E Diel, 1 Nëntor 2026

Tanush Mulleti: Qazimi i deklaroi Bahri Omarit, se vdekja do t'i vinte nga Enveri

Vijojnë të zbardhen momentet interesante të jetës militante të ish-prefektit historik të Kryeqytetit, Qazim Mulletit.
*- Nipi i tij tregon për muzeun personal të jashtëzakonshëm të bërë në shtëpinë e Mulletit, relike për të cilat nuk kishte pranuar as ofertat astronomike të burrave të shtetit të Europës
*- Historia e armëve të argjendta dhe relikeve 400-vjeçare, të cilat u përdorën nga Enver Hoxha për t’ua dhuruar udhëheqësve kryesorë të shteteve komuniste.
*- Tanush Mulleti rrëfen gjithashtu, - duke shpalosur dokumentin e rrallë, - për ditët kur gjermanët, të ngelur pa ushqime, kërkuan flori te qeveria shqiptare, për të cilat konstatohen firmat e gjithë ministrave të asaj kohe.
*- Paralajmërimi që i bëri Bahri Omarit kur i shkoi për vizitë në shtëpi dhe kuptoi se aty ishte fshehur Enver Hoxha.
*- Kontaktet që ai ndërmori, që në pranverën e ‘44-ës, me krerët e Ballit dhe Legalitetit, të cilët i alarmoi duke u treguar se lufta do fitohej nga komunistët.
*- Çastet e 9 shtatorit të ’44-ës, kur tre muaj para se Enver Hoxha të hynte në Tiranë, vendosi të largohej përfundimisht nga Shqipëria dhe amaneti që i la të vëllait në çastet e kalimit të kufirit.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Tanush. Folëm hollësisht nga numri i kaluar për një muze të veçantë që xhaxhai juaj paska pasur në shtëpinë e vet, ku për të kishte përshtatur një dhomë të posaçme. Një muze i përbërë nga antika më shumë se 400-vjeçare dhe armë që të kohës së Sulejman Pashës, ndërkohë që nuk ishin lënë mënjanë veshjet tradicionale kombëtare të krahinave të vendit. Po ashtu, u ndalëm goxha në lidhje me miqësinë e afërt që Qazim Mulleti paska pasur me gjeneralin hitlerian Nohembaher, që drejtonte operacionin gjerman në gjithë rajonin e Ballkanit. Miqësi kjo që ishte lidhur që gjatë viteve të hershme kur ai kishte jetuar në Vjenë, ndërkohë që Nohembaheri kishte qenë pikërisht Kryetari i Bashkisë së saj. Nuk e di a u shpreha qartë në këtë kujtesë të shkurtër?
Absolutisht shumë qartë. Madje për të të plotësuar do të shtoja se në muzeun që përmende, kur e vizituan Konti Çiano dhe Françesko Jakomoni, por edhe Gjenerali Nohembaher, kanë kërkuar të blejnë shumë shtrenjtë me shifra të çuditshme relike të veçanta të atij muzeu. Por Qazim Mulleti, me pasionin e veçantë që ka pasur nuk ka pranuar të japë asgjë. Jo vetëm kjo, por kur shikonin atë pasion të jashtëzakonshëm të xhaxhait tim, ka kontribuar kushdo nga këto personalitete që mundeshin ta vizitonin.
Për shembull?
Oficeri austriak Hans Keneri, një nga piktorët e shquar të vendit të tij, edhe në shtëpinë tonë ka lënë dy piktura origjinale, që i ka bërë posaçërisht për t’ua bërë dhuratë motrave të mia. Janë dy piktura madhështore, me kostume kombëtare të vendit tonë. Së fundi ju shpjegova, se gjithë ai muze me relike të jashtëzakonshme përfundoi në duar të shtetarëve komunistë pas ardhjes së tyre në pushtet, që më së shumti i përdorën për dhurata që Enver Hoxha ua shpërndante udhëheqësve komunistë në rajon. Ndërsa ajo që do të shtoja akoma nga sa thamë më lart, është se, nga njohja e Qazim Mulletit me kryekomandantin e ushtrisë hitleriane për Ballkanin, Gjeneralin Nohembaher, është befasuar gjithë klasa politike që erdhi në pushtet pas ardhjes së kapitullimit të ushtrisë italiane dhe hyrjes së ushtrisë gjermane. Jua shpjegova edhe më parë, se në atë kohë më së shumti kanë ardhur në drejtim dhe janë rikuperuar të gjithë Zogistët, që nga ish-kryeministri, ish-ministrat, ish-zëvendësministrat, kolonelët etj. Ata, siç dihet ndërmorën një situatë pastrimi të kuadrove që kishin mbështetur fuqishëm Italinë fashiste, ndër të cilët ishte dhe Qazim Mulleti. Por çudia e tyre ndodhi kur morën listat e projektimit të të gjithë kuadrove që do të përbënin strukturat e shtetit të tanishëm, që do të miratoheshin nga Nohembaheri, që ndodhej në zonën e Prizrenit. Ai do të miratonte të gjithë kuadrot për të gjithë rajonin. Kjo ishte për një efekt bashkëpunimi mes pushteteve vendore dhe komandës gjermane, prej të cilës, sipas propagandës Shqipëria dilte e fituar, sepse flitej për një ribashkim të trojeve të saj. Por, kur gjenerali nuk pa emrin e Qazim Mulletit, menjëherë bëri disa ndërhyrje, duke urdhëruar që në listë të ishte emri i Qazim Mulletit si prefekt i klasit të parë, me kompetenca fuqiplote në kryeqytetin shqiptar, ashtu si dhe Xhafer Devën, - që e kishte njohur kur kishte qenë kryebashkiak i Mitrovicës dhe komandanti Nohembaher kishte qenë kryebashkiak i Vjenës, - e caktoi ministër të Brendshëm në qeverinë shqiptare.
Këtë mos gaboj, mund ta marrim si ndërhyrje në punët tona, kur ju thoni se ata ishin kalimtarë, ndërsa nga ana tjetër emëronin njerëzit që do të kishin detyra shtetërore?
Varësia nuk shikohet këtu. Ishte një ushtri që kishte një mision të vetin dhe për këtë nuk pyeteshim neve dhe po të donte, të merrte dhe integritetin. Por ajo në të vërtetë, për të qëndruar besnike e fakteve, nuk e bëri këtë. Normal që donte qeveri dhe zyrtarë që të ishin simpatizantë të sajët dhe kishte pjesën e vet të autoritetit mbi qeveritë e Ballkanit, për arsye se deklaronte që “mos na godisni, por na lini në misionin tonë të luftës ndaj Antantës. Pas kësaj ne do të largohemi”. Por unë do t’ju kujtoja se pavarësia është ajo, që shkresat zyrtare kanë qenë të gjitha me kokën e tyre me shqiponjën dykrenore, madje atë që ka qenë në kohën e Ismail Qemalit. Po ashtu, në krye të shkresave që firmoseshin nga autoritetet shqiptare shënohej “Shteti Shqiptar”. Jo vetëm kaq, por unë do t’ju vë në dispozicion që t’i botoni po deshët dokumentet që vërtetojnë se komanda gjermane ka kërkuar borxh nga qeveria shqiptare napolona floriri dhe ai borxh është dhënë me shkresë të rregullt, të firmosur jo vetëm nga kryeministri, por nga gjithë ministrat një nga një. Ai borxh pastaj rezulton që është kthyer me një shkresë tjetër të firmosur po në të njëjtën procedurë. Pra kemi marrje dhe dhënie huaje. Kjo më ka vënë shumë në mendime, se ajo ushtri nuk e paska grabitur atë flori që i duhej për ushqime për momentin, por e paska marrë hua. (Zgjat një shkresë tepër interesante, e cila përshkruan huanë dhënë komandës gjermane dhe firmosur nga tetë ministra; shënimi im F.V). Madje do t’ju deklaroja se në kohën e gjermanit, u rikthyen të gjitha rregullat dhe procedurat e kohës së Zogut, duke filluar që nga Himni Kombëtar, që nga mënyra e nderimit të ushtarakëve, që nga shqiponja që qëndronte në flamur, etj, etj.
Pra, mësojmë se Qazim Mulleti tashmë, jo vetëm që nuk u rrëzua, siç ndodhi me zyrtarët e tjerë pas kapitullimit të Italisë, por u bë Prefekt i plotfuqishëm në Kryeqytet. Pas kësaj, si vijoi jeta e tij?
Që të mos përsërisim veten tonë, pasi ju tregova se sa ka ndihmuar dhe kë ka ndihmuar, po ju them akoma se ka bërë edhe shumë ndërtime, të cilat i gëzojmë dhe sot. Ajo që do të doja të preknim paksa në këtë numër është aftësia politike dhe intelektuale e Qazim Mulletit për të parashikuar situatat dhe për të mos u joshur nga propaganda e shfrenuar e askujt që trumbetonte për fitore të lavdishme, edhe kur dukej qartë disfata e padiskutueshme.
Për shembull?
Për fitore bërtisnin gjermanët. Për fitore bërtisnin ballistët. Po ashtu legalistët kishin rënë rehat fare, se e konsideronin veten në pushtet, kur nuk kishin asgjë në vijë.
Dhe ju thoni se Qazim Mulleti bënte përjashtim nga këta ekzemplarë, që besonin në atë çfarë thuhej me të madhe dhe jo në atë çfarë dukej se vinte?
Eee... Qazimi e ka parë qartë që po vinin komunistët në pushtet. Këtu e kisha gjithë fjalën kur ju fola me kaq kompetencë për të, në lidhje me situatat që dinte t’i analizonte qartë. Unë do tj’u jap një shembull shumë domethënës, që të më kuptoni dhe besoni për sa ju deklaroj.
Çfarë shembulli?
Qazim Mulleti është larguar nga Shqipëria pikërisht më 9 shtator të vitit 1944. Ka qenë ditë Bajrami atë ditë që u nis. Këtu ka lënë tim atë, duke i thënë se “nuk duhet të shuhet shtëpia e Mulletajve”.
Në shtatorin e ’44-ës?
Po, po. Kur askush nuk kuptonte se lufta po përfundonte në favor të komunistëve, ai pati nuhatjen e madhe dhe dha dorëheqjen dhe u largua, por jo pa i njoftuar edhe krerët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit. Madje shumë më herët se kaq, ai, që i ndiqte shumë situatat e luftës në mbarë frontin, e ka paralajmëruar Bahri Omarin për kërcënimin që përbënte Enveri për të.
Çfarë paralajmërimi dhe si e ka bërë?
Duhet të ketë qenë aty nga fundi i vitit 1943 apo dhe fillimi i vitit 1944, kur Qazimi shkoi te Bahri Omari për të pirë kafen. Po të shpjegoj me këtë rast, se Bahriu në atë kohë ishte ministër, ndërkohë që rrinte me qira në shtëpitë e vëllait të Qazimit, pasi njiheshin herët, madje kishin qenë në emigrim së bashku në kohën që ishte në fuqi Zogu. Tashmë ai kishte marrë me qira shtëpinë e vëllait të Qazimit, Hysniut, i jetonte në Paris. Pra siç shikojmë Qazimi dhe Bahri Omari, që ishte ministër i Jashtëm, ishin edhe komshinj, kështu që shkonin rregullisht te njëri-tjetri për kafe apo për biseda të lira. Përfytyro tani që Enver Hoxha shkonte te Bahriu dhe nuk pakësh asnjë xhandar që të ruante si shtëpinë e të kunatit, ashtu dhe atë të Qazimit. Kur shkonte Qazimi te Bahriu, ngjitej në katin e tretë, se aty e kishin verandën që rrinin. Në një rast, kur Bahriu po ngjitej në kat të tretë, kur arriti te korridori i katit të dytë pa Enverin në holl, ndërkohë që kur ndjeu se u ngjit Qazimi, ka hyrë menjëherë në një dhomë, ose, - siç edhe më është thënë nga im atë, - ka hyrë në banjë. Por s’ka rëndësi kjo.
Nuk i foli Qazimi?
Jo, nuk i foli, madje bëri sikur nuk e pa fare. Por kur u ngjit dhe ishin ulur me Bahriun, ndërsa gjerbnin me nge kafen, Qazimi i thotë:
- Bahri, pashë Enverin në katin e dytë dhe nuk më erdhi mirë që u fsheh ashtu.
- Vjen te e motra, - ia ktheu Bahriu.
- Duhet të dish se ata shpejt do të vijnë në pushtet dhe se jeta jote do të merret pikërisht nga ky Enveri yt.
- Unë s’kam bërë gjë, që të kem frikë nga komunizmi. Kam punuar dhe punoj me përkushtim për vendin tim, pa bërë asnjë lloj krimi dhe pa cenuar askënd, – ia ktheu Bahriu.
- Mirë, mirë, – vazhdoi Qazimi. – Do t’ia dëgjosh këngën kësaj flake që ka hyrë.
Dhe siç e pe, ashtu vajti vërtet. Bahriu u vra nga komunistët, sa erdhën në pushtet.
Po si e dinte një gjë të tillë Qazimi?
Ai dinte vendimin ndërkombëtar që ishte marrë për pjesëmarrësit në qeveritë e luftës, të cilët ishin shpallur kuislingë, pra tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të ushtrive pushtuese dhe si të tillë ishin paradënuar me vdekje. Kjo është ajo që unë ju fola për Qazimin, se dinte t’i njihte dhe jetonte me situatat ndërkombëtare, ashtu siç nuk ishte e rastit që ai u largua nga Shqipëria plot tre muaj para se qeveria komuniste të hynte në Tiranë.
Po si ndodhi që iku zoti Mulleti dhe çfarë u tha liderëve zogistë dhe ballistë para se të ikte, gjë që ma cituat pak më lart?
Qazimi nuk ishte tip “derr në thes”, siç i thonë një fjale të urtë andej nga jugu, që do të thotë se entuziazmohej me çfarë shikon para. Ai jetonte me situatat ndërkombëtare, nëpërmjet gjuhëve të huaja që njihte, - pesë prej tyre në mënyrë perfekte. Kështu, ai kishte mësuar për Konferencën e Teheranit, ku ishte marrë vendim që Shqipëria të kalonte në protektoratin apo mbikëqyrjen jugosllave. Ishte periudha koha kur Hitleri kishte pësuar shumë disfata në supershtetin e sovjetikëve, madje po pësonte edhe në Evropë, pasi ishte duke tërhequr forcat, për t’i kaluar në zonat e Uraleve. Në atë kohë Hitleri ka bërë deklaratën profetiane, që, “Kur të iki këmba e fundit e ushtarit gjerman nga Europa, aty do të lulëzojë menjëherë komunizmi”. Por para se të ikte, mendoi të takonte edhe një herë krerët e forcave që të përmenda. Takoi Abaz Kupin fillimisht dhe pastaj Mehdi Frashërin. Si me njërin, që e takoi në Shkodër, dhe me tjetrin, kur i ka pyetur mbeti i shokuar. Aq më shumë Abaz Kupi, që e konsideronte luftën të fituar, madje e ndjente veten në pushtet, sepse shikonte që ishin kthyer të gjitha simbolet e Zogut dhe se ishin përkrahur njerëzit e tij.
Dhe çfarë u tha?
E takoi Abaz Kupin dhe i tha:
- Si e mendon luftën, Abaz?
- E kemi të fituar davanë, – ia ktheu serbes ai.
- Çfarë davaje ke fituar ore Abaz. Ku i ke njerëzit, që të flenë në shtëpi. Pa mblidhi një herë që të shikojmë se sa të bëhen dhe sa shpejt do t’i mbledhësh. Luftën e kanë fituar komunistët, sepse kanë çetat në mal dhe janë të mirëorganizuar në formacione të rregullta, me disiplinë dhe vendosmëri të madhe. Ata janë të grumbulluar dhe rrinë të grumbulluar derisa të vijnë në pushtet, mirëpo largojuni shpejt sa s’është vonë. Pastaj, si do vejë puna e komunistëve dhe sa do ta duan aleatët perëndimorë këtë, do t’ia lëmë kohës... Dhe kështu iku.
Menjëherë?
Takoi miqtë e tij dhe foli shumë keq për Abaz Kupin, duke u shprehur se, “si ka mundësi t’i binden dhe të kenë shpresë te një njeri pa shkollë, kjo është çudi!”. Pastaj vendosi të nisej menjëherë.
Vetëm?
Me vete ka marrë edhe djalin e ish-ministrit të kohës së Zogut, Sali Viçiterrni. Djali quhej Nazim Viçiterrni. Në shtëpi, siç ju shpjegova, la babën tim, Hakiun, duke i thënë se “duhet të mbetet një Mullet në shtëpi, të mos e shuajmë fare truallin tonë. Unë po iki, se dihet se do ç’më bëjnë komunistët”. Atë ditë, siç edhe të shpjegova, ka qenë ditë Bajrami dhe data ishte pikërisht 9 shtator 1944. Pas viteve ’90-të, djaloshi i atëhershëm që iku me të, Nazimi, na ka treguar me hollësi për peripecitë që ai kaloi në atë rrugë të mundimshme të emigrimit, ku nuk do të shikonte më as djalin e tij dhe as të shoqen, që për hir të së vërtetës ka qenë një grua me të vërtetë heroike, aq sa është përplasur rëndshëm me vetë Kadri Hazbiun.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›