E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia përgatit ambasadorin në Kosovë

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka njoftuar se së shpejti do të fillojë procedura për emërimin e ambasadorit të Maqedonisë në Kosovë.

Qeveria ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme do të fillojë firmosja e marrëveshjeve dypalëshe mes Shkupit dhe Prishtinës, të cilat i hapin rrugën thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atij tregtar, por edhe marrëveshjeve në fusha të tjera midis dy vendeve fqinje.

Zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se marrëveshja e parë që pritet të nënshkruhet javën e ardhshme do të jetë ajo ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë së Maqedonisë me Ministrinë së Ekonomisë dhe Energjetikës të Kosovës.

Duraku ka thënë se marrëveshja e dytë duhet të jetë ndërmjet Ministrive të Punës dhe Politikës Sociale.

Ka një interes të veçantë për tregun kosovar, për shkak se vetëm në pjesën e derivateve të naftës që furnizohet Kosova, Maqedonia në vit realizon të ardhura diku mbi 200 milionë euro, ka thënë Duraku.

Ai ka shtuar se në të ardhmen, Maqedonia dhe Kosova pritet të realizojnë projekte të përbashkëta në fushën e energjetikës dhe se janë duke u shqyrtuar mundësitë e investimit të Maqedonisë në energjetikën kosovare.(REL)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›