E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teksasi miraton ligjin anti-abort

Ligjvënësit në Teksas kanë miratuar projektligjin e diskutuar që ndalon abortin pas 20 javëve të para të shtatëzënisë.

Ligji i ri, që u debatua në Senatin e shtetit pasi kaloi më parë në Dhomën e institucionit, parashikon gjithashtu mbylljen e shumicës së klinikave të abortit në Teksas. Republikanët vepruan shpejt për ta kaluar projektligjin pasi fillimisht një senator demokrat e bllokoi atë me një fjalim maratonë. Guvernatori Rick Perry bëri gjithashtu thirrje për miratimin e projektligjit pavarësisht protestave të shumta. Ligje të ngjashme me këtë të Teksasit u miratuan më herët edhe në Misisipi, Ohajo, Oklahoma, Alabama, Kansas, Uiskonsin dhe Arizona. Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara legalizoi abortin në shkallë vendi në vitin 1973, por shumë shtete i kanë shfuqizuar ligjet në vitet e fundit duke kufizuar aksesin tek proçedura. Projektligji ishte pranë miratimit edhe muajin e kaluar, por u shty në Senat pasi senatorja Wendy Davis foli për gati 11 orë, në përpjekje për të vonuar sesionin e legjislativit. Një ditë më vonë, guvernatori Perry, një republikan që e kundërshton abortin, thirri një sesion të posaçëm për të çuar përpara projektin. Fjalimi i senatores Davis bëri xhiron në mbarë Shtetet e Bashkuara, duke e kthyer atë në heroinën e lëvizjeve për të drejtat e abortit. Protestues të shumtë pro dhe kundër abortit ishin mbledhur përpara selisë së Senatit në Ostin, që kur nisi sesioni i dytë i posaçëm për miratimin e projektligjit. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›