Tedi Papavrami: Fijet që më lidhin fort me Shqipërinë
Tashmë një nga violinistët më virtuozë të botës, Tedi Papavrami, ditën e shtunë për Ditën e Europës, më 9 maj, jep një koncert në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. I bashkohet projektit me shumë dëshirë dhe pati një sukses të padiskutuar para publikut shqiptar. Në intervistën për gazetën “TemA” kupton se Papavrami i madh, edhe pse ka ikur drejt Parisit në moshën 11 vjeçare, mbetet me sytë dhe zemrën nga Shqipëria. Janë disa fije që e mbajnë lidhur fort me Shqipërinë.
Aktualisht jeton me bashkëshorten e tij në Gjenevë të Zvicrës, por duket se fijet që e mbajnë lidhur me Shqipërinë janë dy fusha madhore të kulturës: letërsia e Kadaresë, të cilën prej nëntë vjetësh ka nisur ta përkthejë në gjuhën frënge dhe shkolla e violinës për të rinjtë, kjo si për të ecur në gjurmët e ndritshme të të atit Robert Papavrami, i cili ka bërë një punë shumë të rëndësishme për fëmijët në instrument. Robert Pavrami krijoi një traditë të re, e cila është ndjekur nga mjeshtërit e njohur të muzikës si Zhani Ciko, Xovalin Lazri, Orhan Xhorxhi, që “e kanë mbështetur që në çastin që vunë re se ai po bënte një ndryshim rrënjësor të kësaj shkolle”, pohon Papavrami në intervistën për gazetën “TemA”.
Robert Papavrami në atë kohë bëri një revolucion në shkollën e muzikës, sepse sipas rrëfimit të të birit deri atëherë nuk ishte kuptuar rëndësia e punës në violinë me fëmijët. Kështu që, ai bëri një lloj revolucioni dhe e pastaj u krijua në mjedisin artistik një dëshirë për të arritur diçka. Prej kësaj shkolle dolën talentet e para si Pirro Gjezi, pastaj Klodiana Skënderi, etj, etj. Profesorë të tjerë të muzikës ndoqën të njëjtën rrugë dhe u rrit niveli i njohurive muzikore. Pati një ngritje të madhe, pohon Papavrami dhe sot ai gëzohet që ka edhe nxënës e mësues të tjerë që vazhdojnë këtë traditë. Violinisti Papavrami është modest përkundër famës së tij. Pohon se gjithçka që bën, nuk e bën për t’u shquar ose dalluar mes të tjerëve. Gjithçka ai e bën për muzikën. Madje kupton që edhe vetë violina është vetëm një mjet që duhet t’i nënshtrohet atij për hir të muzikës. E ka nënshtruar! Ia ka dalë. Kur i bie violinës Tedi Papavrami, në zërin e saj nis zgjimi i të gjithë zogjve këngëtarë, i të gjitha ujvarave dhe flladeve të natyrës.
Dhurata Hamzai: Zoti Papavrami, ju nisët një udhëtim muzikor që është një koncert për Ditën e Europës, por edhe që është një dedikim special dhe i veçantë për ne. Për se e ndjetë veten të obliguar?
Tedi Papavrami: -Ishte thjesht një kënaqësi. Diskutova me zotin Zhani Ciko, të cilin e njoh që në fëmijëri. Ishte si fillim kjo bisedë dhe m’u dha rasti që të bëjmë një bashkëpunim, ideja më pëlqeu shumë. Kjo ishte në fillim ideja e Zhani Cikos dhe unë pastaj bëra propozimet e mia dhe më në fund ramë dakord për këtë program që është me të vërtetë shumë i bukur. Të dyja janë të bukura dhe ideja e koncertit dhe ideja e programit, por megjithatë është diçka që përputhet natyrshëm me idenë e repertorit vetë.
Dh.H: Repertori, ku bashkë me Himnin Shqiptar dhe Himnin e Bashkimit Europian u interpretuan edhe Bethoven, Chausson, Dvorak, Sarasate, Paganini, ishte më shumë përzgjedhja juaj apo ideja e organizatorëve?
Tedi Papavrami: -Unë e propozova mbasi Zhani Ciko më shpjegoi principin e mbrëmjes. U mendova në këtë anë dhe midis veprave në të cilën luaj propozova programin.
Dh.H: Paskeni propozuar dhe Paganinin?! Jemi kurioz të dimë a ka ndonjë lidhje, ndonjë lojë magjike, ose diçka më shumë se instrumenti muzikor i violinës për ta evokuar muzikën e Paganinit në një koncert të tillë, ose ndonjë marrëdhënie me mënyrën si ju i bini violinës?
Tedi Papavrami: -Paganini lidhet më fëmijërinë time, sepse e kam luajtur shumë në fëmijëri Paganinin dhe babai im i jepte shumë rëndësi këtij kompozitori për arsye violinistike, sidomos për të përforcuar e perfeksionuar teknikën, sepse është shumë i vështirë. Tani, sigurisht nuk është kompozitori më i thellë që ekziston dhe, në moshën time, muzika që më entuziazmon më tepër. Megjithatë më pëlqen ta luaj. Sigurisht Paganini përfaqëson Italinë, e cila në violinë, përveç Vivaldit, nuk ka kaq shumë kompozitorë. Italia është një shtet që është përfaqësuar më shumë për veprat në opera se sa në violinë dhe kështu që Paganini u ka qëlluar shumë mirë atyre.
Dh.H: Gjatë qindra koncerteve që keni dhënë, ju kanë bërë ndonjëherë ndonjë kompliment që ju mund t’i ngjani Paganinit kur luani?
Tedi Papavrami: -Paganini më shumë ka mbetur legjendë dhe pak njerëz dinë sot se si do të ketë qenë ai vetë në interpretim, dhe unë nuk besoj t’i ngjaj vërtetë. (Duke qeshur) Thonë se ishte pak i shtrembër e i kërrusur, kështu që s’besoj se i ngjaj...
Dh.H: Para këtij udhëtimi muzikor, ku keni qenë kohët e fundit dhe çfarë ka qenë më e bukura që ju keni përjetuar?
Tedi Papavrami: -Para këtij udhëtimi isha në Monako ku është një festival i rëndësishëm që quhet “Pranvera e Arteve” ku luajta disa herë, katër herë në fakt, me vepra të ndryshme, vepra kontemporane, vepra klasike. Qe një festival shumë i bukur, luajta me orkestër, me piano, me dy violina gjithashtu.
Dh.H: Ju mund të shpreheni edhe për ndonjë impresion që keni pasur. Do të ishte shumë interesante për lexuesin e gazetës sonë...
Tedi Papavrami: -Nuk di ç’të them. Unë luaj kaq shpesh, sa kur gjërat kanë mbaruar nuk i mendoj më. Gjithmonë jam duke menduar koncertin që vjen, kështu që nuk vonohem shumë në përshtypjet që janë akumuluar kaq shumë gjatë jetës sime, saqë kur kalojmë nuk të sjellim më atë kënaqësi që të japin në moment. Muzika vetë ta jep kënaqësinë në momentin që luhet ose interpretohet.
Dh.H: Pak më parë, ju e theksuat bashkëpunimin me operan shqiptare si një bashkëpunim të frytshëm. Atëhere si artist çfarë do të thoshit për disa nga mënyrat e bashkëpunimit me artistët shqiptarë që e zhvillojnë aktivitetin e tyre muzikor jashtë vendit?
Tedi Papavrami: -Ka pasur bashkëpunim me artistët e operas, por për sa u përket operave vet, është një fushë që unë nuk e njoh. Nëse e keni fjalën për bashkëpunimin tim si violinist me teatrin e operas së Shqipërisë, kjo varet nga projektet. Shpesh bisedoj me Zhani Cikon për ide të tjera, por në fakt unë jam interpretues dhe nuk mund të jem krijues projektesh, por kur një njeri si Zhani Ciko, roli i të cilit është sigurisht që të mendojë dhe të propozojë projekte dhe më propozon mua diçka, ne bisedojmë, flasim, shohim dhe ndërtojmë gjëra. Kështu që do ketë në të ardhmen edhe të tjera. Ndaj dhe një nga idetë që kam është se do të ishte mirë që të bëhen disa master kurse midis nxënësve dhe ne muzikantëve që jetojmë dhe luajmë jashtë Shqipërisë, edhe muzikantëve që punojnë këtu që të bëhet pak lidhja midis shkollës fillestare dhe rezultatit final që të mbërrish të luash në koncerte. Kështu që besoj se me kohë do të arrijmë ta krijojnë edhe këtë lidhje.
Dh.H: Sapo thatë që “jam interpretues”, e ju veçanërisht kini të drejtë ta thoni këtë. Atëherë po ju pyes për emocionalitetin tuaj gjatë interpretimit. Gjithë jeta juaj është e lidhur me violinën. Çdo të thotë të udhëtosh një jetë me violinën?
Tedi Papavrami: -Për mua rëndësi ka muzika. Violina është një mjet. Unë mundohem të zgjidh të gjitha problemet që instrumenti ka, të cilat janë të shumta, me synim që unë të shpreh gjithmonë atë që unë mendoj për muzikën. Dhe, muzikën unë e kam në kokë me ose pa violinë. Kështu që edhe po mos të bëja koncerte si interpretues vetë nuk do të ndryshonte shumë gjë. Kështu që unë do të kisha idetë për muzikën, do të mendoja për të. Kështu që violina nuk është gjithçka. Violina më tepër paraqet një disiplinë të përditshme për mua.
Dh.H: E shihni publikun kur interpretoni?
Tedi Papavrami: -Gjatë lojës jo, por në një moment gjatë pjesëve, ose gjatë kohës që ndalohet, sigurisht që e shoh, por varet edhe nga ndriçimi i sallës... Ndoshta e ke fjalën që të has shikimet e publikut. Po.
Dh.H: Çfarë thonë sytë e njerëzve në raste të tilla. Ka ndonjë të veçantë që ju e merrni në konsideratë?
Tedi Papavrami: -Janë zakonisht shumë të përqëndruar dhe për mua ka rëndësi që të jenë të përqëndruar dhe të ndjekin atë që bënë bukur interpretuesi në skenë dhe publiku e ndjek. Ka dy lloj mënyrash interpretimi: ka një mënyrë të të rënit të violinës që të nxjerrësh veten në pah dhe që të jesh i admiruar dhe një mënyrë tjetër më e rëndësishme që të transmentosh mesazhin e muzikës vetë dhe më e mira është që pikërisht interpretuesi fizikisht të harrohet dhe të krijohet një lidhje midis kompozitorit edhe publikut. Mua kjo e fundit më intereson.
Dh.H: Duket sikur në jetën tuaj profesionale gjërat nuk ndryshojnë shumë, muzika është shoqëruesja juaj dhe fama vjen e rritet pas çdo koncerti, po në jetën tuaj jashtë muzikës a ka diçka që ka ndryshuar?
Tedi Papavrami: -Po si të them, tani ka kohë që kjo dihet, që diçka ka ndryshuar. U bënë nëntë vjet që unë përkthej veprat e Kadaresë. Kjo për mua ka qenë një aventurë shumë e bukur dhe që vazhdon. Që në fillim ka qenë një e papritur dhe një pasurim në jetën time.
Dh.H: Për çfarë ju kanë tërhequr ose provokuar veprat e Kadaresë, saqë ndjeni kënaqësinë e përkthimit të tyre?
Tedi Papavrami: -Po roli im në këtë rast është një lloj interpretuesi. Unë duhet të interpretoj në frëngjisht atë që Kadare ma thotë në gjuhën shqipe në librat e tij. Kështu që këtu qëndron edhe kënaqësia ime.
Dh.H: Le të qëndrojmë pak tek profesioni i përkthyesit. Në këtë rast ju duhet të jeni në marrëdhënie me fjalën, me artin e fjalës. Ju ka tërhequr arti i fjalës, poezia, letërsia, ndonjëherë në jetë?
Tedi Papavrami: -Jo tani vonë.., por kur isha shumë- shumë i ri kam provuar të shkruaj poezi, novela. Gjithmonë më ka interesuar të di si të shprehem me artin e fjalës. Letërsia është e vetmja fushë që më ka interesuar në mënyrë të pavarur. Unë nuk u bëra shkrimtar, por si të gjithë përkthyesit tek unë ka një interes për letërsinë. Përkthyesit me të cilët kam biseduar kanë interesa të mëdha letrare, kanë dhe interes të veçantë për letërsinë si krijimtari, por nuk mund të bëhen të gjithë shkrimtarë.
Dh.H: A janë gjuha shqipe dhe gjuha frënge, dy gjuhë intime me të cilat ju jeni rritur në dy mënyra të ndryshme?
Tedi Papavrami: -Janë të dyja njësoj intime. Në shqip kam jetuar nga 0 deri në 11 vjeç, pastaj kam jetuar frëngjisht gjithë pjesën tjetër të jetës sime (përveç raportit me prindërit, i cili ka qenë gjithmonë shqip). Kështu që, shqipja i përket pak fëmijërisë, ndërsa frëngjishtja adoleshencës dhe jetës profesionale.
Dh.H: Kur është mbaruar një libër i Kadaresë dhe një miku juaj e ka pasur, çfarë ju ka thënë?
Tedi Papavrami: -Ah..! Janë të kënaqur me atë që ju kam sjellë në gjuhën frënge. Për mua ka rëndësi sidomos mendimi i Kadaresë vetë dhe i botuesit të tij. Por, edhe kam marrë fjalë gjithashtu nga kritikët dhe përkthyesi i Kadaresë në anglisht David Bellow, që është edhe një njohës i mirë i gjuhës frënge. Atë unë e kam njohur personalisht vonë, por ai përkthen përkthimet e mia, nga frëngjishja në anglisht dhe ka qenë shumë pozitiv mendimi i tij për punën time. Sigurisht që unë shpresoj se ia kam dalë, nëse ai e thotë, sepse David Bellow është një figurë shumë e rëndësishme e përkthimit letrar në Amerikë.
Dh.H: Zoti Papavrami, tani le t’u kthehemi planeve tuaja muzikore, koncerteve të së ardhmes, cili do të jetë një nga këto?
Tedi Papavrami: -I ardhmi është të premten në datën 15 Maj në Gjenevë në Viktoria Holl që është salla e madhe e koncerteve të këtij qyteti. Do të jetë një koncert me orkestër. Pastaj do të nisem në Kolmar që është një verilindje të Francës, gati në kufi me Gjermaninë dhe aty do të kemi një festival muzike.
Dh.H: Edhe pse ju udhëtoni kaq shumë me koncerte, keni edhe një familje që bashkohet me çastet e suksesit tuaj. Çfarë të reja kemi nga familja juaj?
Tedi Papavrami: -Në familjen time nuk ka shumë gjëra të reja. Prindërit e mi jetojnë në Bordo. Tani babai im, Roberti, ka dalë në pension. Megjithatë, vazhdon të jap mësime, është gjithmonë i pasionuar pas violinave dhe përgatitjes së nxënësve në violinë. Mamanë e takoj më shpesh, sepse ajo udhëton shumë. Unë vetë jetoj në Gjenevë me gruan time. Kemi blerë një shtëpi tre vite më parë. Ajo punon si mjeke psikiatre. Bën një jetë normale e të thjeshtë.
Dh.H: Ju vini nga një përvojë e shkëlqyer e shkollave të violinës. Çfarë keni për të thënë për shkollën shqiptare të violinës?
Tedi Papavrami: -Këto ditë të koncertit më kanë rënë në sy dy elementë të mirë në violinë: një djalë dhe një vajzë. Djali është 12 vjeç nga Vlora dhe është shumë i talentuar. Shoh që sigurisht po vazhdon një punë e mirë në shkollën e violinës. Violina ka lënë një traditë në vendin tonë. Këtë e di, jo për t’u mburrur..., por prirur nga faktet: kjo është falë punës që ka bërë babai im, që është shumë e rëndësishme dhe është ndjekur pastaj nga njerëz si Zhani Ciko, Xhovalin Lazri, Orhan Xhorxhi, që e kanë mbështetur se ai po bënte një ndryshim rrënjësor të kësaj shkolle, se deri në atë kohë nuk ishte kuptuar rëndësia e punës me fëmijët me violinë. Kështu që ai bëri një lloj revolucioni, pastaj u krijua një dëshirë për të arritur diçka dhe pastaj dolën nxënës të mirë si Pirro Gjezi, pastaj Klodiana Skënderi, dhe profesorë të tjerë ndoqën të njëjtën rrugë dhe u rrit niveli. Pati një ngritje të madhe dhe sot më bëhet qejfi që prapëseprapë ka edhe nxënës e mësues të tjerë që vazhdojnë këtë traditë në veçanti dhe janë tashmë shumë të rinj që kanë zënë vende në orketstrën këtu dhe kanë zënë gjithashtu vende në orkestra shumë të mira edhe nëpër botë. Shpresoj që kjo do të vazhdoj, ndaj po mundohemi që të vazhdoj duke krijuar një lidhje, sepse edhe unë jap mësim në Gjenevë. Mendoj të krijojmë një lidhje mes shkollës së këtushme dhe shkollës atje.
Pra, ju keni nisur të jepni violinë në gjurmët e babait tuaj?
Babai im pati një lloj ndëshkimi në periudhën komuniste gjatë sprastrimit ideologjik që iu bënë institucioneve nga intelektualët. Kështu që ai përfundoi në Vlorë. Dhe aty në Vlorë, në një shkollë muzike, ai filloi një punë vërtetë të thellë dhe filloi të kuptojë rëndësinë e punës në fëmijëri dhe sa e rëndësishme ishte kjo. Sigurisht, duke u mbështetur tek merita e shkollës botërore, shkollës ruse, të metodave që ekzistonin aty filloi të mësojë diçka të re. Babai u luftua shumë nga disa. Pati elemente që që e luftuan shumë se u dukej si një “gjë e keqe”, “një ndikim i huaj”, “moderne”, por pati edhe të tjerë si Zhani Ciko, Xhovalin Lazri, Orhan Xhorxhi që përkundrazi e mbështetën kur panë se po vinte diçka e re që ishte e paparë deri atëherë në Shqipëri. Por mund të thuhet, pa ekzagjerim, që ishte rastësi që unë qesh djali i tij. Ai me të njëjtën punë, sigurisht bëri të famshëm shumë nxënës të tjerë. Domethënë mund të thuhet që qe themeluesi i diçkaje të re, krejt të re, që deri në atë kohë ishte pak e vjetër. Edhe themeloi diçka që po vazhdon akoma.
Tedi Papavrami
Lindur në Tiranë ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Në moshën 8- vjeçare, interpreton “Arie Bohemienne të Sarasate me orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganini-t. Në shtator 1982, falë flautistit Alain Marion , qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova . Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona. Tedi Papavrami ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker, Orchestre de Paris, etj. Ka interpretuar nën drejtmin e dirigjentëve të njohur si K.Sanderling, C.Hogëood, A. Pappano, L.Langree, G. Varga, Z.Macal, J.C.Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capriçi” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. Artisti i gjithanshëm Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P.Bianconi, H.Sermet, M.Rubackyte, P.Meyer, E.Lesage, R.Oleg, G.Hoffman,etj. Përtej muzikës, Tedi Papavrami ka shfaqur edhe mjaft prirje te tjera në art. Një interes të madh për Tedi Papavramin paraqet letërsia. Madje në vitin 2000 shtëpia botuese franceze “Fayard” e emëron përkthyes zyrtar të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.