E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arben Malaj kërcënon Ramën me krijimin e një partie të re

Anëtari i kryesisë dhe deputet i PS-së Arben Malaj ka paralajmëruar se do të krijojë një parti të re me dy rebelët e tjerë të grupit, Andis Harasani e Kastriot Islami. Ndërsa së fundmi Malaj mbështeti paktin e ofruar nga kryesocialisti Edi Rama, vazhdon të mbajë qëndrime të kundërta me të duke akuzuar se zgjedhjet brenda partisë nuk po bëhen transparente. Frika e Malajt për humbjen e vendit në Kryesinë e re të partisë e ka çuar atë deri në kërcënimin për daljen më vete nga PS. Sigurisht ai e hedh këtë alternativë fillimisht si një presion para kongresit që pritet të mbahet në nëntor. Malaj në një intervistë publikuar në portalin e lajmeve gazetaidea i pyetur disa herë nëse do të krijojë një subjekt të ri politik, tha se mundësia më e mirë është bashkëpunimi brenda PS-së, por ajo nuk ishte mundësia e vetme, duke nënkuptuar largimin nga PS si një rrugëzgjidhje. Nëse PS do të radikalizohet, nëse brenda PS-së do të mbisundoje alibia e disiplinës formale për të përjashtuar dhe penalizuar kolegë, nëse do të aplikohet vjedhja e të drejtes së anëtarëve për të zgjedhur delegatët e kongresit me një proces të çuditshem që ju votoni dhe ne përcaktojmë emrin, atëherë pritet të rritet numri i të zhgënjyerve, do të rriten burimet e grindjeve në PS, do të goditet solidariteti dhe përkushtimi, kjo padiskutim do të sjelle kosto edhe elektorale. PS nuk i fiton zgjedhjet e vetme dhe nuk ndërton dot koalicion fitues nëse nuk rritet vetë. PS duhet organizuar drejt fitores, jo drejt menaxhimit të humbjeve të përsëritura. Socialistët që nuk respektohen për perkushtimin e tyre, nuk janë vetëm të vjetër, janë edhe shumë të rinj, shume gra socialiste, janë shumë intelektualë që nuk duhen lënë pa asnjë alternativë për të qenë pjesë reale e sfidave të vendit. Opsioni i parë duhet të jetë një funksionim sa me demokratik i PS, ku hapsirat dhe mundësitë rriten, ku vlerësimi vjen nga meritokracia dhe jo klientelizmi. Kjo është mundësia më e mirë jo vetëm për PS-në, por nëse zhvillimet e ardhshme nuk do të jene pozitive, ajo nuk mbetet mundesia e vetme, u shpreh Malaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›