Teknologjia 3G, AKEP: Në treg, brenda këtij viti
Brenda këtij viti, përdoruesit shqiptarë të internetit do të mund të navigojnë duke përdorur teknologjinë 3G. Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar ka mbyllur fazën e konsultimit publik me kompanitë e interesuara për ofrimin e këtij shërbimi të cilat kanë qenë të interesuara për implementimin e kësaj teknologjie. Sipas AKEP, futja e teknologjisë UMTS është e domosdoshme për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë së informacionit dhe sidomos të internetit pa tel.
Sipas drejtuesve të AKEP, kriteri kryesor që një kompani të autorizohet për ofrimin e shërbimit 3G është që kjo kompani të jetë e gatshme të hedhë këtë shërbim në treg brenda fundit të këtij viti. Sipas AKEP-it, ka kapacitete për dhënien e 4 licencave për shfrytëzimin e kësaj teknologjie, por do të jetë një vendim i Ministrisë se Telekomunikacionit për përcaktimin e numrit të autorizimeve që do të jepen dhe për përcaktimin e çmimit. Ndërsa pritet një vendim qeverie për përcaktimin e pagesave për përdorimin e frekuencave.
“Në bazë të ligjit, propozimi i AKEP-it i paraqitet ministrit i cili vendos për kriteret që duhen pasur parasysh në garë, dhe që janë çmimi dhe numri i autorizimeve. Njëkohësisht priten të dalin dhe dy vendime të qeverisë, një për pagesat e frekuencave dhe një për një ndryshim në rregulloren e blerjes së garës që do të lehtësojë dhe shmang ndonjë pengesë në proces”, tha dje Pirro Xhixho, kreu i AKEP.
#