E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat, studentët në protestë për heqjen e anglishtes

Studentët e Masterit: Të hiqet TOEFL-i si kusht për diplomim. Provimi i gjuhës angleze kushton shumë për një student

Një grup studentësh që vazhdojnë studimet e Masterit në kryeqytet, kërkojnë heqjen e anglishtes si kusht për diplomim. Për këtë arsye, ditën e djeshme këta studentë kanë organizuar një protestë në ambientet e Fakultetit të Histori-Filologjisë, duke bërë të ditur se janë kundër nenit 26 të Ligjit të Arsimit të Lartë, që e bën të detyrueshme këtë gjë. Sipas studentëve, favorizimi për certifikimin e anglishtes nga programe si TOEFL-i , diskriminon gjuhët e tjera dhe përpos kësaj, provimi i gjuhës angleze kushton shumë për një student. Ndaj të rinjtë bëjnë të ditur se kërkesa e tyre do t’i përcillet edhe Ministrisë së Arsimit për të bërë këtë ndryshim tashmë të kthyer edhe në ligj. Studentëve të Masterit iu pengohet dhënia e diplomës, për shkak se duhet të mbrojnë gjuhën angleze me testin e TOEFL-it, ose SAT-it. Më 5 prill të vitit 2011, Universiteti i Tiranës nënshkroi zyrtarisht memorandumin e bashkëpunimit me partnerin e njohur ndërkombëtar ETS Global për marrjen e së drejtës së certifikimit të gjuhës angleze për të gjithë studentët shqiptarë. Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me ETS kanë detajuar tashmë përmbajtjen dhe strukturën e testeve TOEFL IPT dhe TOEIC, si dhe tarifat që do të paguajnë kandidatët që do t’i nënshtrohen atyre. Kostoja e testit të TOEFL IPT do të jetë 66 euro, ndërsa testi do të ketë 140 pyetje. Ndërkohë që për TOEIC taksa do të jetë më e lartë, 134.9 euro, e po kështu edhe numri i pyetjeve. Në total testi i TOEIC, që do të jetë i ndarë në dy pjesë, do të ketë 200 pyetje, 100 për seksionin e parë dhe po 100 për të dytin. Sipas kushteve të vendosura nga MASH, për programet e ciklit të dytë, Master Profesional do të kërkohet të arrihet Niveli B2 i anglishtes, që nënkupton kompetencë të mjaftueshme gjuhësore. Kurse për programet e ciklit të dytë, Master i Shkencave dhe për studimet e ciklit të tretë nevojitet Niveli C1-kompetencë operative e kënaqshme gjuhësore. Këto dy teste ndërkombëtare të gjuhës duhen marrë përpara diplomimit në Master apo Doktoraturë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›