E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyu gruan të vetëvritet, shkon në gjyq si i pandehur

Besnik Hasa, akuzohet se detyroi gruan e tij, Elisabetën të vetëvarej në dhomën e gjumit


TIRANË- Prokurorisë së kryeqytetit iu deshën tre muaj kohë për tu bindur se i pandehuri Besnik Hasa e ka shtyrë në vetëvrasje bashkëshorten e tij, Elisabeta Hasa e cila është vetëvarur në dhomën e gjumit.

Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Hasa ka konsumuar veprën penale të "Shkaktimit të vetëvrasjes" ndaj bashkëshortes së tij Elisabeta Hasa mëngjesin e datës 6 janar 2009 në lagjen Bathore të kryeqytetit.

Mësohet se ka qenë vetë i pandehuri Hasa i cili nga xhelozia ndaj bashkëshortes kishte filluar të pinte alkool dhe të ushtronte dhunë ndaj saj. Por, këtë dhunë 27- vjeçarja Elisabeta Hasa nuk e ka duruar duke u larguar në fund të dhjetorit 2008 në drejtim të Laçit, konkretisht në kishën e Shën Ndoit në Laç.

Pas 6 dite largim nga banesa, 27- vjeçarja me katër fëmijët tashmë jetimë është kthyer në banesën e burrit ku banonin në lagjen Bathore të kryeqytetit. Edhe pse ishte kthyer në banesë, ajo nuk i ka shpëtuar dhunës së burrit, dhe e ka kërcënuar se do të padisë në polici ose do të bënte vetëvrasje.

Pas këtij paralajmërimi, i pandehuri Hasa është qetësuar dhe diku nga ora 22 e darkës së datës 6 janar ata kanë rënë për të fjetur.

Por, edhe pse kishin rënë për të fjetur i pandehuri Hasa nuk kishte vënë gjumë në sy, dhe rreth orës 2 të natës e ka zgjuar 27 -vjeçaren nga gjumi, duke i thënë që "doje të vetëvareshe, ngrihu e vrite veten".

Në këtë gjendje të rëndë psikologjike, 27- vjeçarja është ngritur dhe ka vendosur litarin në hekurat e dritares së jashtme dhe është lëshuar poshtë me trup, duke gjetur kështu vdekjen në sy të bashkëshortit që 10 minuta pas vetëvarjes së bashkëshortes ka lajmëruar prindërit e tij.

Me të mbërritur forcat e policisë në vendngjarje, i pandehuri Hasa ka rrëfyer të gjithë ngjarjen, duke u arrestuar më pas. Pritet që në ditët në vazhdim, togat e zeza të caktojnë datën e seancës së parë gjyqësore ndaj tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›