Breaking News me penel
Nuk është ende një piktor i afirmuar por pikturat e tij janë në të njëjtin nivel me ato të artistëve të mëdhenj. Quhet Enkelejd Zonja. Katër punët e paraqitura në konkursin “Ardhje 2008”, kanë qenë një surprizë. Përmasa jo të zakonshme dhe subjekte që i përkasin ekstremeve të mbledhura në një tablo të vetme, janë të veçantat që servir. Enkelejdi është i vetmi pjesëmarrës në konkurs, që nuk e ka mbaruar ende Akademinë e Arteve. Përshtypja e parë që të lënë tablotë është ajo e një skene të madhe teatrale. Elementet janë të gjithë imagjinarë, por zanafillën e kanë në jetën e përditshme. Në këto punë gjen në simbiozë personazhe që në jetën reale vështirë se mund t’i gjesh bashkë. Në “ Shpresë e tendosur” një soprano e veshur me petkun e rolit, interpreton në rrugë një arie që ngjason më shumë me një britmë, ndërkohë që pak më tutje dy qen zihen më njëri-tjetrin. Një skenë që emigrantit të sapokthyer me valixhe në dorë nuk i bën përshtypje. Po të njëjtin efekt i shkakton dy klientëve të ulur në një bar, madje njëri prej tyre ka kthyer kurrizin gjë që të jep përshtypjen se i neveritet kjo skenë. Pa interes i duket edhe vajzës në katin e dytë të barit, që po kujdeset për pamjen e saj. Enkelejdi thotë se personazhet lidhen nëpërmjet konceptit që kanë dhe jo imazhit. Nëse sopranoja në teatër interpretonnjë arie, në tablonë e Enkelejdit ajo nuk këndon por klith. Një shenjë revolte ndaj realitetit të mbrapshtë shqiptar. Ky është një moment që në mënyrë indirekte lidhet me lehjen e qenve, që janë vendosur në një podium të vogël. Piktori thotë se veprat e tij synojnë të jenë kritike. Nëpërmjet një momenti të pavërtetë të godasë të vërtetën. Tablotë janë spontanitete që përplasen papritur. Para tyre gjithkujt i ndodh të pyesë: Ç’kërkon kjo soprano në mes të ditës në shesh? Piktura e dytë e shfaqur në “Ardhje 2008”ka një domethënie shumë personale për të. Titullohet “Breaking News” dhe ka përfunduar një javë para tragjedisë së Gërdecit. Vetë Enkelejdi këtë e sheh si një intuitë artistike. Një artist që konstaton elemente që nuk i pëlqejnë në realitet dhe në një farë mënyre shndërrohet në “profet”, duke i paraprirë ngjarjes. Edhe në këtë tablo janë vendosur bashkë elemente që në jetën reale nuk mund të gjenden kurrë në të njëjtin vend.Një fokë që luan buzë pishinës me bombë, pak më tutje një fëmijë ka vrarë lodrën e preferuar dhe povendos shenjat rreth “kufomës”, gazetarja që transmeton “live” ngjarjen, dhe disa policë që qëndrojnë krejt indiferentë. “Personazhet në një farë mënyre janë të koduar, kanë diçka që i lidh me njëri-tjetrin” shprehet Enkelejdi “dhe nëse publiku arrin të ndjekë logjikën do të kuptojë se ata nuk gjenden aty rastësisht”. Në punët e tij nuk ka kursyer as veten. “Dilemat” e tregon më së miri këtë. Dy njerëz të ulur me kurriz, me shpina që nuk takohen në asnjë pikë. Dy Enkelejdë që duken si binjakë por që nëtë vërtetë është vetëm një. Piktori ka tentuar të nxjerrë në pah unin e dyzuar të njerëzve. Besimin dhe kundërshtitë që ekzistojnë brenda çdokujt. Pasiguria dhe kryelartësia në momente të caktuara. Asnjë njeri në thellësi nuk ndihet i plotësuar. Për të këto dy anë të personalitetit nuk mund të takohen asnjëherë, jo vetëm në pikturë por edhe në jetë.” Nëse kjo ndodh atëherë gjithçka ka marrë fund”. Tek “Vakti i zakonshëm” të jepet ndjesia sikur po përjeton një skenë filmike. Politikani që flet në podium, pas krahëve të tij ndodh një skenë krimi, një Concierge që të tërheq vëmendjen nga ajo që po ndodh dhetë tregon rrugën nga duhet të kalosh. Dy pleq kuriozë të hipur në majë të shkallës të japin përshtypjense po përgjojnë një vajzë në dhomën e saj. E gjithë kjo skenë është pasqyruar në tablo me përmasa shumë të mëdha. Këtë e justifikon me faktin se një tablo e vogël nuk mund të përcjellë kurrsesi të njëjtin emocion. Por nga ana tjetër, jeta është një skenë e madhe teatri dhe duhet një tablo e madhe për ta paraqitur si duhet. “ Është një zgjedhje e imja”,- thotë Enkelejdi.