E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peter Morgan, një studim për Kadarenë në komunizëm

Jeta dhe krijimtaria e Ismail Kadaresë gjatë diktaturës përbëjnë subjektin e studimit që Peter Morgan, profesor i Studimeve Europiane në Universitetin e Australisë Perëndimore, i ka kushtuar shkrimtarit shqiptar në gjuhën angleze.

Libri prej 400 faqesh, i botuar nga “Legenda” e “Oksford&London”, është një biografi e jetës së shkrimtarit në diktaturën shqiptare të Enver Hoxhës.

“Ismail Kadare: Shkrimtari dhe diktatura 1957-1990” është rrëfimi i dy mjeshtërve të shahut të vendosur kundër njëri-tjetrit gjatë tri dekadave për fatin e Shqipërisë, tha profesor Morgan.

“Përveçse një shkrimtar gjeni, Kadareja ishte një takticien brilant, i cili ia doli mbanë të mbijetonte në regjimin më të ashpër dhe shtypës të të gjitha regjimeve. Shqiptarët përbëjnë një pjesë të vogël, por të rëndësishme të Australisë multikulturore dhe nëpërmjet veprës së shkrimtarit dhe intelektualit më të madh shqiptar, ne mund të arrijmë t’i kuptojmë më mirë shqiptarët, historinë dhe kulturën e tyre. Shumë shqiptarë në këtë vend mund të kenë familje që kanë vuajtur nën diktaturën e Hoxhës”, ka theksuar Morgan.

Ky studim do të pasohet nga një vëllim i dytë që do të përqendrohet në jetën e Kadaresë nga viti 1990 deri në ditët e sotme.

Peter Morgan ka marrë një mbështetje financiare prej 200.000 dollarësh nga Këshilli Australian i Studimeve për të përfunduar “Kadareja postkomunist: Shqipëria, Ballkani dhe Europa në veprën e Ismail Kadaresë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›