E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porto Romano, fillon shfrytëzimi

Me fillimin nga puna e portit të Porto Romanos, pritet zhvendosja e çisternave nga zonat e banuara

Anija e parë që është ankoruar ka qenë me flamur qipriot dhe ka sjellë gaz të përzier nga Gjeorgjia


DURRËS- Pontili i shkarkimit të karburanteve dhe nënpordukteve të tij në Durrës filloi dje nga puna. "Inaugurimi" është bërë me ankorimin e një anijeje e ngarkuar me gaz të përzier.

Megjithëse nuk ka patur ceremoni zyrtare, përurimi, nga autoritetet portale është cilësuar si prova e shkarkimit të parë në portin më të ri në vend, i cili pas fillimit te funksionimit per sistemin e shkarkimit të karburanteve quhet ndryshe edhe porti i karburanteve. Anija që shkarkoi dje ngarkesën e parë, ishte me flamur qipriot dhe e ngarkuar në Gjeorgji me një kapacitet të pergjithshëm transporti 4 600 ton.

Ankorimi i cisternës me gazin e lëngshëm gjeorgjian është kryer nën masa të rrepta sigurie dhe në orën 15 e 15 minuta, anija ka hedhur spirancën, duke shënuar në historinë e këtij pontili edhe si orën kur për herë të parë u bë shkarkimi i parë . Cisterna kishte në depot e saj për këtë shkarkim, rreth 2000 ton gaz të lëngshëm të përzier, të cilin anija e kishte ngarkuar në portin e Batumit.

Manovra e ankorimit është bërë në kushtet e valëzimeve të forta në det, pasi forca e erës dhe valëzimit i kalonte 3 ballë. Gjatë përpunimit te anijes cisternë, për të kryer procedurat e domosdoshme, i pranishëm ka qenë edhe një grup i Doganës Durrës.

Po ashtu praktika e zakonshme e kontrollit dhe e mbushjes së proces verbaleve të dokumentacionit sipas kodeve detare është bërë edhe nën prezencën e ekipit të Kapitenerisë së Durresit.

Me fillimin e punës së portit të ri të karburanteve iu hap rrugë tashmë edhe zgjidhjes së çështjes mjaft të debatuar së fundmi që ka të bëjë me sigurinë e portit më të madh në Shqipëri, Durrësit, sepse merr fund edhe ankthi i mijëra qytetarëve durrsakë mbi rrezikun e përhershëm që përbënte prania e mijëra tonelatave karburanti pranë zonave të banuara.

Pas fillimit nga puna të këtij porti, pritet që, muajt e ardhshëm të boshatisen cisternat e montuara në afërsi te banesave thuajse brenda qytetit. Ankorimi anijes cisterne, dhe shkarkimi në tubacionet e naftës për në depozitat e reja përbën edhe fillimin e funksionit të këtij porti , i cili do të përdoret vetëm për hyrjen dhe daljen e karburanteve e që do të njihet si Porti i Porto Romanos, një kthim ndryshe në identitet në ish- emrin që gezonte që në antikitetin e hershëm.


Me fillimin e punës së portit të ri të karburanteve iu hap rrugë tashmë edhe zgjidhjes së çështjes mjaft të debatuar së fundmi që ka të bëjë me sigurinë e portit më të madh në Shqipëri, Durrësit, sepse merr fund edhe ankthi i mijëra qytetarëve durrsakë mbi rrezikun e përhershëm që përbënte prania e mijëra tonelatave karburant pranë zonave të banuara.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›