Prej hirit të një thesari të humbur
çfarë ndodhi me thesarin që gjendej në shtëpinë e muzeologut e historianit Lefter Dilo? A ka mbetur diçka prej tij? Detaje nga jeta, dorëshkrime të panjohura, sende e objekte me vlerë të grumbulluara prej tij, letërkëmbime e studime... një rrëfim nga jeta e figurës që shumë e cilësuan si “mbret të pakurorëzuar të muzeologjisë ballkanike”
Lefter Dilo
Mbret i pakurorëzuar i muzeologjisë ballkanike... kështu e kanë cilësuar Lefter Dilon, muzeologun dhe historianin gjirokastrit. Bashkëkohës dhe mik i Aleks Budës dhe Lasgush Poradecit, Fan Nolit dhe Faik Konicës, Dhimitër Paskos dhe Eqrem çabejt, Aleksandër Xhuvanit dhe Dhimitër Shuteriqit, Petro Markos dhe Nonda Bulkës, Branko Merxhanit dhe Jorgji Meksit. Tregojnë se me publicistin e shquar Jorgji Meksi, një nga mësuesit e tij, Lefteri kishte lidhje familjare. Por ajo që i lidhi në një fat të përbashkët, ishte fakti që në një ditë të ftohtë janari, të dyve iu dogj shtëpia e bashkë me to edhe një dokumentacion i pasur historik me vlera të paçmuara. Jorgji Meksi e kishte shtëpinë në çetë të Varroshit, një sokak sipër shtëpisë së Lefterit, shtëpi të cilën e përpinë flakët në vitin 1942. Të njëjtin fat kishte edhe shtëpia e Lefterit në 14 janar të vitit 1989. Zjarri që nisi të digjte një shtëpi, që ishte nën një kulm me banesën e familjes Dilo, përfshiu dhe dogji gjithçka duke e kthyer atë në një gërmadhë. Djegia e shtëpisë së Lefter Dilos është përcjellë në qytet si një humbje e madhe, jo vetëm për këtë familje, por për gjithë Gjirokastrën, pasi gjirokastritët e njihnin pasionin e madh të Lefterit për librat dhe dokumentet e vjetra dhe e dinin që në zjarrin e saj u shkrumbua një pjesë e konsiderueshme e thesarit të historisë së qytetit. “E kam tepër të vështirë të them se çfarë xhevahiresh të rralla të historisë kishte në atë arkiv personal të babait. Koleksione gazetash, dorëshkrime, libra të vjetër dhe letërkëmbime mes personaliteteve të Rilindjes Kombëtare, dokumente në shumë gjuhë që vetëm ai ua dinte vlerën. Mbaj mend që kishte një kopje në origjinal të librit të kronistit turk Evlia çelebiut. Ditën e zjarrit mbaj mend që babai shikonte flakët dhe fliste me vete, mezi e kanë mbajtur gjithonët që të mos hynte mes flakëve. Në pak minuta kur zjarri po i afrohej, babai tërhoqi ç’mund të kapte dora, por ato ishin shumë pak, pjesa më e madhe e dorëshkrimeve të tij i përfshiu dhe dogji flaka e zjarrit”, tregon me dhimbje Llambi, i biri, duke shtuar se atëkohë Lefteri kishte kaluar një para infarkt. Një vit para vdekjes fizike të tij, ai kishte “mbaruar” shpirtërisht. Ishte djegur shtëpia e tij. Bashkë me të, i iku shpirti i tij para trupit. Pas kësaj ai jetoi vetëm një vit. Të gjithë në Gjirokastër e dinë që ai nuk kishte shtëpi të thjeshtë, por një muze dhe një arkiv me vlerën e një thesari. Brenda kësaj shtëpie, atë ditë janari u dogj një nga arkivat më të pasura me dokumente dhe dorëshkrime të rralla historike, ndoshta jo vetëm në Gjirokastër. Lefter Dilo, “muzeu i gjallë”, lindi në shtator të vitit 1914 dhe vdiq më 14 janar të vitit 1990.
Shumë u dogjën, por shumë kanë mbetur
“Shumë u dogjën, por shumë dorëshkrime kanë mbetur”, tregon i biri i Lefter Dilos, mjeku pediatër Llambi Dilo. Pas djegies së shtëpisë në vitin 1989 në sokakun e lagjes Varrosh të Gjirokastrës, shumë pak nga libra dhe dorëshkrime të tij origjinale kanë mundur të mbijetojnë në arkivin e familjes, por shumë të tjera janë shpërndarë nëpër muzeume e biblioteka dhe në persona privatë. Llambi thotë se në bibliotekën e familjes nuk gjendet asnjë kopje e librit “Ligjëron Noli”, apo librave të tjerë të botuar para çlirimit, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. “Ne në familje nuk kemi asnjë ekzemplar nga librat e botuara. Ato mund të gjenden vetëm në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në arkivat e shoqërisë “Vatra” në SHBA, apo në Bibliotekën e Gjirokastrës. Pjesa më e madhe e dorëshkrimeve të tij të pabotuara gjenden ose në Arkivin Qendror të Shtetit, ose në arkivin e Muzeut të Gjirokastrës”, vijon ai. Një fat të keq kanë pasur edhe shumë nga dorëshkrimet e Lefter Dilos. I vetmi dorëshkrim i daktilografuar që zotëron familja Dilo është një libër i shkruar nga muzeologu për Faik Konicën. “Një libër në dorëshkrim i pabotuar, që babai e kishte daktilografuar me makinën e shkrimit, që është e vetmja relike që kemi dhe ruajmë prej tij dhe që për fat i shpëtoi djegies, është një monografi për jetën e Faik Konicës. Fletët e këtij dorëshkrimi, të mbështjella me një kapak kartoni në formë të një kopertine të improvizuar, janë të lidhura me kujdes me spango nga miku i babait Fotaq Kekezi, një nga personazhet e librit të Kadaresë “Kronikë në gur”, mësuesi nga Varroshi që, ashtu sikurse dinte mirë të balsamoste kafshët dhe shpendët, dinte të lidhte edhe librat”, thotë për këtë dorëshkrim i biri. Në dorëshkrimet e Lefter Dilos, sipas Llambit, por jo vetëm atij, përfshihen edhe shumë libra të pabotuar, sikurse janë shtatë monografi për figura atdhetarësh të shquar nga Gjirokastra dhe krahinat e Jugut, dorëshkrimet e plota “Gjirokastra në shekuj” dhe “Ditar Gjirokastrit”. “Dorëshkrimi ‘Gjirokastra në shekuj’, rrëfen i biri, është një monografi e plotë historike me dy volume dhe rreth 2400 faqe të daktilografuara, një histori e plotë nga antikiteti deri në kohën e sotme, histori që i mungon edhe sot këtij qyteti. Me sa di unë, dorëshkrimi gjendet në Arkivin e Muzeve të Gjirokastrës. Deri tani askush nuk është kujtuar ta botojë atë vepër voluminoze e me vlera të pallogaritshme për historinë e Gjirokastrës”. Lefter Dilo dëshironte që këtë dorëshkrim voluminoz babai ta botonte në vitin 1960. Nuk mundi pasi, sipas rregullit të asaj kohe, të gjitha botimet i nënshtroheshin një këshilli botues, që më shumë se historia dhe e vërteta historike i interesonte linja e partisë që ndiqte libri e autori. Ndërkaq, sa i takon shtatë monografive të shkruara nga Lefter Dilo për disa figura të spikatura të historisë, i biri thotë se ato u dërguan për t’u botuar në shtëpinë notuese “8 Nëntori” në vitin 1967, por nga redaktorët e censurës Lefteri mori një përgjigje negative për shkak të “stilit” të vjetruar të të shkruarit. “Dorëshkrimet e shtatë monografive, babai ia besoi për t’i përshtatur me ‘midenë’ e redaktorëve një ish-mikut të familjes A.L, mandej bashkëfshatar i babait me origjinë nga Labova e Zhapës, por deri tani, jo vetëm që këto shtatë monografi nuk janë redaktuar dhe botuar, por dorëshkrimet janë zhdukur dhe ne si familje nuk dimë asgjë për fatin e tyre”, vazhdon më tej i biri. Pandeli Pasko, ish-ambasador i Shqipërisë, djali i Dhimitër Paskos (Mitrush Kutelit) ka shkruar te gazeta “Repubblica” se i ka dërguar në vitin 1998 Bill Klintonit, ish-presidentit të SHBA-ve, dy libra të Lefter Dilos, “Ligjëron Noli” (1942) dhe “Himara dhe himarjotët” (1938), që krahas edhe shumë titujve të tjerë, do t’i shërbenin Klintonit për të mësuar rreth historisë së vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe për mirënjohjen e tyre për qëndrimin e ish-presidentit Uillson ndaj Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Muzeumet e Lefterit
Dylbitë dhe kapelja e çerçiz Topullit, bastunët e gdhendur të Idriz Gurit, potinat dhe pushka e Enverit, sende, armë, veshje, dorëshkrime, antikuarë, foto dhe dokumente origjinale me vlera të pallogaritshme, kanë qenë disa nga thesaret që muzeologu i njohur gjirokastrit, Lefter Dilo, grumbulloi disa dekada më parë. I ruajti me fanatizëm, duke mos pranuar madje t’i dorëzonte as në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Sende personale të përdoruara nga personalitete historike të periudhës së Rilindjes Kombëtare, periudhës së pas pavarësisë dhe monarkisë, të Luftës së Parë Botërore, të luftës së Vlorës dhe Luftës Nacionalçlirimtare, Lefteri kishte grumbulluar dhe i kishte ekspozuar në vitrinat e rreth 11 muzeumeve që ngriti në qytetin e Gjirokastrës dhe dhjetëra të tjerë të ideuar dhe ndërtuar prej tij në qytetet dhe fshatrat e Qarkut të Gjirokastrës. Se ku kanë përfunduar këto trofe dhe a i ka rënë ndokujt ndërmend të hetojë për to, për t’ia kthyer asaj pjese të historisë së cilës i mungojnë, në Gjirokastër askush nuk të jep përgjigje të saktë. Të gjithë ngrenë supet. “Nuk shkon eterniti në Kullën e Sahatit të Gjirokastrës”, mbaj mend që ishte një titull i një shkrimi të Lefter Dilos në ish-gazetën lokale “Pararoja” të qytetit. Ky “perandor muzesh” që e ktheu krejt Gjirokastrën në një muzeum të madh, nuk nguronte të kërkonte në të gjitha instancat ruajtjen e origjinalitetit të vlerave. Në një dosje që drejtoresha aktuale e muzeut të fundit të mbetur në Gjirokastër, zonja Teuta Kallajxhi e ruan me fanatizëm të madh janë të arkivuara dhjetëra letra dhe telegrame që Lefter Dilo i dërgoi në instancat e shtetit diktatorial, duke u bërë një mburojë e këtyre vlerave. Gjirokastra e njerëzve të dijes e diturisë nxori shumë mësues dhe në përjetësim të figurës së tyre, në kodrën historike, në vitin 1977, në muajin shtator u përurua Obelisku i Shkollës Shqipe dhe kompleksi muzeal kulturor kushtuar kontributit të këtyre “mësonjësve” të shquar të gjuhës e arsimit shqip. Në katër muzetë e bukura të këtij kompleksi, Lefter Dilo kishte ekspozuar qindra objekte, fotografi, dokumente e revista të shkollës së parë shqipe “Liria” dhe shoqërive kulturore patriotike. Për vite të tëra kjo qendër e rëndësishme historike u kthye në një vatër të edukimit patriotik të brezave të rinj. Tashmë nuk ka asnjë shenjë nga objektet muzeale të ekspozuara. Ka mbetur vetëm Obelisku i gurtë. Ndryshe nga emërtesa e sotme në strukturën administrative “drejtor muzeu”, në kohën kur ishte drejtor Lefter Dilo, emërtesa ishte krejt ndryshe “drejtor i muzeumeve të Gjirokastrës”, sepse ai ngriti shumë të tilla.
Versioni i Lefter Dilos për emrin e Gjirokastrës
Një nga çështjet më të diskutuara dhe që mbetet ende hapur është prejardhja e emrit të qytetit të Gjirokastrës. Mirëpo, versioni i Lefter Dilos për themelimin dhe prejardhjen e qytetit të Gjirokastrës është nga më origjinalët. Në dorëshkrimin e tij që ruhet dhe gjendet në bibliotekën publike të Gjirokastrës titulluar “Gjirokastra nëpër shekuj”. (Rrethi dhe Qarku), në faqet 5- 6 të dorëshkrimit, ai zbulon për herë të parë ekzistencën e një dorëshkrimi të vjetër të shkruar në lëkurë, që sipas tij është ruajtur deri në fillim të shekullit të kaluar në zyrat e “episkopatës së Gjirokastrës”, për të cilën ka shkruar edhe diplomati dhe historiani francez Pukëvil, ish-ambasador i Napolonit në Oborrin e Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës. Më poshtë po japin një pjesë të shkëputur nga dorëshkrimi i mësipërm i Lefter Dilos. “Ku të bazohemi pra për të vërtetuar emrin e qytetit dhe themelimin e tij? Burimi më i sakë është ay i lënë me shkrim nga të parët t’onë gjatë viteve të kaluara, por që mjerisht u shit ose u rrëmbye nga arkeologët kusarë ta jashtëm, (korigjuar më pas: të huaj me shkrim dore). Vendin tonë u përpoqën ta xhveshin nga çdo dokument me vlerë dhe qysh në vitin 1918 njerëz gjoja humanistë si Q.d’Ankona, i cili ka shkruar edhe veprën “Commentarti” për kërkimt mes Vlorës dhe Sarandës. Dokumenti pra te i cili do të bazohemi është një dorëshkrim prej 20 faqesh i shkruar në lëkurë që gjer von ndodhej në zyrat e Peshkopatës së Gjirokastrës. Këtë e kishte lëxuar dhe kopjuar edhe historiani Freng Pukëvil në vitin 1806, kur vizitoi Gjirokastrën.
Dokumenti është në duar të huaja sot, pasi vetë peshkopata e këtushme ishte ajo që zhvishte vendin nga dokumentet historike duke porositur manastiret dhe kishat e diogjezës së saj me këto fjalë: “Porositeni t’i jipni çdo gjë antike dhe me vlerë arkeologjike zotit N. Othonoo-s për muzeun e Janinës”. [Marrë nga “Gjirokastra nëpër shekuj” Qyteti Gjirokastër. (Rrethi dhe Qarku), faqet 5-6]. Në shënimet e referencës që shoqëron këtë citim L.Dilo, në fund të faqes shkruhet “Shif një libër protokoll të episkopatës së Gjirokastrës, regjistruar kjo letër më datë 23.12.1913”.
Miqtë e ngushtë të Lefterit
Disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Lefter Dilos ishin: Dhimitër Pasko, Aleks Buda, Lasgush Poradeci, Eqrem çabej, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Shuteriqi, Petro Marko, Vedat Kokona, Nonda Bulka, Vangjel Koça, Jorgji Meksi, Muzafer Xhaxhiu, Moikom Zeqo, Dritëro Agolli, etj. “Në arkivin e tij kishte me dhjetëra letërkëmbime me të gjithë të sipërpërmendurit, letra që u dogjën bashkë me qindra libra dhe dokumente të rralla që ruante babai në arkivin e tij. Mbaj mend që kur vinte Petro Marko në shtëpi bisedonin dhe debatonin gjatë, edhe ‘zorrët e barkut’ i tregonin njëri-tjetrit”. Lefter Dilo ka kryer studimet e para në Liceun Francez në Korçë dhe më pas kishte bërë dy vjet shkollë të lartë në Francë dhe zotëronte në mënyrë të shkëlqyer gjuhën frënge, krahas italishtes dhe greqishtes. Sipas mësuesit pensionist, 80-vjeçarit libohovit, Qazim Zaimi, kontributi në fushën e muzeologjisë i Lefter Dilos ishte i madh edhe për këtë qytet. Sipas tij, ai ngriti dy muzeume të plota, një muze historik për Libohovën dhe një për Avni Rustemin. “Lefteri ishte nga të parët që hodhi idenë e vendndodhjes së varrit të Shanishasë, motrës së Ali Pashë Tepelenës dhe bashkëshorte e sunduesit të Libohovës. Ai më thoshte se njëri mes varreve mesjetare në lagjen Teqe të Libohovës ishte varri i Shanishasë dhe për herë të parë është vërtetuar dhe identifikuar në fillim të viteve 70 nga gazetari dhe historiani libanez, Menahem Begin, në prani të diplomatit shqiptar Misto Treska dhe historianit e muzeologut të njohur gjirokastrit, Lefter Dilo. Gazetari dhe historiani Menahem Begin, sipas tij, arriti të lexojë vetë mbishkrimin në gjuhën arabe në qivurin e varrit të Shanishasë, që gjendet edhe sot në mesin e varreve mesjetare të Libohovës. Në komentet e drejtuesve aktualë të shoqërisë “Vatra” të shqiptarëve të emigruar në SHBA, thuhet se në librin e tij, të botuar në vitin 1942, “Ligjëron Noli”, Lefter Lame Dilo thotë se Noli është një mik i “pandarë i idealit të pastër” për Konicën. Konflikti kishte shpërthyer me forcë “të mëdhenjsh” mes rreshtash, si ato të Konicës për ngjarjet e ‘20-‘24 dhe që më pas replikat mes dy idealistëve kanë vazhduar, duke ruajtur etikën e debatit. Prof. Muzafer Xhaxhiu, në artikullin e tij me titull “Gjirokastra feniks i ringjallur”, duke vlerësuar punën e tij shkruan: “Kam dëgjuar të flitet se muzeologu i shquar, Lefter L. Dilo, të ketë lënë dorëshkrim një vepër biografike për qytetin e Gjirokastrës, e cila nuk dihet se si dhe ku ka përfunduar. Tani që nga historia e madhe e qytetit të vogël me popullsi, i cili në vitin 1938, sipas një bisede me historianin Lefter Dilo, numëronte të regjistruar vetëm 9 mijë banorë, bashkë me ata që kishin marrë rrugën e kurbetit, tani që shumëçka na ka ikur nga duart, le të shpëtojmë atë çka është e shpëtueshme”.
#