E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi, PBDNJ kritikon qeverinë dhe paralajmëron koalicion majtas

Nga L.Progni

Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, gjatë kongresit të djeshëm të kësaj partie, ka akuzuar qeverinë aktuale për mosarritje në disa fusha, duke paralajmëruar kështu një koalicion me PS gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Dule ka kritikuar qeverinë, në të cilën bën pjesë edhe vetë partia e tij, në lidhje me mosgarantimin e së drejtës së votës për emigrantët, ndërsa tha se arritjet kanë munguar edhe në fushën e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe trajtimit të minoriteteve. Vendimi për përfshirjen në koalicion të PBDNJ pritet që të merret gjatë datës 13 maj. Në rast se kjo e fundit do të vendosë që të bashkëpunojë me të majtën, sipas sondazheve të kryera, PS me aleatët e vet del fituese e zgjedhjeve të qershorit.

Kongresi

Partia për të Drejtat e Njeriut i ka dhënë një mesazh të qartë mazhorancës gjatë ditës së djeshme, duke paralajmëruar përfshirjen e saj në koalicion me të majtën për zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë kongresit të kësaj partie, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, ka kritikuar ashpër qeverinë, në të cilën aktualisht bën pjesë edhe vetë partia që ai drejton. Dule kritikoi qeverinë në lidhje me garantimin e së drejtës së votës për emigrantët, gjë që e kërkoi me forcë gjatë hartimit të Kodit Zgjedhor, por që në fakt nuk ndodhi. “Qeveria në të cilën ne kontribuojmë u angazhua se në zgjedhjet e kësaj radhe emigrantëve do t'u garantohej e drejta e votës. Edhe në këtë sektor të politikës mbizotëron slogani dhe spekulimi”, - u shpreh gjatë fjalës së tij kreu i PBDNJ. Ndërkohë, sipas Dules, kjo qeveri ka abuzuar dhe bërë demagogji për hyrjen e Shqipërisë në NATO, duke qenë se ajo është arritje e të gjithë shqiptarëve. “Integrimi në NATO dhe arritja në Aleancë u përdor si slogan demagogjik me shumë sesa si arritje e të gjithë shqiptareve”, - u shpreh ai. Përveç këtyre, Dule akuzoi qeverinë dhe për mosarritje në fushën e arsimit, shëndetësisë, trajtimit të minoriteteve etj. Kritikat e tij të djeshme, edhe pse ende nuk është marrë vendimi se në cilin koalicion do të përfshihet kjo parti, të lënë përshtypjen se PBDNJ gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit do të jetë pjesë e koalicionit të majtë. Megjithatë, kjo gjë pritet që të vendoset pas tri ditëve, pikërisht të mërkurën. Në rast se kjo parti do të përfshihet në koalicionin e drejtuar nga Partia Socialiste, sipas sondazheve të kryera, kjo e fundit do të shpallej në mënyrë bindëse fituese e zgjedhësve. Për këtë arsye, duke parë rëndësinë e kësaj partie, si e majta, ashtu dhe e djathta, janë duke bërë përpjekjet maksimale për përfshirjen e PBDNJ në koalicionet e tyre. Madje, kreu i PD, njëkohësisht kryeministri i vendit, Sali Berisha, vizitën e para pak ditëve të kryeministrit grek, Kosta Karamanlis, u përpoq ta shiste në media si një mbështetje të Karamanlisit për bashkimin e PBDNJ me koalicionin e djathtë. Por, me zhvillimet e fundit kjo gjë ka pak gjasa që të ndodhë, duke qenë se partia që udhëhiqet nga Dule është e orientuar që zgjedhjet e 28 qershorit të jetë pjesë e koalicionit të majtë. Kjo gjë shihet dhe në disa prej pikave të programit të kësaj partie, sidomos për votën e programeve, të cilat janë të përbashkëta me programin e së majtës. Sakaq, gjatë kongresit të Partisë së të Drejtave të Njeriut, në sallë ka qenë i pranishëm edhe kreu i Bashkisë së Himarës, por dhe shoqatës OMONIA, Vasil Bollano, i cili në fakt është dënuar nga ana e gjykatës së Vlorës me 6 muaj burg, edhe pse vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›