Lohan: Gërdeci, ende zonë e pasigurtë
Në takimin e donatorëve që po mbahet sot, ku kanë qenë të pranishëm disa ministra shqiptare, ishte i pranishem edhe Ambasadori i Komisionit Evropian Helmut Lohan. Lohan tha se ‘donatorët janë të gatshëm për të dhënë ndihmë por duhet që kjo zonë në radhë të parë të shpallet zonë e sigurt’.
“Asnjë familje të mos kthehet në Gërdec dhe asnjë njeri nuk duhet të afrohet në zonën e shpërthimit, pa u dhënë garancia se s’ka asnjë predhë. Deri atëherë nuk do të japim asnjë ndihmë derisa të shpallet zonë e sigurt”- u shpreh ambasadori Lohan. Megjithatë ai foli edhe për një strategji të përbashkët për Gërdecin. “Në Gërdec duhet të jepet ndihmë në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe bujqësi”- foli Lohan.
Kanë qenë të pranishëm ne kete takim edhe Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa dhe Ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Oketa në fjalën e tij të mbajtur në këtë takim ka thënë se ‘ende s’kemi hyrë në zonën e shpërthimit, megjithatë kjo zonë është e skanuar’. “Ne kemi kërkuar lejen nga Prokuroria, për të hyrë ne zonë. Megjithate zona ku ndodhi shpërthimi është e ndotur nga ana ambientale”-u shpreh Ministri i Mbrojtjes Oketa.
Ndërsa ministri i Brendshëm Bujar Nishani edhe ai i pranishëm në këtë takim me donatorët ka treguar se çfarë po ndodh me të dëmtuarit e tragjedisë së 15 marsit. Nishani bëri një deklaratë për masat që ka marrë qeveria për individët e prekur dukë thënë se ‘3000 veta janë strehuar në Kovaleshencë në Durrës, ndërsa ata që nuk janë të strehuar po u paguhet qeraja nga shteti’.