Telefonatat, kompanitë: Pse u shtrenjtuan thirrjet nga jashtë
Ulja e të ardhurave ndaj kompanive, rrjedhimisht të investimeve si edhe tatimeve që derdhin në buxhetin e shtetit, ishin njëra arsye e rritjes me 3.2 herë nga data 1 shkurt e tarifave të terminimit të telefonatave nga jashtë shtetit, ndërsa operatorët celularë japin sëfundmi edhe një version tjetër. Sipas tyre, qëllimi kryesor i kërkesës për liberalizimin e tarifave të terminimit nuk është ulja e të ardhurave, por fakti që mbajtja e çmimeve të rregulluara nuk i shërbente konsumatorit fundor, pra klientit të kompanisë së huaj (në rastin tonë, emigrantët jashtë shtetit që bëjnë thirrje në Shqipëri), pasi ulja nuk pasqyrohej nga kompanitë e huaja tek abonentët e tyre. Në këtë mënyrë, tarifat e ulta të terminimit nuk bën gjë tjetër veçse maksimalizuan fitimet e kompanive telefonike të huaja në dëm të kompanive shqiptare.
Por si funksionon kjo skemë, dhe cilat janë faktorët, të cilët shkaktuan këtë fenomen gjatë periudhës në fjalë? Kompanitë e telefonisë jashtë shtetit, ofrojnë çmime të ndryshme për telefonatat drejt Shqipërisë, nisur nga një serë faktorësh, një ndër to janë edhe tarifat e terminimit, të cilat kompanitë shqiptare ia ofrojnë shërbimin kompanive të huaja. Gjatë këtyre dy viteve të fundit, tarifat e terminimit kanë pësuar ndryshime.
Këtë fakt, e cek disi edhe AKEP në vendimet e marra nga Këshilli Drejtues për heqjen e rregullimit mbi tarifat e terminimit. Ja se çthuhet në pikën 4.b të vendimit: Përfitimet e përdoruesve fundorë nga detyrimi i ofrimit të terminimit të thirrjeve hyrëse ndërkombëtare, janë indirekte dhe janë të lidhura me përfitimin e një sasie më të madhe të thirrjeve hyrëse (megjithëse përdoruesi fundor nuk paguan), por të varura nga transmetimi i reduktimeve të tarifës së terminimit midis tranzituesve të ndryshëm deri tek operatorët origjinues të këtyre thirrjeve dhe reduktimi nga këta operatorë jashtë Republikës së Shqipërisë i tarifave të thirrjeve drejt Shqipërisë.
Një shpjegim i tillë konfirmon edhe ato çka pretendojnë kompanitë shqiptare të celularëve, të cilët kanë pjesën dërrmuese të thirrjeve nga jashtë. Por, cila është arsyeja se përse nuk përfitojnë abonentët fundor nga ulja e tarifave? Për tu zhvilluar një thirrje telefonike duhen minimumi dy operatorë. Operatori i parë është ai nga niset thirrja, i dyti është operatori pritës. Në rastet e telefonatave nga jashtë, në lojë mund të hyjnë edhe operatorë të tjerë, të cilët mundësojnë shërbimet ndërmjetëse. Një kompani telefonie italiane përshembull mund të zgjedhë një operator tjetër (dhe jo kompanitë celulare) nëpërmjet të cilë,s do ti mundësojë realizimin e thirrjes së një emigranti shqiptar në familjen e tij. Në këtë rast, u bënë tre operatorë. Secili prej tyre do të aplikojë edhe fitimin si edhe kostot e tjera mbi çmim përveç kostos së terminimit. Sa më i lartë çmimi i terminimit, aq më i lartë çmimi që kompania ia ofron shërbimin klientit të saj.
Por, çmimet që kompanitë e huaja ia mundësojnë telefonatat për jashtë shtetit klientëve të tyre variojnë sipas politikave të kompanisë dhe jo vendimeve të enteve rregullatore të shteteve për ku është nisur thirrja (në rastin tonë AKEP). Nisur nga kjo, mund të ndodhë që një kompani e caktuar (e huaj) të mos pasqyrojë uljen e çmimeve tek klietët e saj që bëjnë thirrje drejt vendin tonë duke bërë kështu që tarifat e ulta të terminimit të rrisin përfitimet e tyre dhe jo ato të abonentëve duke shkaktuar njëkohësisht humbje të kompanive celulare vendase. Kjo është edhe logjika mbi të cilën duket të jetë marrë vendimi i AKEP për derregullimin e tarifave të terminimit.
Qeveria lejoi shtrenjtimin e telefonatave
Liberalizimi i tarifave të terminimit, e cila solli rrjedhimisht edhe rritjen e kostos së telefonatave nga jashtë është bërë me miratimin e qeverisë. Gjatë periudhës në të cilën tarifat ishin të rregulluara, kompanitë celulare patën ulje të të ardhurave si edhe fitimeve duke derdhur më pak tatime në arkën e shtetit. Përballë kësaj situate, duket se qeveria ka lejuar shtrenjtimin e telefonatave nga jashtë, gjë e cila do të sjellë rritje të fitimeve të kompanive celulare, të cilat kryejnë edhe trafikun më të madh të thirrjeve duke maksimalizuar kështu edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit.
Sipas të dhënave, mësohet se kompanitë celulare patën më pak se 20 miliardë lekë fitim gjatë vitit 2010, shifër kjo më e vogël krahasuar me vitin 2009.
