Teliti: 500 raste pasaportash biometrike false
Shekulli ka denoncuar disa raste ku shtetas kosovarë bëhen shqiptarë duke paguar deri në 5 mijë euro për të marrë një pasaportë false nga vetë zyrat e shtetit shqiptar, ose persona të kërkuar nga policia që blejnë me para një identitet të rremë. Bëhet fjalë për pasaporta biometrike të rregullta që kanë vetëm një defekt, fotografia është e njeriut që i ka blerë ndërsa të dhënat të dikujt tjetër. Bazuar në shkrimet e medias, çështja ka arritur dje deri në komisionin parlamentar të sigurisë, ku zyrtarët e shtetit kanë pranuar problemin.
Bëhet fjalë për rreth 500 raste të tilla, të cilat ne i kemi në investigim. Ndërkohë kemi 2.9 milionë karta identiteti,- tha Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti. Për këtë gjë ai fajësoi punonjësit duke mbrojtur me fanatizëm sistemin. Natyrisht që mundësia nga punonjës të gjendjes civile mund të jetë, por kjo është në çdo sektor. Nuk mund të parashikosh që të monitorohet çdo punonjës i gjendjes civile. Deri sot janë konstatuar në mënyrë sporadike këto pasaporta. Nuk është bërë një kontroll për të bërë investigim. E kuptoj se sistemi nuk nxjerr dy karta me të njëjtat shenja gishtash, por është e sigurt se ka karta me të njëjtat shenja gishtash, por me të dhëna të ndryshme. Prandaj është e nevojshme të kemi verifikim. Ka shumë emigrantë që janë jashtë dhe kanë marrë shtetësinë atje dhe nuk janë të interesuar për shtetësinë këtu. Këto mund të jenë raste për abuzime,- denoncoi anëtari i Komisionit të Sigurisë Paulin Sterkaj, i cili ka qenë për shumë vite edhe drejtues i lartë i Policisë së Shtetit.
Nga ana tjetër edhe prokuroria po heton disa raste të tilla. Sipas dosjeve hetimore, falsifikatorët gjenin një person shqiptar që nuk e përdorte pasaportën biometrike. Pasi i vidhnin identitetin personit shqiptar me ndihmën e punonjësve të gjendjes civile, falsifikonin në emër të tij, por me foto të kërkuesit një patentë makine. Pasi falsifikonin patentën, me këtë emër paguanin në postë shumën prej 16 mijë lekë të reja dhe merrnin kuponin për të aplikuar pranë kompanisë për prodhimin e pasaportave. Më pas, me patentën në dorë aplikuesi paraqitej në sportelet e gjendjes civile, të personit që i ishte vjedhur identiteti, dhe kërkonte një vërtetim që provonte se ishte banor i asaj njësie. Pas marrjes së këtij vërtetimi personi i rremë aplikonte vetë për pasaportë duke dhënë gjurmët e gishtave dhe foton e tij, por identitetin e shtetasit shqiptar të cilit tashmë ia kishin vjedhur.
Gazmir Bizhga, deputet PS
Sistemi ynë i gjendjes civile sot më shumë se çdo gjë vuan nga keqpërdorimi i politik. Zgjedhjet e fundit treguan se ky sistem mbetet i pambrojtur nga politika. Kandidati i PD-së, Basha dërgonte sms në telefonat e qytetarëve duke i uruar ditëlindjen. Ne mund të luftojmë një kriminel, por jo politikën,
Armand Teliti, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile
Sa i përket pyetjes së zotit Bizhga, unë nuk jam i njohur me mesazhet e stafit elektoral të kandidatit të Tiranës. Por do të thosha se numrat e tel nuk janë atribut i gjendjes civile dhe për këtë arsye duhet të gjendet burimi se ku janë marrë këto numra
