Godo, dëshmi për Tivarin dhe masakrat

Republikani Sabri Godo, i cili ka qenë pjesë e divizionit të gjashtë partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore deklaroi dje në një intervistë televizive në emisionin “Fakt” se personat që kanë kryer krime në këtë periudhë duhet të dënohen. I pyetur në lidhje me rolin e komandantit të divizionit të pestë, ish-presidentit Ramiz Alia për masakrën e Tivarit, Godo thekson se nga jashtë situatës mund të gjykonte se Alia nuk ka pasur në dorë fatin e 4000 kosovarëve. Sipas republikanit, Ramiz Alia nuk ka qenë udhëheqës lufte dhe për këtë arsye nuk ka pasur tagrin e duhur për të urdhëruar pushkatimin e kosovarëve. “Ramizi nuk kishte fuqi të merrte vendime të tilla edhe sikur të donte”, deklaron Godo. Por sipas tij, është normale që të ngrihet një komision hetimor në lidhje me këtë masakër të madhe. “Jam dakord me komisionin hetimor, janë vrarë njerëz të pafajshëm dhe duhet të sqarohet çfarë përgjegjësie ka Shqipëria në këtë masakër”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, republikani thekson se nevojë për hetim ka edhe periudha e viteve 1945-1946, gjatë të cilës shumë kosovarë janë vrarë nga partizanët në kufi vetëm pse kërkonin të hynin në territorin shqiptar. Sipas Godos, është e nevojshme që të hidhet dritë njëherë e mirë për këto ngjarje të errëta në historinë e Shqipërisë komuniste.
#