E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tefik Caushi, nostalgjia për profesorin

Kur një njeri që të ka dhënë dije dhe edukuar ndahet nga jeta, sikurse ishte rasti përpara disa javësh me profesorin e estetikës Tefi k Caushi, sigurisht ndjen një dhimbje që të duket se një pjesë e jotja nuk është më.
Edhe nuk është më, por edhe vazhdon të jetojë te ty përderisa vlerat, mësimet, dijet e atij që ka ikur nga kjo jetë kanë mbetur te ty, ndërkohë që vetë ai nuk është. Të duket se nuk ke më mbrojtës intelektual, nuk ke më kujt t’i referohesh. Padrejtësisht i kishe ngarkuar në imagjinatë rolin e atij që ka përgjegjësinë për ty, si dikur mësuesit, dhe brenda një çasti, të duket se ke fituar lirinë, në një jetë pa orientim, çka për një çast të jep ankth e pastaj përgjegjësi për të vazhduar. Studentët e nxënësit e tu janë aty, ata presin prej teje të mbash përgjegjësi për orientimin e tyre në jetë, ndërkohë duhet të luash një rol teatral, sidomos në një çast dobësie kur ti ndjen se toka të ka rrëshkitur në këmbë, tërmeti ka shkundur një gur themeli të qenies tënde, vullkani ka djegur “pyje” të tëra te ty dhe toka ka rrëshkitur drejt një humnere. Në një ditë humbjeje si ajo, ti ke nevojë t’iu thuash atyre që kanë nevojë për ty : “Më lini të qëndroj një sekondë vetëm, të kujtoj nostalgjinë e profesorit tim, të qaj humbjen e mbrojtjes intelektuale, të qaj pasigurinë sepse nuk kam se ku shkoj më në çaste të vështira për t’i bërë një pyetje e marrë përgjigjen në lëvizjen e gjallë të syve të tij që të shohin drejt, anash, me një lëvizje të kokës prapa, e që janë aq domethënës ! Më lini një çast në dobësinë time dhe pastaj vazhdojmë lojën tonë!”. Vitet e fundit ishte dobësuar. E shihja te shëtiste nga kodrat e liqenit, vetëm, i menduar, ndofta me gjymtyrët që kishin nisur t’i humbisnin sigurinë e lëvizjes, pak të dredhur, por gjithmonë me sytë e shndritshëm dhe me një buzëqeshje të hollë në buzë. Të dallonte nga larg. Hidhja motoçikletën time tej në anë të rrugës dhe e përqafoja me mall. Nuk pranonte kurrë formalitete, drejt e në temë si gjithmonë: “Të kam lexuar më thoshte!” dhe dinte me hollësi të gjitha idetë, qëndrimet e mia dhe të gjithë miqve të mi të kursit, ish-student të tij, për të gjitha çështjet shoqërore, politike e kulturore. Nuk i shpëtonte asgjë nga dinamikat e jetës së përditshme. Të bënte të skuqeshe sepse dihej shpirti dhe mendja e tij kritike. Nuk kishte asnjëherë një vlerësim absolut, gjithmonë një “por” shoqëronte gjithçka. Puna ishte të masje se sa e madhe dhe e rëndë ishte ajo “por” në raport me vlerësimin që ai bënte, gjithmonë me dashuri, gjithmonë duke të falur. Nuk e kisha dëgjuar kurrë ta shprehte hapur, por e dija nga qëndrimet se filozofia e tij nuk e pranonte kurrë perfeksionin, nuk e besonte përgjigjen si të plotë, të kishe një qind për qind të drejtë do të thoshte për të vetëm se aq kapacitet kishe për të mos njohur dot kufizimet e vetvetes. Ai i dinte sipas tij të tijat dhe na i thoshte. Kush donte ta kuptonte, mësonte se duhej të shihte të kufizimet e veta. Nuk dinte kurrë të fliste me gjuhë të drunjtë dhe kur të thumbonte me kritika që janë detyra e një mësuesi ndaj nxënësve të tij. Me çdo çmim ai duhet t’i bëjë ato, pavarësisht nëse ia marrin për keq, nëse hakmerren ndaj tyre, nëse prish qejf. Sikurse thoshte Platoni, kështu është njeriu që në fëmijëri. Fëmijët duan më shumë pastiçierin sepse iu jep ushqim të ëmbël, ndonëse iu bën keq për shëndetin, dhe nuk duan mjekun sepse medikamentet që iu rekomandon për t’u shëruar janë shpesh të hidhura. Por, e folura e tij gjithmonë e mençur kishte një të mirë të madhe, kush nuk ishte i zoti t’a kuptonte, nuk e kuptonte dot. Ishte i lirë prej tij. Duhej të kishe akses në mendimin e tij. Ai na orientonte debatet në fushën e estetikës në fakultetin e filozofisë duke filluar nga vitet e para ‘70, pikërisht në një kohë kur presioni ideologjik i propagandës dhe i ideologjisë ndaj arteve dhe artistëve ishte bërë i jashtëzakonshëm. Jetonim në një periudhë të rëndë për krijimtarinë. Tefik Caushi mbeti në mendjen time një profesor që nuk e donte ideologjinë. Nuk donte abstraksionin bosh në përgjithësi. I besonte intuitës së artistit, donte veprën letrare në konkretësinë e vet, dhe e dinte mirë se arti nuk është thjesht projektim i një strukture abstrakte mbi materien e botës. Ai i besonte krijimit që vetëm shpirti njerëzor i pajisur me dhunti të veçanta di ta realizojë. Sa herë na thoshte se nesër nuk do të qëndrojmë në auditor, por do të shkojmë në filan studio, në filan teatër, në filan skenë për të parë procesin krijues. Dhe atëherë habitesha po aq nga fakti se ai e linte artistin dhe shkrimtarin të fliste duke u sfumuar para tij, duke i lënë një hapësirë lirie pa u bërë aspak xheloz se kishte lëshuar nga pushteti i tij pedagogjik mbi studentët e tij. Nuk e tha kurrë haptazi leksion këtë botëkuptim që ushqente, liberal në vetvete, dhe ushqim për artin, por gjithçka që bënte e fliste atë. Sigurisht për ata që donin t’a lexonin. Në auditoret tona erdhi nga një periudhë ndëshkimi. Në auditore qarkullonte informacioni se e kishin pas hedhur si montator në Azotikun e Fierit. Por, kurrë nuk e përmendi. As para dhe as pas viteve ‘90, nuk u lavdërua dhe nuk u justifikua kurrë. Kaq mjaftonte për t’a kuptuar. Ai nuk donte asgjë pa meritë, urrente privilegjet, nuk donte të bënte as viktimën dhe as heroin. Kishte një dinjitet dhe personalitet të panegociueshëm me asgjë. Dukej i papërkulur në dinjitet. E kuptoje se përse qysh në vite të një rinie shumë të hershme ishte hedhur në rezistencë antifashiste, ndonëse nuk e dëgjova kurrë të zgjatej në kujtime. Jetonte me të ardhmen. Nuk donte manipulimin e historisë. Nuk tha kurrë se kam merita në të kaluarën. Vendosej në stad të barabartë me bashkëbiseduesin. I kuptonte studentët që e respektonin veçanërisht, ndonëse ishte kërkues. Dukej që ishte marrë me rininë, e drejtues rinie. I njihte mediat, gazetarët dhe gjinitë të shkruarit mjeshtërisht. Dinte ta analizonte lajmin, faktin, tekstin, me një kulturë fine, aristokratike. Ishte marrë me shtypin, por nuk i kishte ndritur karriera në atë hierarki që nuk i thoshte të zezës e zezë dhe të bardhës e bardhë. Nuk mund të kishte drejtues aq autentik për Institutin e Lartë të Arteve sa ai që njihte shpirtin dhe zemrën e krijimtarive artistike. Unë besoj se drejtuesit aktualë të këtij institucioni, ndofta do ta mendojnë që një salle në atë vend t’i japin emrin e tij. Kuptohej se e mundonte izolimi kulturor dhe politik i vendit duke e shkëputur kulturën shqiptare nga prirjet bashkëkohore në arte letërsi, dukej sidomos për studentë si unë që patëm fatin të qëndrojmë pranë tij për disa dekada, në fakt qëndroi ai pranë nesh duke na drejtuar për dore në vite të vështira intelektualisht dhe politikisht, për tridhjetë e pesë vite rresht. Atë nuk mundeshe thjesht t’a dëgjoje, atë duhej ta deshifroje në të pathënat dhe të thënat e tij. Ky ishte fati i një pjese të pedagogëve tanë të nderuar, shpesh bënin atë që nuk thoshin, nuk bënin atë që thoshin në auditoret e kontrolluara fort nga Big Brother-i. Kurset e vërteta të leksioneve me ta ishin jashtë mureve të shkollës, te dykuptimësia e të shprehurit, te qëndrimet konkrete, te konfidencat e holla në kujtime. E gjeje në vendet më të emancipuara që krijonte si mundësia e koha. Më kujtohet se për vite të tëra e shihje te tavolina e parë, rreshti i parë djathtas, e sallës së madhe të studimit të katit të dytë të Bibliotekës Kombëtare. I përpiktë në oraret e tij. Librin nuk e shtrëngonte sikur të donte të drejtonte me dorë të pasigurt një timon biçiklete, nuk e nënvizonte, por e mbante si një lloj partiture përballë, shtrirë mbi dru, ose në pëllëmbë të dorës me një farë distance që bënte që sytë t’i fokusonin më mirë shikimin. Ishte ai në sallë, një pjesë e jona që punonim me të tanimë si pedagogë e punonjës të rinj shkencorë, vartës të tij, siguroheshim se ia vlente të punonim. Ai dinte të gjithë ecurinë tonë. Kishte merak stilin. Kishte merak qartësinë e mendimit. Kishte merak argumentin. Aty nga fundi i viteve ‘80 më tha një ditë se nuk shkruhet pa përgjegjësi. Të gjithë duhet të trajtojmë ato që shkruajmë sikur të ishin veprimet tona qytetare. Nuk e di t’a ketë shkruar gjëkundi, por ishte nga goja e tij që e dëgjoja aq qartë të artikuluar se akti i krijimit dhe akti qytetar ishin ekuivalent për nga përgjegjësia morale dhe politike. Në ato kohë nuk kënaqej nga asnjë reformë. Çdo gjë i dukej e pakët, e mefshtë, e ngadaltë. Nuk e shkroi në publik, por na e thoshte se nuk duhej endur për një kohë të gjatë mes dy modelesh, por me vendosmëri duhet ecur drejt atij që ka të ardhmen. Mendonte, së paku, shprehej në mënyrë konkrete. Ishte mjeshtri i mendimit konkret. Aty nga viti ‘89, një ditë të nxehtë vere, më tha “E more vesh, në Hungari partia sunduese po drejtohet nga një kryesi me rotacion!” Sot duket si diçka pa shumë rëndësi, por në atë kohë donte të thoshte se kulti i individit si shef partie ka marrë fund. Padyshim ishte njeriu që njihte më mirë, në detaje, në frymëzim, në pa fund labirinte filozofiko-letrare dhe politiko-estetike veprën e Ismail Kadaresë. Nuk kishte njeri ta tundte nga mendimi se kishim të bënim me një krijim letrar që nuk kishte të krahasuar në historinë letrare të Shqipërisë. Kurrë nuk e ndjeva ta lexonte atë vepër sipas leximit zyrtar, gjithmonë në aspektet e veta jokonformiste. Nuk e pashë kurrë të tutej se mos sulmet ndaj Kadaresë përgjatë viteve ‘80, bërë nga zyrat, mund të hidhnin edhe fishek qorr mbi supet e tij të brishta. Aty nuk lëshonte dhe nuk tërhiqej. Njihte muzikën klasike, admironte pikturën postmoderne, njihte traditën letrare shqiptare, dinte të orientohej me mjeshtri tek autorët e mëdhenj të kohës së tij. Mësuesi im, pastaj kolegu im i nderuar, e më në fund erdhi një çast që nuk ishte më përgjegjësi i sektorit universitar ku punonim. Qysh të nesërmen ishte pozicionuar demokratikisht dhe pranonte institucionalisht drejtimin e qendrës nga ish nxënësi të tij. Ishte një provim i mundimshëm të drejtoje mbledhjet në prani të tij që e kishte shndërruar atë sektor në një mjedis të mbrojtur relativisht për një mendim aq të lirë sa mundej në atë kohë. Të jepte aq shumë intimitet dhe konfidencë intelektuale, sa ndjeheshe në një komunikim shumë personal. Doje t’i tregoje anën më të mirë dhe të justifikoje veten tënde para vështrimit të tij kritik. Por, e gjitha shkrihej sepse ai nuk mund të ishte pronë e askujt. Sapo shihje sesi e rrethonin ish studentët e tij, anembanë vendit, krijues, artistë, mësues, me një dashuri pa imponim, të dukej se ishe pjesë e një bashkësie ku ai kishte rrezatuar. Nuk dinte të bënte ndere të pamerituara le të hidheshe përpjetë, nuk di të ketë bërë ndonjëherë ndonjë padrejtësi sado të vogël, të kërkoje një privilegj ishe i përbuzur prej tij, nuk dinte të mbetej rob i klisheve, nëse doje të gjeje një njeri ku të bashkohej dija, mprehtësia intelektuale, sfida e mendimit kritik, qartësia e mendimit, respekti për kulturën e vërtetë – mbetej shembull. Ja përse mora leje ta ndaja me lexuesin nostalgjinë për profesor Tefik Caushin, duke ditur se ka pafund njerëz si unë që i detyrohen veprës dhe kujtimit të tij.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›