E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatrot Publike te Evropes ne Tirane me 21 deri me 24 mars

Teatrot Publikë të Evropës mblidhen në Tiranë më 21 deri më 24 mars. Konventa Evropiane e Teatrit i ka besuar Teatrit tonë Kombëtar organizimin e takimit ku marrin pjesë përfaqësues të dyzet teatrove publikë. Buxhetet, audienca, sfidat e administrimit të fondeve publike gjithnjë në rrudhje, janë disa nga çështjet për diskutim në këtë takim për të cilin teatri po përgatitet prej një viti.

Me anëtarësimin në vitin 2008 në rrjetin Evropian të Teatrit, po ndodhte dalja jashtë kufijve e Teatrit Kombëtar. Po shihej se komunikimi me një publik tjetër dhe ardhja e regjisorëve të huaj pranë kësaj trupe, ishte e domosdoshme por mjaft e vonuar. Ashtu siç e provoi këtë pjesëmarrja në Bienalen e Bonit me Allegreto Albania të Stefan Çapalikut dhe regji të Altin Bashës, që në këto pesë vjet anëtarësim vazhdon të jetë një rast i izoluar i prezantimit të dramës shqipe për publikun e huaj.

Kohë pas kohe Teatrit Kombëtar i vërtitet fantazma e reformës. Diskutim që përfundon gjithnjë te pasja apo jo e një trupe stabël, e së fundi zërat radikalë hedhin idenë t’i rishikohet buxheti këtij institucioni, buxhet që prej disa vitesh nuk e ka kalon vlerën 10 milionë lekë.

Nga takimet me homologët e Evropës, Teatri Kombëtar vetiu do donte të tërhiqte më shumë vëmendjen ndaj vetes, por rishikimit të modelit të tij administrues nuk do t’i mjaftonin këshillat e të huajve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›