E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tedi Papavrami rrëfen: Violina, përkthimi i librave të Kadaresë dhe aktrimi

SHKRUAN: Mirela Milori 01-11-2011 13:46

Violinisti i mirënjohur shqiptar, Tedi Papavrami është i ftuar nga ambasada franceze në Washington për tri mbrëmje koncertore. Papavrami në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, rrëfen fëmijërinë e tij të vështirë në Paris dhe si u lejua të studionte në Konservatorin e Parisit me lejen e Enver Hoxhës

Violinisti i mirënjohur shqiptar, Tedi Papavrami është i ftuar nga ambasada franceze në Washington për tri mbrëmje koncertore. Së bashku me pianistin e njohur francez, Fransua Frederik Gi, ai do të interpretojë një repertor të zgjedhur klasik. Papavrami në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, rrëfen fëmijërinë e tij kur u vendos në Paris në moshën 11-vjeçare, opinionin e tij për ecurinë e muzikës klasike shqiptare, si dhe interesat që mbushin jetën e tij profesionale. Violina është një rit i zakonshëm për Tedi Papavramin, një rit që e ka nisur që në moshën 11-vjeçare, kur lodrat nisën të zëvendësoheshin nga violina e vërtetë. Për Tedi Papavramin, violina mbetet ekuilibri i jetës së tij. “E kam të vështirë ta imagjinoj veten pa violinën”, - thotë artisti për “Zërin e Amerikës”.

Ju ishit i vetmi fëmijë i talentuar shqiptar që t’u lejua të ndiqje Konservatorin në Francë. Si ka qenë fëmijëria juaj kur u vendose në Paris në moshën 11-vjeçare?

Në fakt, arritja në Paris qe shumë e rëndë për mua, sepse isha 11 vjeç dhe shumë shpejt pasi hyra në konservator babai im kishte ardhur të më shoqëronte dhe ai kthye në Shqipëri, pasi nga momenti që unë fitova konkursin ishte shumë e vështirë që të lejohesha të vija të studioja në Francë. Nga momenti që hyra në konservator unë mbeta vetëm atje, sepse ai u kthye. Një fëmijë 11-vjeçar që ishte mësuar të jetonte në Shqipërinë e asaj kohe, e cila ishte shumë larg jetës moderne. Megjithatë, mbeti diçka e rëndë sepse ishte një vend që ishte lidhur tek unë me përgjegjësi shumë të mëdha, pasi ishte një gjë shumë e rrallë që mua më lejuan në atë kohë të studioja në Francë. Dhe kjo ishte bërë me lejen e Enver Hoxhës, dhe vetëm ata që kanë jetuar në atë kohë mund ta kuptojnë sensin e përgjegjësisë që merrte për mua kjo gjë.

Cili është opinioni juaj për ecurinë e muzikës klasike shqiptare?

Shqiptarët, edhe kur janë veç e veç muzikantë të mirë, kur luajnë bashkë nuk dinë të akordohen me njëri-tjetrin, u mungon një lloj kulture. Po të marrësh një orkestër amatorësh studentësh anglezë, do të tingëllojë më mirë, sepse ata kanë një mentalitet që dinë të shkrihen me njëri- tjetrin. Kjo është diçka, që në mënyre kulturore i mungon jo vetëm Shqipërisë, por gjithë Ballkanit.

Si mendon, përse ndodh kjo?

Sepse njerëzit nuk e respektojnë njëri-tjetrin dhe nuk e kanë krenarinë e grupit, por atë të individit.

Zoti Papavrami, ju keni nisur të përktheni veprën e Ismail Kadaresë dhe tashmë jeni përkthyes zyrtar i tij. Ka qenë zoti Vrioni deri në momentin që ai u nda nga kjo jetë. Si ndjeheni që përktheni veprën e Ismail Kadaresë?

Për mua është kënaqësi e madhe sigurisht, që fillimisht isha shumë i impresionuar nga kjo përgjegjësi, por tani janë bërë 12 vjet që e kam marrë këtë rol dhe që kam përkthyer, normalisht përgjegjësia mbetet por nuk është aq frikësuese sa ç’ishte në muajt e parë, sepse nuk e dija se çfarë rezultati do jepte dhe si do arrija të përktheja një libër deri në fund, pasi ishte diçka e panjohur për mua. Zhytem prapë kur lexoj Kadarenë në gjuhën shqipe në një lloj mentaliteti, që sigurisht është dhe personaliteti i Kadaresë vetë, por është edhe një përzierje mes asaj që ai ka marrë nga karakteristikat e Shqipërisë dhe personalitetit të vet, që sigurisht është shumë i fuqishëm, dhe ta përkthesh atë në një gjuhë që rrjedh nga një kulturë shumë e ndryshme si ajo franceze është shumë e vështirë. Por është gjë e bukur të arrish t’ia krijosh këtë përshtypje një njeriu që nuk është shqiptar, që s’e ka idenë se çfarë është Shqipëria apo çfarë janë karakteristikat e thella shqiptare, që për ne tingëllojnë natyrshëm që nga mënyra e dialektit apo e të shprehurit.

Keni edhe interesa të tjera përveç muzikës dhe përkthimit. Keni marrë pjesë në një film me aktoren Katerinë Denev, keni pasur edhe një bashkëpunim me Artan Minarollin. Është vërtet kaq interesante dhe tërheqëse bota e filmit për ju, apo është një botë ku ju hyni dhe dilni?

Është kjo e dyta besoj, është tërheqëse sigurisht, por nuk është diçka që unë e kërkoj se do të më dukej absurde, pasi ka aktorë profesionistë që janë përkushtuar shumë më thellë se unë kësaj fushe, dhe mua violina më mobilizon krejtësisht.

Ka fëmijë që ëndërrojnë të bëhen violinistë të mëdhenj, çfarë do t’u këshillonit?

Çdo gjë është tek puna. Bahu ka thënë një fjalë: “Ai që do të aplikohet aq shumë sa unë, do të arrijë të bëjë aq mirë sa unë”. Që do të thotë se, nuk e ka konsideruar veten të veçantë, por e ka konsideruar thjesht proporcionale me dozën e përqendrimit që ka pasur dhe të vullnetit.

Mirela Milori (“Zëri i Amerikës”)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›