E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cilët do jenë “kuajt e betejës” së Berishës

Nga Mero Baze

Partia Demokratike nuk ka dhënë ende asnjë sinjal publik për përmbajtjen e listave dhe kriteret që do të përdoren për rreshtimin e kandidatëve. Për shkak të mungesës së përvojës për të punuar me këtë sistem, tashmë vëmendja nuk është më realisht tek emrat, pasi ata dihet që do të jenë njerëzit luajalë të kryeministrit, por te rreshtimi i tyre. Duke qenë se kufiri ku PD dhe PS i kanë të sigurt deputetët shkon deri te 40 përqindëshi i listës, atëherë problemi kryesor që duhet të zgjidhë parimisht Berisha është se cilët ka kuajt e betejës në këtë fushatë për t’i vendosur te kufiri i 40 përqindëshit që të arrijnë të marrin pak më shumë vota, dhe të jenë nxitës të garës. Për hir të së vërtetës, gara ka për të munguar tek emrat që janë të parët në listë, ashtu siç do të mungojë dhe për ata që janë formalisht në listë pas 40 përqindëshit. Atëherë në kuaj beteje do të shndërrohen ata që janë në kufirin kritik të fitores apo humbjes, që i bie pak më para se te gjysma e listës.

Në zgjedhjet e vitit 1996, Sali Berisha përdori si kriter për kandidimin emrat më të fortë në zonat më të vështira. D.m.th., ministrat dhe figurat më popullore të partisë ai nuk i çoi në zona të sigurta, por në zona të vështira për të përmbysur rezultatin. Kështu, Shehi shkoi në Vlorë, Musaraj në Berat, Kopliku në Pukë, Pollo në Përmet etj.

Tashmë, kjo gjeografi nuk vlen më. Sistemi i ndryshuar e bën të parëndësishme zonën ku shkon, por rrit vetëm rëndësinë e vendit që ke në listë.

Nëse Berisha përdor kriteret e vitit 1996, atëherë ai duhet të vendosë të gjithë ministrat në brezin e zjarrit për të parë nëse shqiptarët ia votëbesojnë apo jo qeverinë. Kështu, nëse kemi kriterin që qeveria ka pasur sukses dhe ajo motivon qytetarët, ministrat duhet të jenë te brezi i dyshimtë i sigurisë për t’i rritur sigurinë listës. Për shembull, Ruli duhet të jetë i dyti ose i treti në Gjirokastër, Pollo i katërti ose i pesti në Berat, Bode i gjashti në Korçë, Topalli e pesta në Shkodër, Bumçi i 14 në Tiranë, Gjana i dyti ose i treti në Kukës, Oketa i gjashti ose i shtati në Durrës e kështu me radhë. Ky kriter do të na jepte sigurinë se Berisha vërtet e beson atë që kjo është qeveri e burrave dhe grave që mbajnë fjalën. Nëse ai ua ofron qytetarëve shqiptarë t’i votëbesojnë qeverinë, atëherë ai së paku ka bërë një gjest të fortë politik, qoftë dhe për të qenë moralisht në rregull me qytetarët, të cilëve u është hequr realisht e drejta e votimit apo e ndëshkimit të deputetëve të tyre. Kam qenë disa herë në jug muajt e fundit dhe sa herë që më takojnë njerëzit, flasin për Genc Rulin sikur e kanë në dorë të votojnë pro apo kundër tij. Ua kam bërë disa herë të qartë se nuk e dëmtojnë dhe as e ndihmojnë dot Genc Rulin, pasi është i mbrojtur si i pari i listës. Por mund të ndodhë që vala e dëshpërimit të njerëzve që nuk reagojnë dot ndaj deputetëve të tyre, të bjerë mbi PD dhe ta fundosë atë. Për këtë është mirë që së paku ministrat të ekspozohen në brezin e dyshimtë të sigurisë së listës për të qenë ata kuajt e betejës së fushatës. Është e pamoralshme që një deputet që ka qenë dhe ministër dhe që ka injoruar për vite të tëra mbështetësit e vet, tashmë të shkojë si burracak i mbrojtur nga lista e Berishës dhe të ribëjë me cinizëm premtimet elektorale. Nga ana tjetër, kjo skemë i liron duart Berishës dhe për qeverinë e nesërme, nëse fiton, pasi ata ministra që i mbijetojnë fushatës, e meritojnë të rifuten në kabinet.

Berisha, ndryshe nga Rama, i cili zbuloi disa kritere përzgjedhjeje për deputetët, është hermetizuar i gjithi dhe po bën përpjekje të mbajë të painformuar dhe stafin e ngushtë të tij, me qëllim që të përdorë befasinë ndaj pakënaqësive të të gjitha palëve. Disa deputetë të tij kanë dorëzuar dokumentet për deputetë te Poli i Lirisë me “embargo” deri në minutën e fundit, kur të marrin vesh, nëse janë apo jo deputetë në listën e Berishës. Kjo situatë qesharake, dhe ky hermetizëm nuk po na lë të diskutojmë, jo më për emrat, por as për kriteret që do të përdoren. Nuk dihet se kë do të përdorë Berisha për kalë beteje në fushatë, por kategoria e vetme që mund ta përballojë atë pozicion janë ministrat. Nuk besoj se gratë apo të rinjtë që ai do të fusë në listë do të kenë fuqinë të bëjnë diferencën që i duhet për pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›