E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy gjyqtarë tërhiqen nga çështja, Beçaj lejon vetëm Imerajn

Ende pa nisur procesi gjyqësor i Ilir Metës, relatori i çështjes dhe gjyqtari tjetër i njohur Besnik Imeraj, kërkuan tërheqjen nga gjykimi. Ky fakt u bë i njohur nga relatori i çështjes “Meta” në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani, porsa nisi seanca paraditen e djeshme. Ai pohoi se para se të vazhdonte me procedurën normale të seancës, duhej të njoftonte publikisht dy fakte të lidhura me gjykimin e çështjes. “Dua të njoftoj se gjyqtarët Besnik Imeraj dhe Ardian Dvorani kanë bërë kërkesë për tërheqjen nga ky trup gjykues, pranë kryetares së Gjykatës së Lartë“ - tha Dvorani. Ai shtoi më tej se kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kishte pranuar vetëm kërkesën e gjyqtarit Imeraj, por jo atë të relatorit të çështjes, i cili mban edhe barrën më të madhe në këtë proces. Dvorani nuk përmendi asnjë arsye apo argument pse ai vetë, apo gjyqtari Besnik Imeraj, kërkuan tërheqjen nga çështja e Metës, ndërsa një fakt i tillë ka mbetur ende i panjohur. Ish-zv.kryeministri Ilir Meta, aktualisht kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, akuzohet nga Prokuroria e Përgjithshme për veprën penale të korrupsionit, hetim ky që ka pasur në themel të tij një përgjim të kryer nga Dritan Prifti. Nga ana e tyre, avokatët e Metës kërkojnë pushimin e gjykimit, përmes një sërë argumentesh që sipas tyre provojnë shkeljet ligjore gjatë hetimit të Metës nga Prokuroria e Përgjithshme. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›