E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS akuza qeverisë për keqmenaxhimin e energjetikës

Emirjon Senja

Vështirësitë që po has aktualisht vendi me sigurimin e energjisë elektrike u pasqyruan me debate të ashpra dje në Kuvend gjatë interpelancës së thirrur nga deputeti socialist Erjon Braçe me ministrin e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço. Braçe akuzoi qeverinë për afera korruptive gjatë dhënies tenderëve për blerjen e energjisë elektrike si edhe në dhënien e licencave koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve të rinj gjatë këtyre shtatë viteve. Në vitin 1990, Shqipëria kishte 1700 MG kapacitete të instaluara energjetike. Sot Shqipëria ka vetëm 1470 MG kapacitete të instaluara. Shqipëria sot, është tërësisht e varur nga moti dhe kushtet hidrologjike si edhe nga importi dhe çmimet e tij. Në tre muajt e fundit, KESH ka blerë 74 milionë euro energji. E ka nisur me çmim 60 euro për megevati dhe e ka çuar në 118 euro. Shqipëria në import, është tërësisht e varur nga Serbia. Sali Berisha thotë do blej me çdo çmim dhe paratë tona përfundojnë në Serbi, – tha Braçe.

Naço ndërkohë, theksoi se që prej vitit 2006 vendi ka ndërmarrë reforma për rritjen e kapaciteve prodhuese të energjisë elektrike, me qëllim shndërrimin në një fuqi rajonale. Burimet e shumta ujore, pozicioni gjeografik i tyre, interesimi i shumë investitorëve pas fillimit të kësaj nisme, e bëjnë mëse të realizueshëm këtë synim. Sot, një pjesë e opozitës bën kritizerin e punës së të tjerëve, duke harruar me dashje se edhe për ta ujërat kanë rrjedhur në po të njëjtin shtrat ku sot ndërtohen hidrocentrale. Sot është e thjeshtë për disa të sulmojnë çdo iniciativë të re dhe rezultative, sidomos rezultative, sepse në kohë të tyre nuk kanë pasur as ide e jo më rezultate, – tha Naço. Nisur nga ky deklarim i ministrit, Braçe u ndal tek procedurat korruptive, sipas tij, të ndjekura nga qeveria në drejtim të dhënies së lejeve për ndërtimin e HEC-eve. Nga 2007, për 4 vite rresht, nga 300 HEC-e të kontraktuara nga Sali Berisha janë ndërtuar dhe prodhojnë vetëm 5, në kapacitet të papërfillshëm. 99 për qind të kontratave koncesionare janë realizuar përmes procedurës Propozim i pa kërkuar, ku koncesionin e identifikon një njeri çfarëdo dhe jo AKBN, METE apo një institucion tjetër shkencor e teknik, – tha Braçe.

Në përgjigje të këtij pohimi, Naço theksoi se METE ka nënshkruar 114 kontrata koncesionare për ndërtimin e 327 HEC-eve me fuqi të instaluar prej 1400 MË dhe vlerë investimi 240 miliardë lekë. Janë në fazë prodhimi 43 hidrocentrale, 12 prej të cilave të nënshkruara pas vitit 2007, kanë detyrimin të paguajnë tarifën koncesionare ndaj shtetit; 40 HEC-e janë në fazë ndërtimi, shumica në nivele të kënaqshme; gjatë vitit të kaluar, METE ka negociuar dhe lidhur 15 kontrata koncesioni për ndërtimin e 61 hidrocentraleve, me fuqi instaluese totale 341MË dhe vlerë investimi rreth 45 miliardë lekë; janë në proces negocimi edhe 14 kontrata koncesionare me fuqi rreth 215 MË dhe me vlerë investimi 38 miliard lekë, – tha ai. Debati më pas vijoi në akuza dhe kundërakuza në lidhje me projekte të caktuara HEC-esh.
Erjon Braçe, nënkryetar i grupit të PS

Në 8 kontrata të reja të dhëna gjatë vitit 2011, 5 kompani “fituese” janë të falimentuara, me përvojë në shfrytëzimin e pyjeve dhe bimëve medicinale ose me kapital vetëm 100 mijë lekë. Tre të tjera i janë dhënë kryetarit të LSI për Vlorën dhe ortakut të tij me përvojë në fushën e lotarive sportive. 5 HC, një grupi lacash nga këta të bllokut ku spikasin mbiemrat e punonjësve të Ministrisë së Ekonomisë dhe një mbiemër i njohur politik që merren me pasuri të paluajtshme, dizajn dhe organizim fushatash e festash. 2 HC, kunatit të drejtorit aktual të pyjeve e maleve në qarkun e Beratit, ish kandidat i PD-LSI-PR në Poliçan në 8 maj-2 HC!!!

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›