Universiteti Bujqësor i Lushnjes hap dyert për studentët
Ditën e hënë hapi dyert Universiteti Bujqësor në Lushnje, ku janë ulur për të marrë njohuritë e arsimit të lartë 40 studentë. Dekani i Universitetit Bujqësor të Kamzës, Bahri Musabelliu, u uroi mirëseardhjen studentëve dhe pedagogëve në institucionin e ri arsimor, që shënonnjëkohësisht një ngjarje historike për arsimin shqiptar dhe banorët e qytetit fushor. “Lushnjes, dhe jo vetëm këtij qyteti, i duhej një Universitet i tillë, pasi janë të gjitha kushtet dhe mundësitë ku do të shkollohen të rinjë nga e gjithë kjo trevë e më gjerë. Studentët që do të dalin nga ky Universitet janë me fat, sepse janë ndër të parët që diplomohen dhe, pasi të kenë mbaruar tre vjet, do të aplikojnë përsëri për të vijuar studime edhe dy vjet të tjera, duke respektuar në këtë mënyrë edhe kartën e Bolonjës”, - tha dekani Musabelliu. Studentët e ardhur nga disa rrethe të vendit janë njohur me klasat, sallat e leksioneve dhe mjediset e jashtme, ku bashkia e qytetit të Lushnjes ka investuar dhe treguar përkushtim të vazhdueshëm. Këtë vit akademik janë hapur dy degë, nga katër të planifikuara dhe konkretisht janë hapur, Agrobiznesi dhe Financë-Kontabilitet. Rektorati dhe dekanati i Universitetit Bujqësor në Kamëz, ka miratuarprogramin e punës për të gjitha degët e hapura tashmë, si dhe janë bërë emërimet e pedagogëve që do të japin lëndët mësimore.