dhe ato "janë ankuar", pyet po tani ç'të bëj? Fëmijët reagojnë gjithë entuziazëm që i kanë gjetur zgjidhjen: "Prije drurin".
Flasin për një trung peme të tharë, që gjendet në mes të skenës. Ashtu si në çdo rrëfenjë, autorët e "Druvarit...", Jakob dhe Vilhelm Grim, fusin magjinë në përrallën e tyre që i rrëmben të vegjlit, që dëshirat ua bën të mundshme dhe fantazinë ua ushqen.
Dhe në këtë shfaqje është peshku magjik të cilit druvari i shpëton jetën.
Në këmbim peshku i dhuron dy sëpata magjike, një shtëpi të bukur e të madhe, një kështjellë. Të gjitha këto për t'i plotësuar gjithçka vëllait të tij, që lakmon të bëhet edhe magjistar, edhe mbret, po edhe perëndi.
Fëmijët gajasen.
Rrëfenjës i vjen fundi, gjithmonë me një moral: Që dy vëllezërit të jetonin të lumtur, ashtu siç e do çdo përrallë, duhet të hiqnin dorë nga lakmia për para dhe pushtet.
Përshtatja e përrallës ishte bërë me një gjuhë të thjeshtë, që përtypej lehtë nga të spektatorët e vegjël dhe ruante një ritëm të përmbajtur.
Po çfarë i mungonte "Druvarit të mirë", një nga dy premierat që hapi Teatrin e Metropolit për Fëmijë, bashkë me "Në ballon e luleve"? Është hera e parë që bashkia e kryeqytetit krijon hapësirë për një teatër për fëmijë, sado që që brenda teatrit për të rritur.
Skenografia dhe kostumet e realizuara nga Shpëtim Baça, duhet ta ngjallnin imagjinatën e spektatorëve të vegjël. Pemët, shtëpia, kështjella, peshku magjik, të ngrira në pikturat e disa kutive prej kartoni, e vrasin atë hapësirë që quhet: besimi në të magjishmen, në përrallë.
Në fjalorin e shqipes, "përralla" ka këtë shpjegim: "Një nga llojet më të njohura të krijimtarisë gojore popullore, që ka formën e një tregimi, zakonisht me përmbajtje fantastike e me personazhe të trilluara nga bota e njerëzve, e kafshëve dhe e forcave të mbinatyrshme; rrëfenjë popullore, tregim i shkurtër i shkruar në këtë frymë e me mjete të tilla".
Nëse asaj që shohim nuk i vjen në ndihmë një skenografi e gjallë, në rastin konkret, me objekte dhe veshje plot ngjyra, e sigurt që nuk do shihnim çehre të ngrysura, ashtu si fytyrat e të rriturve dje që shoqëronin fëmijët në Teatrin e Metropolit.
Megjithatë, këto dy premiera janë sprovat e para të Teatrit për Fëmijë në kryeqytet, që për dy javë e mbushën sallën plot me fëmijë të kopshteve dhe të shkollave fillore.
Një rol kryesor në këto shfaqje ka edhe personi që përshtat tekstin, që kujdeset për çdo detaj, për gjuhën, dialogun.
"Një autor i një teksti skenik tenton të sjellë afër spektatorit disa nga ngjarjet e rëndësishme të përrallës, duke i zhvilluar në bazë të një gjuhe skenike, që ka për bazë veprimin.
Çfarë nënkupton kjo? Një sërë elementesh të marra nga gjuha e autorit, të cilat krijojnë personazhet, karakteret e tyre, falë fjalës së ndihmuar jo rrallë edhe nga gjestet, pantomima dhe detaje të tjera që i specifikojnë dhe i bëjnë të ndryshëm në skenë", tregon rreth kësaj përvoje, Milena Selimi e cila ka përshtatur, përrallën e Andersenit "Në ballon e luleve"
.
Po deri ku i qëndrohet besnik origjinalit?
"Ajo që merret e gatshme nga autori është vetëm përcaktimi i një personazhi-letrar, në rastin konkret Ida-kapriçoze, e cila falë elementeve që thashë më sipër duhet të përshkruhet skenikisht si e tillë.
Dialogu, fjala, ndërveprimi me të tjerë personazhe krijojnë atë karakter skenik, i cili më tej zhvillohet nga koncepti i regjisorit. Atmosfera ku veprojnë personazhet mbetet e rëndësishme dhe kjo është gjithashtu dëshirë e përshtatësit, nëse do të japë këtë atmosferë të përgjithshme, ku zhvillohet ngjarja, koha kur ndodh", përfundon Milena. Përralla e përshtatur prej saj e ka radhën sot.