E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telashet e mbrojtësve të Obamës

Një raport i brendshëm i Kongresit, në të cilin vihet në dyshim aftësia e shërbimit të fshehtë për të kryer obligimet e veta, ka rënë në duar të gazetës amerikane, Boston Globe.

Në raport theksohet se shërbimi i fshehtë është i mbingarkuar, për shkak të numrit të madh të kërcënimeve në adresë të presidentit, Barack Obama, e përveç kësaj, ky shërbim po përballet edhe me reduktim të buxhetit.

Disa zyrtarë po spekulojnë se ky shërbim mund të heq tërësisht apo pjesërisht dorë nga mbrojtja e makinerisë financiare të SHBA-së, me qëllim që burimet e veta ti përqendrojë në mbrojtjen e presidentit dhe zyrtarëve tjerë të lartë amerikanë.

Raporti, i hartuar në gusht nga Shërbimi i Kongresit për Hulumtime, theksoi se nëse bëhet tani vlerësimi i dy misioneve të shërbimit të fshehtë, mund të ndodh që të nxirret përfundimi se shërbimi nuk është efektiv në misionin e vet për mbrojtje dhe për zbulimin e krimeve financiare.

Përveç kësaj, një zyrtar i administratës, i cili deshi të mbetet anonim, theksoi se në korridoret e Kongresit dhe brenda vetë shërbimit të fshehtë po debatohet për atë se a do të bëhej shërbimi më efektiv, nëse një pjesë të përgjegjësive për hetimin e krimeve financiare ja bartë departamentit të thesarit.

Ronald Kessler, i cili ka shkruar një libër për mbrojtjen e presidentëve nga ana e shërbimit të fshehtë, së fundi ka theksuar se numri i kërcënimeve në adresë të Obamës është shtuar për 400 për qind, për dallim nga kërcënimet në adresë të presidentit George Bush, ndërsa numri i pjesëtarëve të shërbimit të fshehtë është shtuar për vetëm 5.3 për qind.

Duket se për shtimin e numrit të kërcënimeve ndaj Obamës pjesërisht mund të fajësohet edhe teknologjia moderne.

Me rënien e çmimeve të teknologjisë kompjuterike, një numër gjithnjë e më i madh i njerëzve po kalon një kohë gjithnjë e më të madhe në internet. Në bazë të një studimi të bërë nga qendra Simon Wiesenthal, ky fakt po e mundëson edhe shtrirjen më të gjërë të grupeve ekstremiste.

Me fjalë tjera, ekstremistët, të cilët dikur kanë vepruar vetëm në kuadër të sekteve të vogla, tani mund të veprojnë në mënyrë anonime në internet, ku porositë e tyre mund tia përcjellin miliona njerëzve.

Shërbimi i fshehtë, i cili aktualisht vepron nën ombrellën e Departamentit për siguri të brendshme, është themeluar në vitin 1865, për të ndihmuar në luftën kundër shtypjes së parave të falsifikuara.

Mbrojtja e udhëheqësve amerikanë nuk ka qenë obligim i këtij shërbimi deri në vitin 1901, kur u vra William McKinley. Kongresi në vitin 1917 miratoi ligjin, duke shndërruar në krim federativ kërcënimet kundër presidentëve amerikanë, ndërsa përgjegjësinë për hetimin e këtyre kërcënimeve ja barti përsipër shërbimit të fshehtë.

Shërbimi i fshehtë reagoi menjëherë ndaj shkrimit të publikuar në Boston Globe, me çrast mohoi se në këtë shërbim ka reduktim të kapacitetit për të kryer misionet që ka, duke theksuar se shkrimi nuk është i saktë dhe se atij i mungojnë shumë informata.

(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›